fbpx

Jazhinca fshati i harruar, tani e braktisur nga e drejta për të pasur mjek

Udhëtimi për në ambulancën më të afërt që ndodhet 8 kilometra, përbënë një sfidë të vërtet për 1500 banorët e një fshati të harruar me 200 shtëpi që ndodhet fare pranë kufirit më Kosovën. Fshati Jazhincë ndodhet 35 kilometra larg qytetit të Tetovës i shtrirë në cepin më skajor po kalon këto ditë dimri bashkë me epideminë e gripit pa ambulancë, pa mjek.

Fshati i harruar i lënë në varfërinë e skajshme, tani duket i braktisur edhe nga e drejta elementare për të pasur një mjek. Ministria e shëndetësisë deri më tani nuk ka dhënë ndonjë përgjigje pozitive kërkesës së banorëve për të pasur një ambulancë funksionale.

Zgjidhja për të pasur një trajtim shëndetësorë, tani për tani duket e dhimbshme për banorët e fshatit Jazhincë, që detyrohen të presin me orë në stacionin e autobusëve në fund të fshatit, ku transporti publik ngjason shumë me itinerarin e trenave të vonuar.

“Disa herë kemi bërë kërkesë por deri tani nuk kemi pas përgjigje. Kjo ambulancë është e mbaruar gati 30 vjet, me vet kontribut e kemi ndërtuar ne fshatarët, mjek privat ka pasur por tash nuk ka. Mbi dhjetë vjet nuk ka, pas 2001 nuk ka pas më. Kemi qenë deri në ministrinë e Shëndetësisë na thonë që do bëhet por deri tani nuk ka”, tha Nafi Bexheti, Kryetar i Bashkësisë Vendore të Jazhincës, transmeton Alsat.

Banorët shprehen të revoltuar, ndërsa rikujtojnë partitë politike se Jazhinca ekziston edhe pas fushatës parazgjedhore, jo vetëm kur kanë nevojë për vota.

“Rastet e sëmundjes që na ndodhin në fshat shkojmë deri në Vratnicë, ka afër 7 kilometra. Pastaj deri në Tetovë, në qendër. Na premtojnë mjaft por punë hiç”
“Ne për momentin vetëm në Vratnicë kemi ambulant krejt pacientët i çojmë në Vratnicë, kemi kërkuar por deri më tani nuk e kanë lëshuar ambulancën”, thotë një banorë.

“Ndihma e shpejtë nuk vjen, ai që ka veturë shkon ai që nuk ka, s`ka çka bën, problem është, ambulancë mjek nuk kemi, barem dy herë në javë të vij mjeku këtu. Shumë të lënë pas dore jemi për krejt gjërat. Veç kur vinë koha e votimeve, atëherë i shohim ata, kur kemi ndonjë rast shkojmë nuk na kryejnë punë nuk shikojnë”, thonë banorët.

Ky nuk është problemi i vetëm i fshatit Jazhincë. Banorët kanë probleme edhe me legalizimet dhe përfshirjen e vendbanimeve të tyre në planin urbanistik. Një gjë e tillë i pamundëson disa prej familjeve, që të përfshihen në rrjeti e energjisë elektrike.

 

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close