ANALIZË: Pas vërshimeve vjen vala e çmimeve!

Ushqimi i importuar do të shtrenjtohet, në rajon do të ketë mungesë të drithërave, në tregun e vendit do të zvogëlohet prodhimtaria, është vënë në pikëpyetje mbjellja pranverore. Pas vërshimeve katastrofale në Maqedoni dhe në rajon, dhe fatkeqësive elementare më gjerë, analistët theksojnë se edhe viti 2015 do të jetë një nga më të vështirët dhe më kritikët. Ushqim më të shtrenjtë parasheh edhe Banka Popullore në raportin e ri të janarit. Në terrenin vendor hapen disa dilema, në mesin e të cilave, cili është shkaku për pasojat negative me përmasa të mëdha, a kishte mundësi të zbuten ato, dhe si do të menaxhohen ato kur do të tërhihqet uji?

Kush e vërshoi Maqedoninë – shirat apo pakujdesia?

Edhe pse bujqit thonë se akoma nuk mund të bëhet vlerësimi i dëmeve në bujqësi, të dhënat e para flasin se në zonën më të madhe me drith në vend, në Pellagoni, është bërë dëm prej 10 milionë eurosh. Vërshimet katastrofale, përveç në Pellagoni lanë shkretime edhe në rajonin e Shtipit dhe të Strumicës, në Koçanë, Kavadar, Strugë etj. Dëmet janë me përmasa të mëdha, thotë Eftim Shaklev, kryetar i Asociacionit të bujqëve.

“Gjendja në terren është shumë e rëndë, shiu ka rënë me ditë të tëra. Shtohen sipërfaqet bujqësore që janë nën ujë. Si do të jetë gjendja reale me tokën do të dihet pasi të tërhiqet uji. Është e qartë se dëmet janë të mëdha. Shohim se është vërshuar edhe toka më e madhe e mbjellur me drithëra, Pellagonia, e cila tani i ngjan një liqeni. Pastaj dëme kanë edhe të mbjellat vreshtare dhe fidanishtet në rajonin e Strumicës, Koçanës. Janë rrezikuar jo vetëm drithërat, por edhe produktet vreshtare. Është e paqartë se a do të fillojë në kohë edhe mbjellja pranverore”, thotë Shaklev.

Nëse bëhet analizë sipas rajoneve, në rajonin e Shtipit-Koçanës, janë shkatërruar një pjesë e farmave dhe e drithit, ose konkretisht në rajonin e Koçanës nën ujë janë sipërfaqet e mbjella me drith, e poashtu është shkatërruar edhe gruri dhe elbi. Në rajonin e Shtipit, më kritike situata është në rajonin e Karbincit dhe të Llakavicës, ku janë shkatërruar të mbjellat e pemëve dhe të vreshtave. Në rajonin e Strumicës, vërshimet i shkatërruan fidanet pranverore të produkteve vreshtare.

“Sipas vlerësimeve, në sipërfaqet bujqësore që janë nën ujë, produktet janë shkatërruar qind për qind. Mirëpo, problem ka edhe me sipërfaqet që nuk janë vërshuar, mirëpo edhe ato janë të hendikepuara për shkak se dalin ujëra nëntokësorë, nuk mund të punohen, kurse te disa aspak nuk ka qasje. Do të thoja se gjendja është kritike. Konsideroj se institucionet kompetente më së paku që mund të bëjnë është t’i paguajnë subvencionet, si mënyrë që së paku të zbutet gjendja. Tashmë lirisht mund të thuhet se dëmet në bujqësi janë tepër të mëdha, ndërsa efektet negative do t’i ndjejnë të gjithë, edhe bujqit, edhe shteti edhe qytetarët si blerës të fundit”, thotë Risto Vellkov.

