fbpx

Plani i ri i paqes në Ukrainë, tjetër takim të mërkurën

Liderët e Rusisë, Ukrainës, Gjermanisë dhe Francës planifikojnë të takohen në Bjellorusi të mërkurën për të diskutuar planin e ri të paqes për Ukrainën Lindore.

Njoftimi erdhi pas diskutimeve që patën në telefon Vladimir Putin, Petro Poroshenko, Angela Merkel dhe Francois Hollande. Bisedimet në Moskë të premten nuk arritën gjë tjetër veç hedhjes së hapave të parë drejt një dritareje të re dialogu.

Vete Merkel e pranoi përpara pjesëmarrësve të Konferencës së Mynihut se nuk ka asnjë garanci që diplomacia do të ketë sukses, por mbetet një rrugë të cilën ia vlen ta provosh. Plani i saj dhe shefit të Elizesë është një përpjekje për të ripërtërirë marrëveshjen e armëpushimit të firmosur në muajin shtator në kryeqytetin bjellorus, Minsk. Që atëherë, rebelet kanë fituar edhe më shumë terren, çka bëri të bien këmbanat e alarmit në Kiev dhe në radhët e mbështetësve të Ukrainës.

Nga detajet që dha vetë Hollande, propozimi përfshin krijimin e një zone të çmilitarizuar prej 50 deri në 70 km përreth vijës aktuale të frontit.

“Kjo është një prej mundësive të fundit për mbylljen e këtij konflikti. Nëse dështohet në arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë paqeje, atëherë të gjithë e dimë shumë mirë skenarin që pason. Ai e ka një emër, quhet luftë”, ka deklaruar Hollande.
Në fakt, dështimi i iniciativës do të fuste më së pari në axhendë dërgimin e armëve të Perëndimit në Ukrainë. Konflikti në rajonet lindore të këtij vendi tregoi se veprimet ushtarake sërish janë kthyer në një mjet të politikës në Europë.

Duke përdorur pushtetin e saj, Rusia po tenton të vendosë kufij të rinj e zona të tjera influence në Kontinentin e Vjetër. Ukraina, në këtë rast konsiderohet si një ‘top loje’, si zona e distancës mes demokracisë, mirëqenies europiane dhe Rusisë, që ruan autokracinë e saj. Prandaj Kremlini theu të gjitha parimet politike dhe rregullat ndërkombëtare, që bashkësia ndërkombëtare – bashkë me Moskën – i ngriti me shumë mundim pas Luftës së II Botërore.

Kjo është çfarë shqetëson më së shumti Perëndimin; kërcënimi rus nuk i kanoset vetëm paqes së Ukrainës, por edhe asaj të të gjithë Europës. / Top Channel

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close