Ne akoma rrojmë?!

Mjaftë më me partitë e Ramiz Alisë.

  1. Nuk mund të vazhdohet më me hartime.

Prishëm gjithçka patëm, duke u ngritur kundër vetes tonë, duke pranuar të ecim në një tunel të gjatë, pa asnjë lloj drite shprese në fundin e tij. Edukuam një administratë dhe shtet shkelës dhe dhunues të ligjit. Po përjetojmë tranzicionin më të gjatë e raskapitës, të pafund, duke ecur si hebrenjtë në shkretëtirë për ta arritur në “tokën e premtuar” për një gjysëm shekulli, edhe pse atë e kishin para syve. Kjo ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodh me ne. Shkatërruam vetveten, edhe kur u ngritëm në vititn 1997 kundër padrejtësive dhe grabitjes masive. Mjaftë më me klanet e dështuara të Nanos, Berishës, Metës, Ramës, të cilët përveçse interesave të pushtetit dhe falangave të tyre politike, asnjëhërë nuk u ka interesuar vlera fondamentale e një sistemi demokratik të konsoliduar në Shqipëri. Mjaftë më me këtë Parlamant karagjozësh, të pa moral, të inkriminuar, zëmërak dhe të dhunshëm, hipokrit dhe demagog, një Parlament, ku sa hërë fillon seancën plenare blindohet me Policinë e Shtetit. Mjaftë më me deformimin që i është bërë misionit fisnik të institucionit ligjvënes të shtetit, arena e të cilit është kthyer në një skenë estrade dhe tragjikomedie, duke dhënë imazhin më te keq të dhunimit të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë.

Sipas një filozofi francez, François Marie Arouet Voltaire; “Është e rrezikshme të kesh të drejtë, kur qeveria e ka gabim.” Çdo ditë njerëzit përballen me pasigurinë, me kërcënimin, me urinë, me padrejtësinë, me hallet e një jete të vështirë. Pa dallim partiak, larg oportunizmit, me mendësitë e një pesimisti me përvojë, e thënë shkurt, ka ardhur koha që populli në rrugë demokratike, të guxojë dhe të kërkojë me kurajo qytetare, largimin e kësaj klase politike, e cila është shkaktarja dhe përgjegjësja kryesore e situatës kaotike që përjeton vendi në të gjitha aspektet. Një gjë është e vërtetë në dritë të diellit. Koha ecën, qeveritë shkojnë e vijnë, shqiptarët pësojnë në shpinën e tyre, vendi vazhdon të rrezikohet në kaos të plotë dhe askush nga kjo klasë politike, e pandryshueshme, solide dhe stike në qëndrimin e saj, edhe pse ka qënë dhe është përgjegjësja kryesore, askush prej tyre nuk ka marrë asnjë shenjë ndëshkimi prej drejtësisë shqiptare. Edhe sa do të durojmë këta oligarkë dhe shpurat e tyre në shpinën tonë? Janë po të njëjtat fytyra, po të njëjtit njerëz të papërgjegjëshëm, deri të kriminalizuar, që vazhdojnë të flasin për “hallet e popullit dhe të Shqipërisë”.

Mjaftë më me hartime “mreslënëse” dhe me demagogji. Pushteti është dhe duhet të jetë në shërbim të qytetarëve. Opinioni qytetar, duhet të kthejë lumenjtë në “Haurët e Avgjisë” dhe t’i pastrojë ata nga plehu dhe era e qelbur, që kanë akumuluar në këto 24 vite. Nëse kanë kurajo, le ta fillojnë nga vetvetja. Së pari, duhet të anullohet ligji i vitit 2008 për mënyrën e votimit me listë partiake. Kjo mënyrë është një mashtrim i hapur, duke dhunuar votën e popullit, e cila përfundon në ekselencën e zezë të kryetarit të partisë dhe ai vendos kundër dëshirave të popullit. Ky lloj ligji është një turp me përmbajtje kriminale, pasi i ka hapur rrugën miqve e shokëve, njerëzve të biznesit, personave të inkriminuar, mjafton që ata vetëm të jenë të pasur dhe të financojnë në fushatata zgjedhore. Është kjo arësyeja që në Parlamentin e Shqipërisë sot vegjetojnë njerës me dosje, njerëz me precedent penalë, njerëz mediokër dhe nën mesataren e arsimimit të inteligjencies shqiptare.

Si ka kaluar ky ligje në parlament me miratimin e të dy partive kundërshtare?!

