JU VRAFTË BUKA!

Tmerr! Askush nuk mund ta shpjegojë ikjen masive të shqiptarëve nga Kosova, braktisjen e vendlindjes, familjes, miqve, varreve stërgjyshore. Skenat janë tronditëse, të ngjashme vetëm me vakitë e eksodeve të vitit 1991 në portet shqiptare, vetëm me varganet e refugjatëve në vendet e djegura luftërash, si Kosova e djeshme, si Siria e sotme, si xhehenemët e kësaj bote. Imazhet janë të njëjtë. Strehimi i fatkëqinjëve në “parajsat” e premtuara gjithashtu, sepse për shqiptarët nuk ka tenda, nuk ka përkujdesje të njerëzishme, nuk ka kushte për të mbajtur higjienën. Janë siguruar ama shtalla të braktisura tip zëndanesh mesjetare me aromë kanc-llogoresh.

Gjithçka është kthyer kundër këtyre njerëzve të ngratë, të detyruar të shkulen vatrash dhe të enden udhëve qorre të botës. I tallin rjeteve sociale pinjollët e kabileve ministrore, kullerët me tru amebash, pronarët e kadillakëve dhe vilave të padjerësuara – shkaktarët e katrahurave kombëtare. Askush nuk pyet përse këta njerëz zgjedhin golgota vuajtjesh duke vënë në rrezik edhe jetën e fëmijëve të tyre.

Skena trishtuese stacioneve. Mizëri njerëzish palohen si sardina autobusëve që kanë trefishuar çmimin e buletave njëkahëshe dhe numrin e pasagjerëve që mund të transportohen me to. Në njërën anë britma të paartikuluara, ngutje, shtyerje, nervozizëm, përqafime të pafundme, lot pikëllimi, ofkëllima nënash, piskëllima foshnjash të pavetëdijshme për atë që ndodh realisht. Në anën tjetër rritje kapitalesh, palosje parashë të pista, gajasje matrapazësh, mercenarësh, xhelatësh…, që ekzekutojnë me kënaqësi urdhërat për shkuljen me rrënjë të etnisë së mbetur pa të zot, pa autoritet moral e politik, që mund t’i thotë STOP! zbrazjes së vatanit, shnderrimit të tij në shkretëtirë, sahara, tokë mera…, të nëpërkëmbshme nga i rrjepti e i shqepti.

Pjesë e kësaj dhembjeje janë vetëm njerëzit e thjeshtë, individët koshientë për pasojat e ekzodit të pakuptimtë. Të tillët sfidojnë me dëshpërim sindromin e vetëflijimit, qajnë dhe lusin të mos braktiset Kosova, përqafojnë engjëjt e vegjël dhe shajnë vozitësit e autobusëve, që pranojnë të jenë pjesë e turpit kombëtar, pjesë e pisllëkut që ka vendosur t’na zhvendosë nga boshti i natyrshëm, t’na avullojë udhëve të trasuara nga garashaninët, pashiqët, andriqët dhe mutsihanet shqipfolës.

A ka kush t’u mëshojë kambanave, heeej! Kosova po shterret prej djemsh e vashash të reja, po vdes ardhmërinë e saj shkaku i zgjebanikëve të politikave antikombëtare, shkaku i gabzherrëve të pangopshëm, shkaku i hajdutëve që mbi të gjitha çështjet vënë sefatë pa fund, lukset dhe zorrën e trashë.

Për 3-4 muaj Kosova ka humbur 3% të popullatës. Dhe kjo nuk është e tëra. Egsodi është ndërmarrje e kushtueshme për viktimat e tij. Janë dhe miliona dollarë që përpihen xhadeve serbe dhe dhiareve hungareze. Cfarë ironie! Udhëtimet njëkahëshe n’konserva sardinash me para të huazuara fatprerësh janë shumëfish më të shtrenjta se pushimet në brigje detëliqenesh. A ekzistojnë dëshmi më bindëse për shkallën e dhunës psikike e shpirtërore që finalizohet me pastrimin e heshtur etnik? Ku është qeveria e Kosovës, pushteti dhe opozita, analistët e sarajeve që dinë gjithçka po jo dhe shkakun e ikjes së rinisë së tyre. Ku janë baballarët e kombit të vetmjaftueshëm kosovar, mjeshtrit e copëzimit të trungut etnik, ministrat që betohen publikisht se kurrë nuk do të ndodhë bashkimi kombëtar, sikur dikush u dogj nga meraku pse e ngordhim pa arsye idenë e drejtë rilindëse, pa të cilën do të shuhemi në këste të padiktueshme. Kosova e çliruar me ndihmën e të tjerëve dhe e rrezikuar sot për varr nga bijtë e saj bukëshkelë është nisur kësaj udhe.

Rriqna të ndytë që thethini djersën dhe gjakun e etnisë fatkeqe, mjeshtër pisllëqesh dhe pjesëtarë kolonash të 5-ta, mercenarë që ia dolët ta vërtetoni tezën serbe mbi shqiptarët e paaftë për të udhëhequr shtet, pronarë pasurishë të vjedhura, gomerë që dilni pameritueshem n’krye të karvanit të deveve të përrallës, trutharë që hapni portat serbe për sikterisjen e shqiptarëve,  varrtarë që groposni ëndrrat e të gjallëve dhe idealet e breznive, maskarenj që e dhieni paturpësisht lirinë, ju që e përsëritni përsëritjen përsëri…, meritoni vetëm mallkime me shkul shpirti. Ju vraftë buka e popullit!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Inderuar te vegjëlit që të fitojnë imunitetin ndaj të gjitha të këqijave dhe rreziqeve që u kanosen nga jeta ,ata vakcinohen që nga lindja ,kurse të ,,mëdhenjtë” (prijësat tanë) imunitetin apo thjesht thënë mbrojtjen nga kjo e tëra që keni shkruar dhe shumë të tjera të bëra të tyre i bëjnë me veshjen e petkut të politikanit . Ndoshta tek veshi dhe syri i tyre mbërrijnë këto konstatime me vend por tek zemrat e tyre assesi .

Back to top button