Klubi Elita reagon: Izet Mexhiti dërgoi njerëz ti thyejnë dyert tona (VIDEO)

Shoqata Qytetare “Klubi Elita” – Shkup reagon ashpër për qasjen e dhunshme e brutale të zyrtarëve të Komunës së Çairit, të prirë nga Rami Qerimi dhe Ejup Ademi – të urdhëruar nga Izet Mexhiti, si dhe me asistencë të zyrtarit të lartë të policisë, Driton Memeti, të cilët sot (e enjte – 05.02.2015) pa asnjë arsyetim juridik, duke i shkelë të gjitha marrëveshjet që vetë kryetari i Komunës së Çairit i ka nënshkruar me Klubin Elita, kanë ndërhyrë duke e uzurpuar objektin publik që tash është në shfrytëzim nga Klubit Elita.

Megjithëse në bazë të dokumentacionit dhe marrëveshjeve me Komunën e Çairit shihet qartë se Klubi Elita ka të drejtë që deri më 01.05.2017 ta shfrytëzojë objektin në fjalë, ndërsa për çdo mosmarrëveshje eventuale kompetenete është Gjykata e Shkupit, përsëri në mënyrë të dhunshme dhe, aq më shumë, në prani të policisë, ata i thyen me forcë drynat dhe kështu dhunshëm e morën në dorë objektin që ligjërisht i përket shoqatës “Klubi Elita”.

Duke u ndjerë plotësisht të pambrojtur nga këta dhunues të rendit dhe të pronës publike, por edhe nga ata që e kanë për obligim të kujdesen për rendin dhe sigurinë publike – në këtë rast policia, shpresa e fundit ka ngelur te organet më të larta të drejtësisë dhe sigurisë. Nëse as ata nuk ndërmarrin asgjë, atëherë e vetmja mbrojtje do të mbetet OSBE-ja dhe faktori tjetër ndërkombëtar, sepse në këso kushte të diktaturës kemi drojë edhe për sigurinë tonë personale dhe të familjeve tona. Madje, pas kërcënimeve personale që sot i kemi marrë për jetën e aktivistëve tanë, kemi drojë serioze se çfarë mund të ndodhë ditëve në vijim.

Pas kësaj nuk na ka mbetur asgjë, pos të konstatojmë se Komuna e Çairit tashmë është bërë një vend i rrezikshëm për sigurinë e qytetarëve, një çerdhe e vagabondëve të veshur me petk zyrtar, të cilët i uzurpojnë detyrat zyrtare për të ushtruar dhunë ndaj qytetarëve dhe në veçanti ndaj sektorit civil, që është vlerë e secilës shoqëri demokratike, por jo edhe për komunën tashmë staliniste të Çairit.

Dëshmi për këtë dhunë janë edhe fotot dhe video-materialet vijuese, që e ilustrojnë më së miri këtë ndërhyrje, thuhet në fund të reagimit të Klubit Elita.

Lajme të ngjashme

Back to top button