Shpëtim Gjika po kurohet në Spitalin Amerikan në Tiranë

Kryetari i Bashkisë së Vlorës aktualisht gjendet i shtrirë në spitalin amerikan në Tiranë.

Shpëtim Gjika, i arrestuar të premten si i dyshuar për abuzim me leje të ndërtimit, sipas njërit prej mjekëve të Spitalit Amerikan, ka pësuar një para infarkt.

“Pasdite është shtruar në Spitalin Amerikan në Tiranë dhe ai po trajtohet nga kardiologët e spitalit tonë”, tha një menaxher në këtë spital për KosovaPress.

Gjika është arrestuar në banesën e tij në Vlorë, derisa po akuzohet me akuzën e falsifikimit të lejeve të ndërtimit të dy godinave: njëra në lagjen Pavarësia dhe tjetra në bulevardin qendror Vlorë-Skelë, në afërsi të Teatrit “Petro Marko”, në vendin e quajtur “Tre Rasat”.

Kryebashkiaku Gjika u arrestua mesditën e te premtes në banesën e tij në Vlorë, pas një akuze te Prokurorisë mbi shpërdorim e detyrës për dhënien e një leje ndërtimi për një pallat 11-katësh në qytetin bregdetar.

Në pranga përfunduan edhe drejtoresha e Drejtorisë së Planifikimit të Territorit në këtë bashki, Doriana Sulaj dhe biznesmeni Artur Harxhi.

Vetëm pak orë pas arrestimit, Gjika ka shfaqur shenja te përkeqësimit shëndetësor, me dhimbje te forta në gjoks dhe tension të lartë, gjë që i ka detyruar autoritetet ta dërgojnë në spitalin rajonal ku është mbajtur në survejim gjatë gjithë natës.

Me përmirësimin disi të gjendjes së tij shëndetësore, mjekët e kanë nisur drejt Tiranës.

Lajme të ngjashme

Back to top button