‘Klubi Elita’ padit zyrtarët e Komunës së Çairit (VIDEO)

Shoqata për Edukim dhe Arsimim Kulturor “Klubi Elita” – Shkup ka ngritur padi penale ndaj Ejup Ademit dhe Rami Qerimit, zyrtarë të Komunës së Çairit, të cilët me urdhër të kryetarit të Komunës – Izet Mexhiti, i kërcënuan fizikisht zyrtarët e shoqatës “Klubi ELITA” dhe në mënyrë jashtëligjore i thyen brutalisht dyert e lokaleve të Shoqatës dhe me dhunë e morën në kontroll këtë objekt.

Edhe pse ata kishin ardhur me një bandë të madhe vagabondësh, të udhëhequr nga Hisen Ameti dhe Besnik Ejupi (të njohur si rrahës të ish deputetit Eshtref Aliu në xhaminë e Isa Beut në vitin 2012), falë urtësisë së udhëheqësve të shoqatës “Klubi ELITA” u evitua një incident i përmasave më të mëdha.

Po ashtu padi penale është ngritur edhe ndaj Driton Memetit (udhëheqës i ndërrimit të policisë në rajonin e Bit Pazarit) për keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe nënshtrimin ndaj dhunuesve, si dhe për kërcënimin e sigurisë së qytetarëve, në këtë rast ndaj zyrtarëve të shoqatës “Klubi ELITA”.

Me këtë rast në Gjykatën e Shkupit janë dorëzuar fotografitë dhe video-materialet e shumta nga ngjarja, gjë që do të përdoren si dëshmi ndaj të akuzuarve, si edhe dokumentet përkatëse që dëshmojnë se objekti në fjalë është në shfrytëzim të shoqatës “Klubi ELITA” deri më 01.05.2017.

Mbi ngjarjen në fjalë janë informuar edhe OSBE-ja dhe institucionet e tjera ndërkombëtare në vend, thuhet në fund të komunikatës për medie të Klubit Elita.

Lajme të ngjashme

Back to top button