Askush nuk foli dhe tani po shikojmë dhe ndjejmë pasojat e rënda të këtij ligji antidemokratik. Sot shikojmë në Parlament njerëz pa gojë, pa sy, pa vesh, njerëz memecë, deputetë në hije, ushtarë të bindur të skuadrës së kryetarëve partiakë. Niveli i tyre është për të vënë duart në kokë. Kam parasysh shumë raste, por në një emision televiziv, një vëzhgues politik e xhioronte deputetin me post të lartë të PS-së, ashtu sikundër ndodhte edhe me deputetin e PD për çështje juridike. Këta dështakë vërtetojnë vetë paradoksin e një ligji të tillë, që ka shkatërruar integritetin moral të institucioneve më të larta shqiptare. Publikimet së fundi të fondeve partiake për mbështetje dhe financim të fushatës së pritëshme elektorale, janë marramendëse, në një vend të varfër, që goditet rëndë, jo vetëm nga marrëzitë politike, por dhe nga natyra. Kjo është të vësh duart në kokë.

Që tani po ndizet fryma e debatit për zgjedhjet e ardhëshme lokale. Si do të vemë në këto zgjedhje? E thënë shkurt dhe copë; filozofia e tyre është e turpshme. Do të kërkohet përsëri të konsolidohen jo njerëzit adekuatë që i duhen halleve të popullit, por ata tipa që garantojnë me çdo mjet dhe me çdo mënyrë fitoren e partisë. Kjo lojë po ndihet nga të dy krahët e politikës, duke i hedhur benzinë zjarrit të luftës së ashpër politike dhe thellimit të përçarjes në popull.

  1. Në këto kushte, ka një deflacion të politikës shqiptare.

Jemi përballë faktit me një klasë politike të çvlerësuar, me aksionet e saj “O”. Strukturat e shtetit dhe të partive janë vënë përballë krizës së besimit ndaj tyre. Në opinionin shqiptar kjo krizë është e amballazhuar me urrejtje. Produkti i fenomeneve dhe problemeve negative brenda shtetit dhe shoqërisë, ka shkuar në një nivel me sjelljen, produktin dhe rrugëzgjidhjet në ineficencë të plotë, për shkak të politikës shqiptare, duke shfaqur fenomenin e deflacionit politik, ku askush nuk përfiton, edhe pse propaganda dhe shpenzimet janë marramendëse në një kohë tërësisht të humbur.

Çfarë problemi ka populli përballë kësaj politike?

Ku shprehet zëri i reagimit të tyre demokratik, përballë institucioneve të shtetit?

Sindikalizmi shqiptar është në ditën e tij të hallit, duke u kthyer me disa krerë të degraduar ne uturakë të vërtetë të partive politike. Kjo dikton nevojën e shkrirjes urgjente të tyre, duke i nxjerrë jashtë ligjit, si një prej deformimmeve më të rënda dhe më monstuoze të të drejtës njerëzore dhe profesionale, si një faqe e zezë e historisë së shkurtër të tyre. Të njëjtin qëndrim ligjvënësi shqiptar duhet ta shikojë me përparësi edhe për aktivizimin dhe rregullimin e problematikës së gjallon sot brenda sistemit të OJQ-ve, të cilat janë dhe duhet të jenë një nga burimet kryesore të furnizimit të politikës me njerëz të merituar, produkt me integritet moral, por jo si deri tani. Mjaftë më me “vrimat e zeza” të Sorosit që e kanë injoruar dhe dhunuar inteligjencien dhe rininë shqiptare, duke e kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave. Këto organizma qytetare të shoqërisë civile, duhet të pastrohen nga tunika e vjetër me erë të rëndë mbi akuzën e “vrimave të zeza” për pastrimin e parave dhe grabitjen e donacioneve në ndihmë të komunitetit dhe të zhvillimit. Brenda këtij sistemi, të ndalohet karrshillëku që një pjesë pasanikësh me diploma të blear në universitete “piramidë” po i bëjnë shtetit dhe shoqërisë, duke qënë të pranishëm në disa institucione, borde, universitete, OJQ, dhe duke marrë nga 10 rroga, kur një duzinë njerëzish profesionistë e kompetentë, masin rrugët e Tiranës dhe qyteteve tona. Kush punon në administratën publike të shtetit, është i shpërblyer. Nëse do të vazhdohet me shtetin e miqve e të shokëve, e besnikëve dhe të servilëve, atëherë nuk ka se si të mos mendohet se këtu lufta politike është një farsë dhe Shqipëria do të vazhdojë të ropatet akoma në këtë periudhë kalimtare të pafund.

