fbpx

Sulmet ndaj ISIS, Emiratet e Bashkuara Arabe i dërgojnë avionë Jordanisë

Emiratet e Bashkuara Arabe do t’i dërgojnë Jordanisë avionë luftarake F-16, në mbështetje të fushatës së saj ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik. 

Ekzekutimi brutal i pilotit jordanez të kapur rob nga xhihadistët ka ndezur zemëratën e Mbretërisë, që zotohet për hakmarrje. Vendi përgatitet për luftë kundër ISIS-it, ishte deklarata e ministrit të Jashtëm Nasser Judeh, pas publikimit të videos që tregonte sesi togeri 26-vjeçar i Forcave Ajrore jordaneze, Moaz al-Kasasbeh, u dogj i gjallë nga ekstremistët e Shtetit Islamik.

Që prej muajit gusht, koalicioni ndërkombëtar i kryesuar nga SHBA-të ka ndërmarrë me qindra sulme ndaj shënjestrave të ISIS në Irak e Siri. Por deri tani, shtetet arabe nuk ishin përfshirë veçse në një fraksion të vogël të fushatës ajrore kundër militantëve të dhunshëm islamikë.

Vrasja e Kasasbehut ishte shkëndija që e ndryshoi këtë situatë, duke sjellë një angazhim total të Jordanisë në betejën aspak të lehtë për t’u fituar. Fokusi i ofensivës ajrore të saj thuhet të jetë Raqqa, fortesa kryesore e ISIS-it në Siri.

Por sipas xhihadistëve, njëri prej këtyre sulmeve i ka marrë jetën dhe një punonjëseje amerikane të ndihmës, të marrë peng prej militantëve që prej 4 gushtit 2013. Ekstremistët kanë nxjerrë në internet pamjet e shkatërrimit të godinës, ku thonë se mbeti e vrarë 26-vjeçarja nga Arizona, por asnjë filmim që ta tregojë atë vetë.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë këmbëngulin se nuk ka asnjë provë, që të tregojë se vajza ka vdekur vërtet, ndërsa prindërit e Kayles i kërkuan mbështetësve të Shtetit Islamik, që të kontaktojnë me ta dhe ta trajtojnë zonjushën Muller jo si peng, por si “mysafiren” e tyre. / Top Channel

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close