Washingtoni porosit Kosovën: Zhgënjimi i qytetarëve vjen nga korrupsioni

Fuqizimi i demokracisë me përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje publike, si dhe luftimi i llojeve të ndryshme të korrupsionit janë veçuar su sfida të rëndësishme për shtetin e Kosovës nga ana e Thomas Melias, zëvendësndihmëssekretar në Departamentin Amerikan të Shteti në Byronë për Demokraci, të Drejtat e Njeriut dhe Punë.

Zyrtari i lartë amerikan gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ka bërë të qartë se përpjekjet për adresimin e këtyre problemeve do të mundësojë përparimin e vendit.

Në një intervistë për Koha Ditore, Melias ka tërhequr vërejtjen se korrupsioni përveç se mund të jetë i dëmshëm në aspektin ekonomik, me vete sjell edhe pasoja të rënda politike.

“Nëse qytetarët nuk kanë besim në institucionet e vendit të tyre, nëse nuk besojnë se gjykatat funksionojnë në mënyrë të drejtë, nëse mendojnë se ka ndikime politike në proceset gjyqësore, në punën e policisë, në punën e agjencive që ofrojnë kontrata e ku bizneset konkurrojnë për t’i marrë ato kontrata dhe mendojnë se nuk ka një proces të drejtë, atëherë do të jenë të zhgënjyer. Pra, korrupsioni mund t’i zhgënjejë njerëzit dhe t’i frustrojë ata dhe kjo i kontribuon ikjes së tyre nga vendi, si dhe i kontribuon rritjes së pakënaqësisë dhe ftohjes së tyre në raport me Qeverinë. Prandaj mendoj se është thelbësore për të ardhmen e Kosovës që kjo çështje të adresohet në mënyrë serioze”.

Melia ka përkujtuar se Washintoni i kushton rëndësi të madhe Kosovës dhe do të vazhdojë përkushtimin ndaj saj, pasi që e sheh atë si përbërës thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin në Ballkan. Mirëpo, sipas tij, edhe vetë shoqëria kosovare duhet t’i shtojë përpjekjet për forcimin e shtetit, pasi që bashkësia ndërkombëtare ka krijuar ambientin e duhur për pavarësim./ Lajmi.net

Lajme të ngjashme

Back to top button