  1. Paratë janë brenda në Shqipëri, mos i kërkoni tjeterkund!

Gjithçka thuhet e gjithçka debatohet, por brenda tyre gjallon e vërteta e hidhur, pavarësisht luftës politike, e cila shpesh del nga kuadri etik i rregullave të demokracisë. Ky është produkti i interesave, të cilat orientojnë paratë në gojën e gorrillave makutër të pa nginjur ndonjëherë, të cilët gëlltisin të ardhurat që dalin nga pasuria jonë kombëtare. Shatërrimi i monopoleve të çmimeve, duke filluar nga shtetarët që kanë aksionet e tyre në element strategjik të ekonomisë shqiptare, forcimi kalimtar i rolit të shtetit në disa prej tyre, që janë burim të ardhurash për buxhetin, dhe veprime të tjera reformuese, do të jenë disa nga korrigjimet e gabimeve trashanike, që janë bërë në këto dy dekada, duke rritur parametrat social të shtetit ndaj qytetarëve të tij.

Nëse në dy vite të marrjes së pushtetit qeverisja vazhdon të mbahet me teorinë e “zarfit të parë”, duke i dhënë shumë rëndësi formës dhe aspak përmbajtjes së problemeve që janë trashëguar, atëherë kushdo ka të drejtën të arsyetojë, që gjithçka kalon nga një dorë në tjetrën dhe të dyja vazhdojnë të tentojnë të lajnë fytyrën e tyre të papastër.

Kur paraja bashkohet me injorancën prodhon gjithçka të keqe, krimin, korrupsionin, dhe ushqen sindormën; “të gjithë kundër të gjithëve”, “ta krijojmë dhe ta gjejmë armikun”, edhe kur ai nuk ekziston, duke i kaluar të gjitha përgjegjësitë në kurriz të shtetit dhe qytetarëve.

Nevoja e një force të re politike në Shqipëri, e cila të synojë të shkatërrojë perandorinë e krimit dhe të oligarkisë financiare shqiptare, me këtë situatë që përjetojmë, është një domosdoshmëri e kohës. Populli i lodhur shqiptar, që tërë jetën vazhdon të jetojë me rrypin shtrënguar, kërkon një frymë të re me mendësi të reja.

Po përballemi me një Kryeminstër mediatik, mjeshtër të ekranit, që shfaqet një qytetar elegant, por që në fakt ka dhënë prova se di të mbjellë mirë pemë dhe di të gënjejë me elegancë të huajt, duke dhënë dy pamje të ndryshme të imazhit të politikës, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Harron kryeministri se, prioritare janë ekonomia, bujqësia, prodhimi, pra ato që janë dhe kthehen në lugë për njerëzit. Këtë mospërputje e shikojmë në vetë strukturën e shtetit. Ministritë ndërtohen në bazë të problemeve që ka vendi, jo sipas shokëve dhe miqve. Ministra vihen burra dhe gra të mençur, jo dashamirësit dhe ndonjeherë dhe njerëz të dyshimtë në marrëdnëniet midis tyre. Ka ardhur koha e një riformatimi, duke lehtësuar barrën mbi taksapaguesit shqiptarë. Nuk kemi aq luks për të pasur njëkohësisht edhe ministri Arsimi dhe Ministri Kulture, apo edhe Ministri Bujqësie edhe Ministri Mjedisi. Nuk kemi nevojë për shumë hallka të tjera të trashëguara dhe mungesa e ndryshimit, tregon se çështjet e shtetit nuk janë marrë në dorë nga ekonomistët. Merrni shëmbull nga fqinji ynë jugor, një djalë i ri që ka marrë kokat më të mençura të shtetit dhe të shoqërisë, veçanërisht në fushën e financave. Greqia, një shtet I NATO-s dhe BE-së, disa herë më e fuqishme se Shqipëria dhe drejtohet nga një kabinet me 9 ministri. Tek shteti ynë ka vetëm fjalë, hartime mediatike, pozime, farsë shkollareske dhe shumë pak efiçencë reale, për most ë thënë fare. Kanë kaluar dy vite dhe opinioni nuk shikon ndonjë ndryshim, siç pretendohet, që ta ndjejë në të ardhurat familjare, përkundrazi.

