Edi Rama mbyll pushimet në Romë, shikon Juve-Lazio

Kryetari i Partisë Socialiste, Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, duket se i mbylli pushimet e tij verore nga stadiumi “Olimpico” i Romës, ku ka ndjekur superkupën e Italisë, Juventus- Lacio, e cila është mbyllur me fitoren e thellë të kampionëve të Italisë, Juventus.

Siç shkruan Panorama, Kryeministri që pas vizitës së tij në Athinë, ku u takua me Kryeministrin grek Samaras, kishte shkuar me pushime jashtë vendit, por destinacioni i tij ishte i panjohur për shumë njerëz në Partinë Socialiste.

Mbrëmë kamerat kanë fiksuar Ramën në tribunën kryesore të stadiumit të Romës ku zhvillohej superfinalja e Italisë, në krah të të cilin dalloheshin shumë personalitete VIP të shtetit italian.

Është e njohur miqësia e vjetër e Ramës me Igli Taren, ish-kapitenin e Kombëtares shqiptare, aktualisht drejtori Sportiv i klubit të Lacios, i cili e ka ftuar kreun e PS që të ndjekë nga “Olimpico” i Romës superkupën e Italisë.

Në ekipin lacial aktivizohen dhe dy futbollistë shqiptarë, kapiteni i Kombëtares, kosovari Lorik Cana dhe djali i portierit të shquar Foto Strakosha, Thoma Strakosha, i cili luan si portier.

Canaj nuk u aktivizua në ndeshjen e djeshme, ndërsa Rama ka mbetur i kënaqur nga ekipi i zemrës, Juventus, kënaqësi që ishte e dukshme dhe në pamjet që televizioni italian shfaqi duke e treguar atë në tribunën e stadiumit të Romës.

Rama nuk e ka fshehur mbështetjen e tij për Juventusin. Në Twitter, një vit më parë, kur Juventusi fitoi kampionatin, Rama shkruante: “Mbrëmje vërtet e bukur, edhe Juvja kampion pas ringjitjes tejet të vështirë nga ferri i Serie B. Milanistët të mos mërziten, qe viti i Juves ky…”.

Lajme të ngjashme

Back to top button