Shënohet viktima e parë nga përmbytjet ne Shqipëri

Në Shqipëri është regjistruar viktima e parë nga përmbytjet në jug të vendit.

Sipas të dhënave të para nga Policia e Korçës mësohet se viktima është identifikuar me emrin Monika Abrashi dhe ngjarja ka ndodhur në fshatin Vërdovë të Pogradecit. Bëhet e ditur se viktima është rrëmbyer nga ujërat e lumit në këtë fshat, teksa ajo ishte pranë banesës së saj. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, si pasojë e rritjes së nivelit të ujërave të lumit Vërdovë.

Ndërkohë kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupit të pa jetë të gruas së mbytur. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH ) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR)  për disa akse  rrugore kombëtare raportojnë për paraqitjen e vështirësive në kalimin e akseve kryesore në vend.

Raportohet se në qarkun e Vlorës gjatë gjithë natës dhe në këto momente ka reshje me intensitet të dendur në të gjithë qarkun. Gjithashtu edhe në qarqet Shkodër, Fier, Lezhë ka reshje të dendura të shiut.  Kujtojmë se reshjet e shiut filluan disa ditë më parë, ku intensiteti i lartë i tyre solli edhe përmbytjen e disa zonave në jug të Shqipërisë, të banesave, tokave bujqësore dhe bizneseve, ndërsa dhjetëra familje janë evakuuar nga banesat e tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button