Gangrenë e shoqërisë shqiptare dhe për shumë kohë do të mbetet korrupsioni i lartë. Kjo mënyrë veprimi deri tani, është një nga treguesit më thelbësorë të dështimit të qeverisjes aktuale. Lufta kundër tij do të jetë e suksesëshme, nëse ai do të goditet në kokë. E thënë shkurt, e përsëris, nëse ai do të goditet në kokë, ku të zbulohen strukturat e ngjizura, të zhvilluara dhe aktive, të cilat vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë ilegale brenda organizmave shtetërore. Veprimet e deri tanishme, duke pasur kundër sistemin e Akuzës dhe të Drejtësisë, çojnë në një rreth vicioz, ku pas asgjësimit të një grupi apo rrjeti, ka rilindur një grup apo rrjet tjetër, prej mentastazave kancerozë që kanë hyrë me kohë në trupin e shoqërisë dhe të strukturave institucionale shqiptare.

Lidhur me këtë çështje delikate, sot vazhdon te denoncohet problem i përfshirjes në strukturat e Policisë së Shtetit dhe në institucione të tjera të sigurisë njerëz të dalë prej tyre në vitin 2004. Rikthimi i tyre ka sjellë precedentin e rilindjes së strukturave të reja kriminale, të cilat mbajnë peng jetën normale të shtetit. U bënë gjithashtu mjaftë denoncime në organin e Akuzës, me propogandë të madhe nga maja e piramidës shtetërore (rasti i Mimi Kodhëlit), ndoshta pa argument dhe fakte, të cilat përfunduan në një hiç dhe zhgënimi në opinionin shqiptar, kundër drejtësisë pa drejtësi, rritet çdo ditë. Rasti tipik i Ministres së Mbrojtjes me paditë ndaj ish ministrit Imami, është një skandal dhe këtu askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. Çfarë ka ndodhur midis të vërtetës dhe të pavërtetës në dosjet e korrupsionit?

Vetëm për këtë fakt, për tërheqjen e padive, ministrja e nderuar duhet të ishte larguar nga detyra në dorëheqje. Të dorëzohesh përpara korrupsionit dhe krimit, do të thotë të ndryshosh bindjet ndaj tyre. Nëse është kështu, atëherë nuk janë më të nevojëshme deklaratat, as daljet në TV, as premtimet elektorale, por një pajtim në heshtje, ku linjat e reja të krimit dhe korrupsionit fillojnë e bëjnë ligjin brenda institucioneve. Rezultatet e publikuara janë shumë larg realitetit. Vallë po dorëzohet qeveria Rama para kësaj situate?!

Në të kundërt, duhet të besojmë plotësisht se kemi 24 vite, që shtetin dhe instiotucionet e tij i kemi tërësisht të korruptuara dhe të kapura nga strukturat e krimit të organizuar. Rasti i pilotit të FA, oficer aktiv në strukturë, me gradë dhe siguri të lartë, i përfshirë në strukturat e rrjeteve të trafikimit të drogës, dhe arrestime te tjera për këtë rast, nuk do shumë komente, pavarësisht anashkalimit që i bëhet qëllimisht problemit thelbësor në kjëtë ngjarje.

Po vazhdojmë të përballemi vit pas viti, me një shtet “ekstra” që nuk bën përpara, ku në vazhdim ka drejtuar dhe drejton “sokaku i të marrëve”. Kështu nuk mblidhen paratë brenda shtetit dhe jeta e shqiptarëve do të vështirësohet edhe më shumë. Kemi të drejtë të mendojmë në dilemë, si vazhdojmë të rrojmë akoma. Çfarë borxhi kanë shqiptarët që vazhdojnë të merren me të marrët, me të çmëndur, me njërëz me kartela dhe në sfond na është shfaqur kohë më parë  një Ilir normal, që me mençuri ka sjellë dhe vazhdon të sjellë vërdallë të gjithë shoqërinë shqiptare.

Dhe ne akoma rrojmë?!

