Albright: Rusët po provokojnë

Përshkallëzimi i luftës në Ukrainë? Kjo është pyetja qendrore në Konferencën e Sigurisë në Munih. SHBA duhet të sigurojë armë dhe mjete të blinduara për Kiev. Kjo është thirrja e Ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila paralajmëron edhe kundër ndarjes së Perëndimit.

Ish-sekretarja Amerikane e shtetit, Madeleine Albright, në një intervistë për SPIEGEL ONLINE, komenton zhvillimet aktuale në botë, me theks të veçantë në konfliktin në Ukrainë.

SPIEGEL ONLINE: Zonja Sekretare, sa pranë jemi një lufte të re në mes të Evropës?
Albright: Unë shpresoj se kjo nuk do të ndodhë. Evropa ka vuajtur në shekullin e 20, në fazën më të përgjakshme të historisë. Marrëveshjet ndërkombëtare midis shteteve, të tilla si Marrëveshjet e Helsinkit duhet të respektohen. Ajo çfarë kanë bërë rusët është e papranueshme.

SPIEGEL ONLINE: A duhet të furnizojë qeveria e SHBA Ukrainën me armë të rënda vdekjeprurëse?
Albright: Po, unë jam e bindur dhe këtë e kam thënë publikisht. Ukrainasit janë të sulmuar dhe kanë të drejtë të vetëmbrohen. NATO ka demonstruar publikisht se armët ruse janë përdorur nga rebelët në këtë konflikt dhe që rusët janë thellësisht të përfshirë. Ukraina ka një histori të keqe pas vetes, unë isha vetëm një vit më parë, në zgjedhjet që u zhvilluan, madje kam qëndruar edhe në sheshin Mejdan. Atje, njerëzit kanë vdekur për vendin e tyre të lirë dhe të pavarur. Askush nuk dëshiron një luftë, por në qoftë se dikush sulmohet nga jashtë, ai patjetër që ka të drejtë të vetëmbrohet.

SPIEGEL ONLINE: Me çfarë armësh, mendoni ju?
Albright: Për shembull me armë të blinduara. Me armë që do të ishin efektive për t’iu kundërvënë armëve që hyjnë nga Rusia.

SPIEGEL ONLINE: Po a nuk do të shkaktonte kjo një cikël të ri përshkallëzimi të luftës? Si do të reagonin rusët?
Albright: Këtë unë nuk mund ta di, por di që ata nuk po veprojnë me shumë përgjegjshmëri. Por ky nuk është problemi im. Nëse dikush thotë që ju nuk duhet të provokoni rusët, unë i përgjigjem: Janë rusët ata që po provokojnë! Janë ata që filluan gjithçka. Është interesante se ukrainasit dëshironin që të takoheshin me Europën, por në të njëjtën kohë ata e dinë se duhet të kanë një marrëdhënie pune me fqinjët e tyre lindorë. Por kjo nuk është mënyra për t’i kombinuar të dyja.
Evropianët, duke përfshirë edhe kancelaren gjermane, deri më tani kanë kundërshtuar dërgimin e armëve të rënda.

SPIEGEL ONLINE: Çmimi politik i dërgimit të këtyre armëve ndoshta do të ishte një ndarje midis SHBA dhe Evropës.
Albright: Unë shpresoj se nuk do të ndodhë. Rusët do ta duan një ndarje, sepse kështu do të kishin arritur më në fund atë për të cilën janë përpjekur gjatë gjithë kohës. Unë besoj se Putini dëshiron të destabilizojë rajonin, përgjatë kufirit të tij perëndimor. Ajo që ai dëshiron më shumë është të fusë një pykë midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.

SPIEGEL ONLINE: Atëherë, logjikisht ju do u bënit thirrje europianëve që të pranonin furnizimin e ukrainasve me armë.
Albright: Unë nuk jam më diplomate, por shpresoj se do të ketë një marrëveshje. E vërteta është se ne jemi të gjithë shtete të pavarur, me marrëdhëniet dhe interesat e veta, dhe nuk ka asnjë rregull që të gjithë duhet të veprojmë njësoj. Unë respektoj vendimet e qeverive demokratike.

SPIEGEL ONLINE: Vitin e kaluar, Presidenti amerikan Barak Obama është kritikuar ashpër për politikën e jashtme shumë të përmbajtur. Sa jeni e kënaqur me presidentin tuaj?
Albright: Presidenti ka bërë një punë të jashtëzakonshme në kushte shumë të vështira. Lufta e Irakut ishte një nga gabimet më të mëdhenj të politikës së jashtme amerikane në përgjithësi, dhe Obama duhej të përgjigjej edhe për luftën në Afganistan. Në të njëjtën kohë, Presidenti ka arritur të sjellë rritje për ekonominë e SHBA, si dhe të reduktojë papunësinë. Unë mendoj se ai është duke bërë një punë të madhe.

SPIEGEL ONLINE: Një vit më parë, Obama e krahasoi Shtetin Islamik me një ekip të vogël shkolle të mesme. A ka ai përgjegjësi për rritjen e grupit terrorist?
Albright: Jo, unë nuk mendoj kështu. Nëse ka një përgjegjësi për rritjen e IS, atëherë atë e ka secili prej nesh. Lindja e Mesme është një nga skenat më të komplikuara të historisë. Shumica e amerikanëve nuk e kuptojnë dallimin në mes sunive dhe shiitëve, problemet mes arabëve dhe persëve, dhe pasojat e luftës në rajon. Ne të gjithë kemi supozuar gabimisht se bota do të kujdeset vetë për atë situatë. Për këtë, Obama nuk është përgjegjës.

Lajme të ngjashme

Back to top button