fbpx

McCain, Merkelit: Edhe sa njerëz duhet të vdesin, përpara se të ndërhyni?

Senatori i famshëm republikan, e krahasoi refuzimin e zonjës Merkel në lidhje me furnizimin me armë të Ukrainës, me politikën e “Appeasement”-it që u ndoq kundrejt Gjermanisë nga ata që më vonë i shpallën luftë, para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore.

Pak para takimit të Kancelares gjermane, Angela Merkel, me presidentin rus, Vladimir Putin, senatori republikan amerikan, John McCain, e ka kritikuar shumë ashpër “zonjën e hekurt” të Evropës.

Kryetari i Komitetit të Sigurisë e Forcave të Armatosura në Senatin Amerikan, e krahasoi refuzimin e zonjës Merkel në lidhje me furnizimin me armë të Ukrainës në një intervistë që ai pati dje në kanalin e dytë TV publik gjerman ZDF, me politikën e ashtuquajtur të “Appeasement”-it apo e thënë më shqip: të qetësimit e të paqtimit, që u ndoq kundrejt Gjermanisë nga ata që më vonë i shpallën luftë, para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore.

E thënë fjalë për fjalë, senatori, që para shtatë viteve u vu përballë presidentit aktual, Barak Obama, në zgjedhjet presidenciale në SHBA, tha dje se “sjellja e saj të kujton politikën e viteve ’30″.

“Ajo mos dëshiron vetëm të shohë?”

Sjellja e Evropës në konfliktin në Ukrainë për senatorin është një zhgënjim i madh, “por unë kam pritur tjetër gjë”, tha McCain në një intervistë, e cila është regjistruar dje e që pritet të transmetohet sot në mediat gjermane.

“Kur sheh qëndrimin e qeverisë gjermane, mund të mendosh se ajo nuk ka kurrfarë ideje nga kjo punë ose kjo punë për të aq i bën, aq i bën që njerëzit në Ukrainë po vriten e sakatohen përditë. Unë do ta pyesja një herë Kancelaren, se edhe sa njerëz do të duhet të vdesin në Ukrainë para se ne të ndërhyjmë me ndihma, për t’i mbrojtur ata?”, tha senatori me shumë ndikim nga radhët e republikanëve, që njihet edhe si kritik i Obamës.

“A nuk e di ajo se nga vijnë armët dhe trupat ndihmëse për separatistët?”

McCain e akuzoi zonjën e shumadhuruar jo vetëm në Gjermani, se i mungon dëshira për veprim dhe se është tejet pasive: “A mos dëshiron ajo vetëm të shohë se si një vend në Evropë, për herë të parë nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, po këputet në mes?”.

Zëvendëspresidenti Biden vë në dukje “pabesinë” e Putinit.

Ndërkaq, zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, duket se ka mëdyshje rreth gatishmërisë së Presidentit rus Putin për të gjetur një zgjidhje paqësore për konfliktin.

“Rusia nuk duhet lejuar të riformatojë sërish hartën evropiane”, tha Biden pak orë para takimit të shefit të Kremlinit me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe Presidentin francez, François Hollande, në Bruksel.

Sipas Biden, Putin akoma po citon me zë të lartë “plane paqësore, por trupat e tij po zbarkojnë në tokën ukrainase dhe ai injoron të zbatojë çdo marrëveshje që vendi i tij ka nënshkruar në të shkuarën, në mënyrë absolute”.

Sipas tij, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja duhet të qëndrojnë të bashkuar dhe të mbështesin qeverinë ukrainase, financiarisht dhe politikisht.

Merkel dhe Hollande e paraqitën iniciativën e tyre të re për paqe të enjten mbrëma në Kiev, në takimin që zhvilluan me Presidentin ukrainas, Petro Poroshenko.

Në mbrëmje ata thanë se do të shkonin drejt Moskës për të folur mbi planin edhe me Putinin.

Hollande tha dje në Paris, para nisjes së fluturimit, se një armëpushim në Ukrainën Lindore do të ishte kësisoj një hap i parë në drejtimin e duhur, por që nuk do të mjaftonte tërësisht. “Ne duhet të kemi shpresë”, tha ai më tej.

Merkel tha në Berlin, se me vizita direkte në Kiev dhe Moskë, Hollande dhe ajo po bëjnë gjithçka që kanë në dorë, për të ndalur gjakderdhjen dhe për ta jetësuar Marrëveshjen e Minskut.

Përballë dhunës në rritje në Ukrainën Lindore, SHBA-ja e ka hedhur sërish në diskutim idenë për furnizimin e Ukrainës me armë. McCain është një ndër mbështetësit më të flaktë të kësaj ideje.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha të enjten gjatë një vizite në Kiev, se Presidenti Barak Obama shumë shpejt do të vendosë edhe për këtë çështje. Deri më tani, Obama e kishte refuzuar propozimin për të furnizuar me armë ushtrinë ukrainase. /botasot/

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close