Akademik Aliu, laureat i çmimit për vepër jetësore “Azem Shkreli”

Akademik Ali Aliu është nderuar me çmimin letrar kombëtar për vepër jetësore “Azem Shkreli” që ndahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Përmes një komunikate për media, MKRS-ja ka njoftuar se juria në përbërje të Anton Berishajt, kryetar, Musa Ramadanit, Nerimane Kamberit, Ismail Sylës dhe Agron Gashit, ka marrë vendim që laureati i sivjetmë për çmimin për vepër jetësore të jetë akademik Aliu, studiues i letërsisë bashkëkohore, autor i mbi 20 veprave, shkruan Koha Ditore.

Por sivjet nuk ka fitues të çmimit për librin më të mirë në prozë.

“Çmimi vjetor për letërsi për librin më të mirë me poezi i ndahet poetit Nexhat Halimi, për veprën ‘Kaq vetëm Fedorë’, ndërsa çmimi vjetor për librin më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë i ndahet studiuesit dhe shkrimtarit Osman Gashi, për veprën ‘Letërsia dhe miti’”, shkruan në komunikatë.

Ndërsa çmimi vjetor për librin më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe i është ndarë profesorit të gjuhës frënge Masar Stavileci, për përkthimin e veprës “Neveria” të filozofit francez Jean Paul Sartre.

Çmimi kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” dhe çmimet tjera do t’iu dorëzohen laureatëve në një ceremoni që do të mbahet më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button