fbpx

Piramida gjithandej…

Përshëndetje miku im! E di se pret të shkruaj për “bombat” apo për “reformat”, për ekzodin e Kosovës apo për atë nëse shkaba është haram! Unë ndjeva të shkruaj për një gjë më të rëndësishme, për një gjë që të gjithë e ndjejmë por nuk e flasim. E ndjejmë si boshllëk pasi të kalojë euforia e suksesit të përkohshëm, boshllëk që tentojmë ta mbushim me gjëra materiale e që fundosemi edhe më tej në vorbull. Humbim motivimin, besimin dhe arsyen, sepse nuk mund ta definojmë boshllëkun që ndjejmë e për shkak të cilit nuk ndjejmë asgjë.

Nëse shikoni më hollësisht, i gjithë njerëzimi ballafaqohet me të njejtat probleme. Probleme ekonomike, financiare, politike, të sigurisë dhe ekzistencës. Të gjitha ato probleme vijnë si pasojë e mosdijes së arsyes së ekzistencës së njerëzimit…njerëzimi ka humbur udhën, ka humbur taktin dhe marshon i ç’akorduar drejt greminës së injorancës dhe kokëfortësisë. Njerëz pa qëllim, të shpërlarë nga fjalët dhe mendimet e njerëzve të tjerë, të indoktrinuar nga “kutia e dreqit” që ti shërbejë apetiteve të korporatave internacionale dhe të transformohet në konsumatorin më të vyeshëm që ka ekzistuar ndonjëherë.

Afër piramidave të Egjiptit jo shumë herët u zbulua një vendbanim, e që supozohej se u kishte shërbyer “robërve” që ndërtuan piramidat. Në brendinë e amforave zbuluan se kjo klasë e “robërve” kishte ushqimin më të mirë të asaj kohe, ushqim “faraonësh” për “skllevërit”! Këta njerëz nuk ishin skllevër, pasiqë nuk ishin dhunshëm të detyruar të punojnë,këta ishin konsumatorë! Nga dëshira të konsumonin më të mirën, më të rrallën, të posedonin më të çmueshmën- ata ndërtonin piramidat!

D.t.th piramidat nuk u ndërtuan me fishkëllima kamxhiku por me tinguj floriri që shërbente për të kënaqur oreksin dhe statusin social! Kur e bën me mend se piramidat që i ndërtuan të gjallët u shërbenin faronëve të vdekur të bën të tërbohesh edhe më shumë! E njejta po ndodh edhe sot, ne konsumojmë sipas punës që bëjmë dhe bëjmë punë sipas konsumit. Që të “menaxhohemi” më lehtë jemi ndarë në popuj e fise, në parti e sekte, na bëjnë të grindemi kur kanë nevojë, na bëjnë të duhemi kur kanë nevojë, por në fund,të grindur apo të pajtuar, bashkarisht i ndërtojmë piramidat nën themelet e të cilave varrosim shpirtëroren, kombëtaren, njerëzoren…

Pyetja që duhet bërë është se kujt po ia bëjmë piramidën, kujt po i shërbejmë? A ia vlenë barra qiranë që të humbim kohë duke u shqyer si qen me njëri-tjetrin në vend se të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe ti flakim zinxhirët e të ikim nga kjo çmenduri, përsëri së bashku. Apo ndoshta duhet një Musa, Mojsej apo Mesih që të bind parinë kryeneçe dhe të friguar që nuk beson se mundemi të bëhemi bashkë. Edhe në ndryshoftë parija, fukaraja ngelet fukara përsëri, andaj në djall me “misionet” dhe “çështjet” nëse në to nuk ka drejtësi, në djall me kritikat e juaja që i trumbetoni përderisa më herët ishit të zëshëm sa i vdekuri. Në djall me heshtjen e juaj kur duhet folur e me fjalët e juaja kur duhet heshtur. Në djall ju që e shëndrruat brezin e parë të lirë, me shkolla dhe universitete të tijat, në konsumatorë, që kur nuk e hajnë shoku- shokun fillojnë ta hajnë vetveten…

Është kohë e çmendur që mbush të çmendurit me mend, andaj nuk është edhe aq keq, vetëm luftë mos të ketë! Ani se çirremi, shkruajmë dhe sugjerojmë, kur vjen koha prap ndahemi në ata që ndjekën Musain dhe ata që ngelën tek amforat me mjaltë! Ka ardhur koha të hapen plagët e pashëruara që mos të hapim plagë të reja, ka ardhur koha që sinqerisht të flasim edhe me armikun, t’ia gjejmë fijen këtij lëmshi sa s’na ka humbur edhe ai, ka ardhur koha për të bërë kthesë e jo të çohemi peshë! Ndryshimet ndodhin në mendje, pastaj në fjalë e pastaj në vepra, veprat duhet bërë brenda rregullave ekzistente derisa  edhe ato të ndryshohen sipas “rregullit”. Ndryshimet që përmbysin, revanshojnë dhe ri-kthejnë historinë nuk janë ndryshime por është po e njejta këngë, vetëm zhanri ndryshon. Neve nuk na duhen ndryshime që kënaqin nevojat momentale ndërsa barrën e ndryshimeve të vërteta ua lënë një brezi tjetër që duhet të kalojë të njejtën marrëzi që kaluam ne.

Në fillim thashë se kemi harruar qëllimin e ekzistencës, andaj pyetja që duhet bërë është: Do ndërtojmë piramida apo do çajmë detin në dysh?!

Tags

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Te bashkuar ne mendim,ne fjale,ne veper gjithesesi do te jemi ne vijen e triumfit te vertete,por te flitet sinqerisht me armikun edhe kete e kemi bere kahera (bashkimin e tokes shqiptare qe e percane po armiqt tane).
    por te gjesh sinqeritet tek armiku se ai te pranon ashtu si te ka fal Zoti,veshtire se gjendet. pershedetje e respekt

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close