Rrëfehet Stresi: Ja pse u arratisa

Këngëtari Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, ka folur për herë të parë publikisht në një media vizive lidhur me arratisjen e tij nga komisariati nr.3 i policisë në kryeqytet.

Në një intervistë përmes “Skype” te “Zonë e Lirë” e Arian Çanit, ai ka treguar arsyen se pse është arratisur. Stresi ka thënë se ndodhet 3-4 mijë kilometra larg Shqipërisë në Europë , por nuk ka dashur të tregojë vendin se ku ndodhet.

“Arratisja ka qenë revoltë e imja. Unë nuk kam qenë shoferi i automjetit i cili u ndalua, makina drejtohej nga një shok. Ai është gati të dëshmojë në prokurori. Unë isha pasagjer. Fillimisht isha në emision, më pas kisha koncert por jam ndjekur mbas gjithë kohën nga një makinë me civilë. Gjatë shoqërimit të cilin s’e kuptova pse ndodhi nuk është plotësuar as raport shoqërimi”, tha ai.

Në vijim ka shtuar se ka qenë duke pirë cigare në momentin që është hedhur nga kati i dytë i komisariatit. Këngëtari shtoi se ka kaluar kufirin përmes shokëve të tij, duke shtuar se ka kaluar me emrin e tij por nuk e ka rrëfyer mënyrën e kapërcimit të kufijve, duke thënë se, “Robin Hudi nuk ka kufij, ai ikën si shigjetë”.

Po ashtu Stresi ka treguar se në vendin ku ndodhet ka kërkuar azil politik.

“Njerrëzit që flasin në emër të Kryeministrit janë disa servila. Dua apo nuk dua unë ai (Rama) është Kryeministri i Shqipërisë. Megjithatë nuk mund ta di se kush e ka organizuar këtë, por mund të jenë disa ish-shefa që po hakmerren. Ka të bëjë me disa legena të vegjël”, tha Stresi, duke nënvizuar se nuk beson se urdhrin e ka dhënë Edi Rama./Noa/

Lajme të ngjashme

Back to top button