15 kompani largohen nga ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup

Zbritja e vlerës së kontratës nga 15 centë në vetëm 6 centë, për tonë kilometër, ka ndikuar që 15 kompani, të kontraktuara nga kompania Bechtel-Enka, në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, t’i ndërpresin punët e tyre. Përfaqësues të këtyre kompanive thonë se Bechtel-Enka u ka ofruar kontratë me vlerë më të ulët sesa vitin e kaluar. Kurse zyrtarët e kompanisë Bechtel-Enka thanë për RTK-në se pavarësisht kësaj, puna në autostradë po vazhdon. “Pa asnjë paralajmërim na kanë ofruar kontrata të reja në lartësi prej 0.6 centësh për tonë kilometër nga 0.-15 cent tonë sa ishte vitin e kaluar”, thonë pronarët e kompanive tashmë të larguara.

Televizioni publik mbrëmë ka filmuar disa nga kamionët e këtyre kompanive që kanë ndërprerë punën. Televizioni po ashtu ka filmuar edhe zonën e gurthyesit, ku shihen kamionë dhe makineri tjera të këtyre kompanive që po ashtu kanë ndaluar punën. Këto kompani punën nuk e kanë vazhduar as sot.

Pronari i njërës nga këto kompani që kanë ndaluar punën për shkak të uljes së çmimit nga ana e Bechtel -Enkes, e i cili nuk ka dashur të identifikohet para kamerës, tha se arsyeja kryesore është çmimi. “Kamionët i kemi 26 tonë ngarkesë diku me 32 euro shkojnë 25 euro shpenzime naftë, 5 shoferi dhe na i bëjmë diku 45 i bëjmë 43 kilometra me fitim 4 euro”. Ai thotë se kanë provuar të negociojnë më zyrtarë të Bechtel- Enka, por kërkesat për kthimin e çmimit te mëparshëm nuk janë pranuar. “Kur ka fillua punën Bechtel Enka së pari në Kosovë ka paguar për tonë kilometër 50 cent ndërsa tani 0.6 cent. Ndërsa çmimin Bechtel Enka e ka 10 milionë për kilometër e neve na paguajnë 0.6 cent kilometër”.

Televizioni ka kontaktuar zëdhënësen e Bechtel –Enka, Ela Ruçi, për të mësuar më shumë për problemin e dalë. Ruçi ka deklaruar se kjo është çështje kryekëput private mes Bechtelit dhe kompanive, dhe se nuk e komentojnë këtë çështje. “Qëndrimi ynë zyrtar është se puna jonë do të vazhdojë dhe po vazhdon. Bechtel Enka nuk komenton marrëdhëniet e biznesit”.

Në anën tjetër, ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, thotë se nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë ne marrëdhënie të tilla kontraktuale. “Nuk ka kurrfarë mundësie të përzihemi në marrëdhënie biznesore as nga aspekti ligjor as nga aspekti privat. Ju e dini që ne kemi tregun e lirë në Kosovë, nuk intervenojmë në çmime. Unë besoj se nëse argumentohet me fakte, Bechtel Eenka duhet të reflektoje”, tha ai. Por Zharku, u sugjeron palëve që të gjejnë një marrëveshje për të vazhduar me tutje.

Në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Bechtel Enka, një kilometër autostradë kushton 10 milionë euro. Oferta e parë e konsorciumit fitues ka qenë 500 milionë euro nëse autostrada ndërtohet pa tunel, ndërsa nëse ndërtohet tuneli, Bechtel & Enka ka kërkuar 600 milionë euro. Autostrada Prishtinë – Hani Elezit do të jetë e gjatë 55 kilometra dhe pritet të përfundojë brenda 42 muajve.

Lajme të ngjashme

Back to top button