Gent Sejko, Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar Gent Sejkon si Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë. Sejko u votua me 103 vota pro, 3 kundër dhe 4 abstenim. I propozuar nga kreu i shtetit, Bujar Nishani, Gent Sejko, ka arritur të mbledhë votat e të majtës dhe të djathtës pas një seance të gjatë dhe me debate të nxehta mes palëve. PS dhe PD kishin rënë dakord për Gent Sejkon, i cili të ishte pasardhësi i Ardian Fullanit në Bankën e Shqipërisë. Kjo u duk që në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Ekonomisë, ku dekreti i Presidentit Nishani për propozimin e Gent Sejkos si kandidat për Guvernator të Bankës së Shqipërisë, kaloi me konsensus.

Posti i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë ka ngelur vakant prej 18 shtatorit, ditë kur Parlamenti ka shkarkuar Ardian Fullanin pas skandalit të vjedhjes së thesarit të BSH, nga ku u morën 718 milionë Lekë. Sejko u ka premtuar ligjvënësve se do të zbulojë aferat e Ardian Fullanit dhe se do t’i japë fund luksit të shfrenuar në Bankën e Shqipërisë. Kandidati Sejko dha garanci se do të hetojë vlerën e parave që u zhdukën nga Thesari i Bankës së Shqipërisë. Ai u shpreh se do të ndërmarrë masa që mos të ndodhin më ngjarje të tilla, si vjedhja e 713 milionë lekëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button