Gilman: shqetëson frika e qytetarëve të Maqedonisë për t’u ankuar!

Qytetarët kanë frikë për t’u ankuar në institucionet madje edhe për gjërat më të vogla, thotë në intervistën ekskluzive për Qendrën për Gazetari Hulumtuese SKUP-Maqedoni, eksperti ndërkombëtar për korrupsion, Stuart Gilman, i cili punon për më shumë qeveri në botë në tema siç janë qeverisja e mirë dhe mbrojtja nga korrupsioni. Në ditët e fundit ai është takuar me përfaqësues të institucioneve shtetërore, biznesmenë, organizata joqeveritare, përfaqësues të kompanive multinacionale, mediat…

“Ishte e habitshme se sa shumë qytetarë thanë se ndihen të frikësuar, jo të frikësuar për jetën e tyre, por të frikësuar për t’u ankuar. Ata mendojnë se do të dënohen edhe për këtë gjë. Një nga ndjenjat të cilat i kam, jo për të gjithë, por për shumicat, është ndjenja se nëse them diçka, atëherë diçka e keqe do të ndodhë me mua. Madje edhe nëse është ankesë për një gjë të vogël. Ajo kurrë nuk është e shëndetshme. Pa gjeneralizuar, ajo është diçka që duhet të hulumtohet, si nga mediat, ashtu edhe nga Qeveria, sepse, nëse atë ua impononi njerëzve për të menduar kështu, në mënyrë të paqëllimshme, atëherë krijoni një mjedis ku asnjë ndryshim nuk mund të ndodhë. Mendoj se Qeveria do të bëjë një hap të mirë nëse ua lehtëson njerëzve se kritika e Qeverisë nuk është vetëm e drejta e tyre, por edhe obligim në jetesën e një shoqërie, e cila e quan veten demokratike”, tha Gilman në intervistën për SKUP-Maqedoni, të cilën do ta transmetojmë nesër.

Gilman mendon se ka shqetësime për Maqedoninë. “Mendoj se nevojitet një vullnet politik nga kreu për të angazhuar agjenci të pavarura, njerëz të cilët nuk janë të lidhur me Qeverinë, njerëz të cilët nuk mund të largohen nga aty sepse Qeverisë nuk i pëlqejnë vendimet e tyre, për shembull, në Komisionin Antikorrupsion, Entin Shtetëror të Revizionit ose Drejtorinë e të Hyrave Publike. Mendoj se qeveria ka obligim për të thënë: “Ne besojmë në atë që e punojmë kështu që do të lejojmë që njerëz të pavarur të vlerësojmë se sa mirë punojmë”.

Ai rekomandon se patriotizmi i vërtetë është kur qytetarët luftojnë kundër korrupsionit:
“Nëse në të vërtet e do vendin tënd, atëherë do të duhet ta mbrosh nga korrupsioni sa më shumë të jetë e mundur. Sepse, shpresoj se të gjitha qeveritë duan t’u shërbejnë qytetarëve. A ka një mënyrë më të mirë për të bërë atë sesa të largohet ai nivel i pasigurisë, niveli i frikës, i cili mund të vijë së bashku me korrupsionin, kur ndien se nuk ke kontroll mbi jetën tënde”, theksoi Gilman.

Lajme të ngjashme

Back to top button