Serbët kërkojnë nga Beogradi të ndalohet “shqiptarizimi” i Bujanocit

Regjistrimi i jashtëzakonshëm i popullatës në Komunën e Bujanocit, është kërkesa e parë në listën e përfaqësuesve serbë që kanë dërguar drejt Qeverisë në Beograd.

Shoqata e serbëve të Bujanocit kanë kërkuar takim me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq, që nga ai presin “aksione konkrete për ndalimin e shqiptarizimit të jugut të Serbisë”.

Kërkesave të tyre ata ia kanë bashkangjitur shtatëmijë nënshkrime, që i kanë dorëzuar qysh në vitin 2009 në Kuvendin republikan.

“Është një manipulim i vetëdijshëm me numrin e banorëve shqiptarë”, ka thënë njeriu i parë i shoqatës “Lëvizja për komunën e Bujanocit”, Mile Stojanoviq.

Serbët e Bujanocit kërkojnë rishikim të listave zgjedhore, i cili sipas tyre ka plot parregullsi dhe pasaktësi. Sipas tyre, në listën zgjedhore janë dymijë shqiptar pa numër personal, si “numër të madh të zgjedhësve që janë mbi 100 vjeç”.

Ata thonë se numri i votuesve shqiptar çdo vit rritet edhe pse politikanë shqiptarë flasin për migrimet e bashkatdhetarëve të tyre për në Kosovë dhe Evropë.

“Kërkojmë verifikimin e adresave të të gjithë qytetarëve të Bujanocit”, ka thënë nënshkruesi i dytë i listës me kërkesa Svetislav Veliçkoviq, nga këshilli për të drejtat e njeriut.

Në listën e kërkesave është edhe planifikimi i zgjedhjeve të parakohshme lokale, që do të mbahen pas “pastrimit” të listave zgjedhore. /presheva.com

Lajme të ngjashme

Back to top button