Diskriminimi politik në Maqedoni, nuk denoncohet

Në komisionin shtetëror për mbrojtje nga diskriminimi në Maqedoni, gjatë vitit të kaluar janë pranuar 106 ankesa që kanë të bëjnë me diskriminim, duke shënuar kështu rritje për 30 raste në krahasim me një vit më parë, përkatësisht në vitin 2013, transmeton REL.

Dushko Minovski, kryetar i komisionit shtetëror për mbrojtje nga diskriminimi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se edhe kundrejt faktit se është në rritje numri i qytetarëve të cilët paraqesin rastet për të cilat konsiderojnë se janë shkelur të drejtat e njeriut, megjithatë pjesa më e madhe e qytetarëve të Maqedonisë, hezitojnë të denoncojnë rastet që kanë të bëjnë me diskriminimin politik.

Minovski ka shtuar se kjo situatë është si pasojë e mungesës së njohurive sa i përket cenimit të të drejtave të njeriut, njëkohësisht dhe mungesës së besimit ndaj organeve gjyqësore.

“Duhet të ngushtohet hapësira e të drejtës së diskrecionit për punëdhënësit gjatë përzgjedhjes së kandidatëve. Në formë ideale nuk mund të zgjidhen problemet që prekin këto çështje, por nëse në bazë të ligjit ngushtohet hapësira për keqpërdorim nga ana e punëdhënësit, kjo do të paraqiste një mekanizëm të suksesshëm për mbrojtje nga diskriminimi, veçanërisht mbi baza politike”, thekson Minovski.

Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, thotë se gjatë shumë hulumtimeve që ka bërë institucioni të cilin e drejton, është konstatuar presioni i vazhdueshëm nga ana e institucioneve, qofshin të pushtetit qendror apo lokal, ndaj të punësuarve.

Por, qytetarët e kanë shumë të vështirë të dëshmojnë se diskriminohen në vendin e punës në bazë të përkatësisë politike, edhe pse kjo çështje flitet shumë hapur, që nga organet e partive politike, deri tek institucionet shtetërore, të cilat aktualisht janë punëdhënësi kryesor në vend.

“Subjektet politike vite me rradhë nuk e fshehin të vërtetën që ka të bëjë me punësimin e aktivistëve partiak. Askush nuk mund të amnistohet ose të sillet me naivitet se nuk ka njohuri për prezencën e kësaj dukurie në Maqedoni”.

Ndërkohë, njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se qytetarët vështirë përcaktohen për të lajmëruar diskriminimin në bazë të përkatësisë politike, përkatësisht një numër i vogël i qytetarëve vendosin për të ngritur padi në gjykata.

“Duhet vetë qytetarët të organizohen për të vepruar bashkërisht, sepse të drejtat individuale nuk mund të mbrohen me suksesin e nevojshëm kur mbrohen në mënyrë individuale. Fatkeqësisht në Maqedoni nuk ka organizim të grupeve, përkatësisht të grupacioneve të ndryshme për të mbrojtur të drejtat individuale në formë kolektive”.

“Fatkeqësisht kjo bën që në këtë formë qytetarët ta ndihmojnë diskriminimin, duke e njohur vullnetin e gjyqësorit që është i prirur të mbrojë interesat e institucioneve shtetërore, përkatësisht bartësve të këtyre institucioneve”, thekson Bashkim Selmani, ligjërues në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Ndryshe edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, është theksuar si vërejtje punësimi i aktivistëve partiak në institucionet shtetërore.

Lajme të ngjashme

Back to top button