Frika nga shumë fronte, detyron kryeministrin të tërhiqet

Ndryshimi dhe përpunimi i Ligjit tani më të miratuar për arsimin e lartë, hapja e dialogut me studentët dhe profesorët, bisedimet me mësimdhënësit lidhur me kërkesat e tyre për të ndërprerë grevën, ndryshime në ligjin e honorarëve, për shkak të të cilët janë paralajmëruar protesta gjatë ditës së premte, janë disa nga hapat që ndërmori kryeministri Nikolla Gruevski, gjë të cilën nuk e prisnin qytetarët.

Analistët vlerësojnë se këto ndryshime kryeministri nuk i ndërmori për shkak të zemërgjerësisë, por këto u bënë për shkak të frikës nga situata momentale në vend. Ata thonë se kryeministri nuk dëshiron të ketë shumë fronte të hapura pasi që ka një betejë me ‘bombat’ e opozitës që me gjasë duhet të jenë skandale të mëdha pasi që kanë detyruar pak të tërhiqet kryeministri kokëfortë.

Petrit Saraçini, aktivist i shoqatës “Civil” thotë se po të ishte zemërgjerësia ajo që po shtyn kryeministrin në ndryshimet e ligjeve, atëherë do të duhej të reagonte atëherë kur çështjet e ligjeve ishin aktuale.

“Vetë fakti se pushteti nuk reagoi si duhet atëherë kur çështjet e ligjeve ishin aktuale, kur ne rrugë kishte mijëra njerëz, kur nuk i përfilli fare argumentet as te studentëve dhe profesorëve, e as të punëtorëve me honorar, por u sollën ligjet ashtu siç dëshironte qeveria, tregon se nuk kemi të bëjmë me zemërgjerësi, por me diçka tjetër, që është ashiqare rezultat i situatës së krijuar me informatat bombastike të cilat i publikoi opozita”, tha për Portalb, Sarçini.

Analistja Mirjana Maleska vlerëson se qeveria e Gruevskit së bashku me BDI-në duan që t’i largohen valës së pakënaqësive, dhe ato ti fshijnë nga skena politike.

“Pas konferencës së opozitës , e cila zbardhi skandalin e përgjimit të qytetarëve, mund të thuhet se qeveria e Gruevskit së bashku me BDI-në duan që t’i largohen valës së pakënaqësive, dhe ato ti fshijnë nga skena politike. Tani më shumë se kurrë ka dalë në shesh kontrolli institucional në të gjitha nivelet ndaj qytetarëve, opozitës, publikut dhe shprehjes së lirë. Me këtë mund të vjen deri tek keqpërdorimi i pozitës si dhe korrupsioni, siç është edhe ky rast”, tha për Portalb, Maleska.

Lëshimet e qeverisë nuk gjetën përkrahje të plotë nga qytetarët, mësimdhënësit ngelën të pa kënaqur me marrëveshjen madje ata treguan revoltën e tyre haptas, gjithashtu edhe profesorët dhe studentët deklaruan se asgjë nuk është arritur, kurse honoraristët nuk pranuan ndryshimet ligjore, ata vazhdojnë të kërkojnë tërheqjen e plotë të këtij ligji. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button