“Zbulimi i fundit” i mediave serbe: Shqiptarët po ikin nga kanceri dhe xhihadi

Propaganda serbe kundër Kosovës vazhdon të jetë aktive dhe shumë e fuqishm. Shteti serb, duket se ka mobilizuar të gjitha mediat serbe për të shkruar gjithçka që iu vie në mendje, me qëllim të paraqitjes së Kosovës si një vend jo vetëm të varfër, por edhe të udhëhequr nga kriminelët, e i rrezikuar nga islamistët.

Ditë më parë disa media serbe kanë shkruar: ‘derisa shqiptarët po e lëshojnë Kosovën, disa shqiptarë të tjerë terroristë po kthehen në Kosovë, për të dëbuar serbët’.

Këtë lajm ata nuk e kanë bazuar në asnjë fakt, dhe nuk e kanë cituar askënd, vetëm një burim anonim.

Sot të njëjtat media, kanë dalë me një version tjetër, sipas të cilave kosovarët nuk po ikin nga varfëria, por nga mafia, terroristët dhe nga ‘xhihadi’.

Madje kanë shkuar aq larg duke thënë se kosovarët, (të cilët konsiderohen si popull më pro-amerikanë në botë), tani sipas mediave serbe ia paskan marrë inatin edhe Amerikës, transmeton zeri.info.

Media serbe ‘Vesti’, ka cituar një kosovar i cili është nisur për të imigruar në Evropë, të cilin thonë se e kanë intervistuar rrugës.

Ky qytetar i intervistuar, për të cilin ‘Vesti’, nuk ka as fotografi, as incizim e nuk ia thotë as emrin e plotë, paska thënë se në Kosovë kanë mbet dy mundësi ‘ose të detyrojnë me protestu dhunshëm, ose të detyrojnë me shku në luftë në Siri dhe Irak, në emër të xhihadit’.

“Po iki nga frika se djemtë e mi do t’i detyrojnë të protestojnë dhunshëm për të dhez luftë, ose do t’i detyrojnë të luftojnë për xhihad në Siri ose Irak. Prandaj së bashku me tërë familjen kemi ikur nga Podujeva, dhe po përpiqemi që njëherë të dalim në Hungari përmes Serbisë, e pastaj e kemi qëllim që të shkojmë në Gjermani, ku kam disa të afërm”, citohet të ketë thënë ky kosovarë, për ‘Vesti’, me emrin Agim B.

Kjo media shton se, kosovari Agim B. po ashtu ka thënë se në Kosovë jetojnë mirë vetëm politikanët, ish pjesëtarët e UÇK-së, dhe mafia, dhe ndër tjerash ka thënë se Amerika e ka mashtruar Kosovën.

“Amerika na ka shfrytëzu, na ka detyru që të luftojmë me Serbinë, dhe më pas kur nuk kanë pasur më nevojë për ne, kanë hequr dorë prej nesh, dhe na kanë lënë që të bredhim rrugëve të Evropës”.

Ndryshe, kjo media asnjëherë nuk ka thënë se kosovarët po ikin për shkak gjendjes së rëndë ekonomike, siç është edhe realiteti.

Ndërsa, asnjë prej qindra kosovarëve, të intervistuar çdo natë nga mediat kosovare, të cilët kanë marrë rrugën për të migruar në Evropë, nuk e kanë përmendur islamin radikal si arsye që po lëshojnë vendin. /Zëri/

 

Lajme të ngjashme

Back to top button