Maqedoni, situata mund të eskalojë në trazirë

Shprehja e pakënaqësisë nga ana e qytetarëve të Maqedonisë po shkon gjithnjë e më shumë duke u rritur, këtë e tregojnë edhe protestat e shumta që po organizohen ditëve të fundit për raste dhe fusha të ndryshme.

Analistët vlerësojnë se problemi është që Qeveria po mundohet që të kontrollojë situatën dhe të bëjë presion ndaj qytetarëve që të mos shprehin pakënaqësi, por si duket ndryshe nga më parë, tani qytetarët janë më të vendosur se kurrë që të kërkojnë të drejtat e tyre dhe të shprehin pakënaqësinë ndaj qeverisjes.

Analisti politik Ibrahim Memeti thotë për Portalb, kontrolli i qeverisë për të ndalur qytetarët të tregojnë pakënaqësitë e tyre është i tepërt dhe se situata në të ardhmen pritet të përkeqësohet.

Një nga karakteristikat e Qeverisë është që mundohet me masa represive, joformale të ushtrojë presion dhe të pengojë të gjithë qytetarët të shprehin pakënaqësinë e tyre, por vjen momenti kur kjo bëhet e tepërt, sepse nuk mund të ushtrohet gjithnjë kontroll, sepse kemi shumë probleme të pazgjidhura. Unë mendoj se do të vinë situata edhe më të vështira dhe se dikush duhet të mbajë përgjegjësinë për gjendjen e vendit.

Ai shton se me fshehjen e dokumentacioneve, informacioneve, vetëm se po shtohet dyshimi dhe mosbesimi i qytetarëve ndaj Qeverisë, dhe nga protestat e shumta mund të eskalojë situata dhe të krijohen trazira.

“Qeveria të ballafaqohet me të vërtetën dhe jo të fshihen dhe manipulohen dokumente dhe informacione të ndryshme. Me mos zbardhjen e rasteve dhe mos marrjen e përgjësisë për zgjidhje të problemeve, vetëm se shtohet dyshimi dhe mosbesimi i qytetarëve ndaj Qeverisë. Dhe duke pasur parasysh që protestat vetëm shtohen, gjithashtu mendoj se duhet të kërkohet zgjidhje dhe përgjegjësi sepse situata, revolta mund edhe të eskalojë në trazirë”.

Gjithashtu edhe analisti politik Zdravko Savevski komentoi situatën momentale në Maqedoni për Portalb, me ç’rast thotë se Qeveria vazhdon të krijon pakënaqësi të madhe tek qytetarët, të cilët ndryshe nga më herët tani nuk frikësohen ta shprehin revoltën e tyre.

“Qeveria momentale në Maqedoni me politikat e saja ka krijuar një pakënaqësi të madhe tek shumë qytetarë. Ndryshe nga vitet e kaluara, tani qytetarët filluan të mos frikësohen dhe e treguan revoltën e tyre disa herë, këtë e tregon më së mirë numri i protestave, i cili shkon gjithnjë duke u rritur”, tha Savevski.

Ai shtoi se me publikimin e informacioneve që ka opozita, situata mund të përkeqësohet, aq sa mund të ketë edhe trazira.

“Situata në Maqedoni është duke u përkeqësuar dhe mundet të pritet që nga informacionet që do t’i publikojë opozita, të shkaktohet një revoltë edhe më e madhe ndaj qeverisë si dhe të shtohet numri i protestave dhe protestuesve, por gjithashtu mund të sjellin edhe trazira.  Qeveria tregohet e shurdhër ndaj kërkesave të qytetarëve dhe jo demokratike. Nuk mundet më të hiqet nga mundësia që qeveria po ushtron diktaturë të hapur në Maqedoni, por duhet të dihet që askush nuk mund t’i kundërvihet forcës së qytetarëve, nëse ata së bashku e kundërshtojnë qeverinë”, shtoi Savevski.

Analisti Ramadan Ramadani vlerëson se LSDM do duhet patjetër ti publikojë edhe “bombat” shqiptare sepse sipas gjithë gjasave mu ato pjesë ose afera të tëra do jenë prej më thelbësoreve dhe të cilat do mund të ngjallin më shumë ngazëllim në opinion.

Lajme të ngjashme

Back to top button