  1. Mjaftë më me partitë e Ramiz Alisë.

Kriza e besimit tek politika pos jell nevojën e një ndryshimi të reagimit qytetar, për të cilën vendi ka nevojë në kufijtë e domosdoshmërisë. Situate politike në Shqipëri meriton analizën shkencore të kategorisë filozofike shkak – pasojë, e cila duhet të na nxjerrë në një përfundim bindës për opinionin e lodhur shqiptar. Në këto 25 vite të ndryshimeve të sistemit, vetë natyra e rrugës së pluralizmit partiak shqiptar na ka bindur se skema ka qënë e diktuar nga kasta politike e kohës së Ramiz Alisë, duke sjellë në jetën politike të vendit dy parti, të cilat sot, në kontekstin e përgjithshëm të ngjarjeve tragjike që kemi përjetuar, janë përgjegjëset kryesore dhe që asnjëherë nuk kanë mbajtur përgjegjësi për gjithçka që ka pësuar vendi ynë. Të gjithë krerët partiakë, ata që sot e quajnë veten politikanë, janë të lidhur me njëmijë fije të dukëshme e të padukëshme me sistemin e kaluar, e megjithatë, askujt kjo nuk i bën përshtypje, por tentohet të kalohet në heshtje. Inteligjencia patriote shqiptare rezulton e dhunuar profesionalisht, duke e lënë në periferi të problemeve të mprehta që ka vendi sot. Truri i kombit ka emigruar jashtë dhe vështirë se ndonjëherë do të jetë i pranishëm këtu, pa ndryshuar kjo situatë politike tejet e rënduar.

Jetojmë në një kohë kaosi, ku resurset e vendit po shpërdorohen dhe treguesit ekonomikë të vendit janë në nivelet më të ulëta.

Në këto kushte, duhet të ngremë zërin kundër hipokrizisë politike dhe demagogjisë që po na dhunojnë përditë, duke fyer rëndë inteligjencien tonë. Mjaftë më më partitë e Ramiz Alisë. Ka ardhur koha për një forcë të re politike, e cila e ka të nevojëshme të na sjellë ndryshimin dhe vlerat e vërteta të demokracisë që duam të ndërtojmë.

Çfarë kërkon situate sot?

Një betejë të re ideologjike kundër së keqes që na ka hypur në qafë.

Luftë kundër varfërisë që po na merr frymën përditë.

Luftë me masa konkrete kundër papunësisë, duke e bërë vendin një mjedis të sigurtë për investime të huaja dhe shfrytëzimin e resurseve të mjaftueshme kombëtare.

Përpjekje të organizuara shkencore, ku të dominojë mendimi ekonomik për disa nga elementët tradicionalë strategjik të ekonomisë shqiptare, e cila sot i është nënshtruar një grabitje të organizuar nga brenda dhe nga jashtë.

Luftë kundër stresit kolektiv që ka kapur popullsinë dhe po e vret pak e nga pak përditë. Luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe mafies, e cila ka kapur majën e piramidës së pushtetit në Shqipëri.

Luftë pricipiale për të rimëkëmbur vlerat tona kulturore, arsimore, shkencore, tradicionale, të cilat janë aq të nevojëshme për ushqimin tonë shpirtëror dhe ardhmërinë kombëtare.

Luftë pa kompromis kundër individëve dhe klaneve që janë kundërvënë bashkimit tonë kombëtar, duke sjellë në vëmendjen e opinionit dhe të politikës thelbin e filozofisë së këtij veprimi në përmasa kombëtare që shkon për shtat të drejtës ndërkombëtare dhe nevojës së zhvillimit politiko ekonomik në një rajon më të gjerë të interesave shtetërore, rajonale dhe më gjerë. Vetëm një forcë e tillë politike do të kthejë sytë dhe vëmendjen nga potencialet e mëdha që ka sot Diapora dhe Emigracioni shqiptar në interes të zhvillimit të Shqipërisë.

Kjo filozofi meriton një trajtim të veçantë bindës për këdo që sot e shikon me skepticizëm apo dhe me nënështrim servil ndaj faktorit ndërkombëtar.

Sot kemi nevojë për një forcë të re politike, me njerëz nga të gjithë drejtimet, të cilët sot janë bërë pjesë e këtij opinion, duke shikuar me shpresë të ardhmen. Një forcë politike kundër ndikimit ideologjik, por të jetë plotësisht e aftë të japë në mënyrë programore bindëse rrugëzgjidhjet e munguara deri më sot. Jemi të bindur se Shqipëria i ka këto mundësi dhe resurse. Përsëri po e sjell në vendje: Mjaftë më me partitë e Ramiz Alisë. Atë treguan se nuk i përkasin demokracisë së vërtetë, por interesave klanore që e kanë çuar shpesh herë Shqipërinë ne buzë të greminës.

Dr. Sulejman Abazi (NESHAJ)
Studjues politik.

Lajme të ngjashme

Back to top button