Basha: Nuk zgjidhet kriza vetëm me ndihma

Me anë të një postimi në Facebook, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kritikoi edhe një herë tjetër qeverinë për mënyrën se si po e menaxhon krizën e përmbytjeve në jug të vendit.

“Vazhdon drama e dhjetra mijë familjeve në jug të vendit. Ka një solidarizim të fortë kombëtar që na nderon, por edhe një reagim të dobët qeveritar. Me shpërfillje nuk shpallet emergjenca kombëtare që do e ngrinte ndihmën shtetërore në nivelin më të lartë. Me shpërfillje nuk dedikohet asnjë fond i posaçëm dhe nuk realizohet asnjë plan konkret. Cfarë presin? Gënjejnë nga një ditë në tjetrën, presin të hapet koha dhe me arrogancën tipike t’u thonë njerëzve të ngrohen në diell. Për këtë specie politike, njeriu i thjeshtë nuk ekziston”, shkruan zoti Basha.

Kreu i PD-së shtoi: “Gjithçka është lënë në dorë të vullnetarizmit. Solidariteti njerëzor është i rëndësishëm por nuk zgjidhet kriza me ndihma. Përmbytjet mund të zgjasin, njerëzit kanë nevoje të ushqehen çdo ditë. Gjëja e gjallë gjithashtu. Nuk bëhet pa ndërhyrje të fuqishme të qeverisë. Në vend të vihet në krye të punëve, kryeministri bën ndërmjetësin dhe fton biznesmenet të paguajnë. Qeveria ka fonde, ligj, plane ndërhyrjeje të fuqishme në rast fatkeqësish natyrore. Ku janë paratë e taksave të rritura? Cfarë pret që t’i alokojë menjëherë për të permbyturit? Nëse buxheti i shtetit nuk është për njerëzit në nevoje, për kë janë paratë tona? Na flasin për shtet të fortë kur na rrjepin lekurën dhe na marrin paratë, por zhduken kur duhet të paguajnë.”/ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button