Përderisa Maqedonia lufton me stuhinë e ujit, ministrat dhe funksionarët e tjerë qeveritarë kanë shpejtuar të shkojnë nëpër vendet që janë të përfshira me vërshimet, ndërsa një pjesë e banorëve, gjegjësisht bujqit në zonat e vërshuara, pyesin se pse në disa rajone me vite nuk është intervenuar dhe u janë lënë ligjeve të natyrës, pa ndërhyrë për t’i pastruar shtretërit e lumenjve dhe kanalet.

“Kjo katastrofë  bujqësore me të cilën ballafaqohet Maqedonia, para së gjithash është rezultat i mospastrimit të kanalave dhe të shtretërve të lumenjve nëpër vend. Në 30 vitet e fundit ka pasur shira me intensitet më të madh se sa tani, mirëpo nuk ka pasur pasoja të këtilla katastrofale. Dëmi është bërë dhe tani më është vonë që të reagojë shteti. Jemi dëshmitarë së në teori, paralajmërohej pastrimimi i shtretërve të lumenjve dhe i kanaleve, mirëpo në terren nuk ishte ashtu”, thotë bujku Vellkov.

Zvogëlohet prodhimtaria, rriten çmimet…

Edhe pse është pothuajse e sigurt se mungesa e produkteve bujqësore do të jetë njëra nga pasojat kryesore e vërshimeve në rajon dhe në vend, një pjesë e bujqve bëjnë thirrje që të mos keqpërdoret situata që të manipulohet me çmimet.

“Edhe pse është herët të thuhet se si dhe në çfarë mase do të jenë pasojat përfundimtare nga vërshimet, është e qartë se e pësuan perimet dhe drithërat. Tani kemi oranzheri të tëra që notojnë nën ujë, këto janë dëme të mëdha. Ajo që është me rëndësi është se nuk duhet të manipulohet me të vërtetën dhe me pasojat nga dëmet. Mendoj se tregtarët duhet të përmbahen nga cilat do qoftë korrigjime të çmimeve dhe kjo gjendje nuk guxon të keqpërdoret për shtrenjtimin e produkteve bujqësore, për shkak se nëse tregtarët i rrisin çmimet, efekte negative do të ketë vetëm për bujqit dhe për qytetarët”, thotë Shaklevi, nga Asociacioni i bujqve.

Paralajmërim për rritje të çmimeve erdhën edhe nga Banka Popullore e Maqedonisë, e cila në raportin e saj të fundit thekson se priten korrigjime me çmime më të larta të kulturave të drithit në vitin 2015, në krahasim me sinjalet e fituara gjatë projektimeve të tetorit.

“Vlerësimet më të reja për çmimet e produkteve primare ushqimore që tregtohen jashtë vendit thonë se do të ketë korrigjime me çmime më të larta të kulturave të drithit në vitin 2015, në krahasim me sinjalet e fituara gjatë projektimeve të ciklit të tetorit. Ndryshimet e këtilla janë bërë edhe përkundër rendimenteve të larta gjatë vitit 2014 dhe raportit të dollarit në krahasim me euron, dhe i pasqyrojnë edhe rreziqet nga rendimentet e zvogëluara dhe kualitetin më të dobët të kulturave të drithit nga hemisfera jugore, si dhe ndikimin mbi rendimentet në vitin 2015 nga koha jashtëzakonisht e ftohët dhe e thatë në SHBA dhe në Federatën ruse. Duhet pasur parasysh edhe paqartësinë e madhe rreth lëvizjeve të ardhshme të çmimeve botërore të naftës dhe mundësinë për ndryshime të mëdha në këtë kategori”, thuhet në raportin e BPRM-së.

Situata problematizohet edhe më tepër edhe për shkak se me stuhi të shiut ballafaqohen edhe vendet e rajonit me të cilat bën tregti Maqedonia. Këtu janë vërshimet në Serbi dhe në Shqipëri, që gjithsesi do të kenë efekt negativ mbi prodhimtarinë vendore, që nga ana tjetër do të ndikojë në gjithë tregun dhe në tregtinë me produktet bujqësore në rajon.

Lajme të ngjashme

Back to top button