Çka pa Liza në botën e çudirave?!

E premte, ora 18 do të jetë ora e të vërtetës mesa kuptoj nga cka lexoj dhe dëgjoj sot në ato mediume që guxojnë të flasin shtruar. Në këtë orë do të shpërthejë “bomba”. Disa analistë kolegë të mij kanë një kohë të gjatë që po flasin për këtë “bombën”, jo ngase dijnë dicka më shumë se unë e se ti për përmbajtjen e kësaj “bombe”, por ngase ju pëlqen termini “bombë”. Edhe se ju pëlqen të fusin hundët kahmos, ashtu sic bëjnë analistët e këtyre viseve. Vetë fjala është e madhe: “bombë”. “B”-ja e parë duhet shqiptuar fortë, për të kuptuar përmasën e frikës që ka ngjallur kjo orëe që duket sikur po e tmerron pushtetin. Ndoshta zgjedhja e fjalës është bërë pakujdes nga mjeshtrit spinues të opozitës, sepse në këtë botë të rrezikuar nga terrorizmi, të luash me frikën e njerëzve nuk është punë e paqtë. Megjithatë, ata që e kanë gatitur këtë “bombë” duhet ta kenë menduar mirë edhe efektin që ka vetë fjala. Mund ta paramendoni reagimin e ambasadorëve të huaj, atij amerikan, francez, spanjoll, britanik dhe izraelit, se ç’tërqethje duhet të ndjejnë mbi shpinat e tyre kur e dëgjojnë fjalën “bombë”. Realisht, kurrë më parë një pres konferencë e opozitës nuk është pritur me kaq shumë ëndje, dëshirë dhe pasiguri sa ajo që pritet të jepet në ora 18. A thua vallë, cka do të thuhet?!

Po unë vëmendjen dua ta coj gjetiu sot, se do të ketë kohë për të analizuar pres konferencën e orës 18. Bile do të kemi material të mjaftueshëm ne kolumnistët, për të shkruar me muaj të tërë. Do t’jua plasim sytë e veshët, sepse do të degjoni varijanta analitike nga më të ndryshmet lidhur me “bombën”. Prandaj unë nuk dua të hyj e të merrem me parashikimin e gjithë asaj që pritet të ndodh nesër. Nëse Gruevski dhe shërbimet e shtetit nuk janë në gjendje ta cmontojnë këtë bombë përpara se të plasën, kush jam unë e kush mund të jetë ndonjë analist tjetër për ta bërë këtë.

Është një bombë tjetër që na kanoset për të na lënë pa frymë fare. Ndotja e tmerrshme e ajrit. Është një thënie që e kam lexuar para do kohësh në facebook. Thotë: Shkupi është qytet i mrekullueshëm, shofish se cka thithish! Domethënë përvec mbindërtimit, statujave, përmendoreve, barokut, anijeve të piratëve mbi lum, mrekullia më e madhe e Shkupit është kjo, që e sheh ajrin të cilin e thith. Magjike. Mos të flas për Tetovën, ku besoj ajri edhe mund të hahet, aq i dendur që është nga ndotja. Lene që Tetova nuk ka as përmendore, as anije piratësh. Por ka një mrekulli tjetër të shekullit të XXI, fabrikën e Jugohromit. Edhe edhe një ndër investimet e huaja të suksesshme në Maqedoni. Industri e rëndë, e fëlliqët, e vendosur në vend të banuar, me filtra të vjetërruar që i përkasin një kohe të vdekur. Ndërkaq në hyrje të qytetit, si në librat e Stephen King-ut të mirëpret një billbord i madh me mbishrimin: Mirëseerdhën në qytetin më të ndotur të Evropës! Ah, çfarë mikpritje e sinqertë…

Njejtë si në Shkup, edhe në Tetovë zyrtarët heshtin e rrijnë duarkryq. Jo se nuk kanë fuqi, por sepse nuk kanë ide dhe kreativitet për ta ballafaquar një problem të madh që po na merr shpirtin dhe lirinë dita ditës. Kreativiteti i tyre mbytet nëpër kafenetë e çajtoret e çarshisë, duke u mbytur nën tymin e cigares, se kuvendimet bëhen më mirë dhe më seriozisht me pak duhan e pak çaj a makiato.

Të vjen të vjellesh nga i keqi. Ashtu si të vjen të vjellesh nga ajri i papastër, që të mbyt laringun dhe mushkëritë. Pale pastaj dalin këta të kafeneve dhe çajtoreve e na shesin “pordha” sikur fajin e ka natyra për ndotjen, pozita gjeografike e Shkupit dhe Tetovës. Sikur natyra është ajo që prodhon tërë ato grimca të dëmshme karbonike e smog. Është moskompetenca e juaj dhe neglizhenca dhe dembelizmi jonë si popull që po na afron fundin. Zgjidhjet e këtij problemi janë para syve tuaj. Nëse nuk i shihni, o politikanë çajtoresh, ja po ju jap unë, si ekonomist por edhe si entuziast disa ide, nisni prej diku.

E para, sillni urdhëresa që të gjitha fabrikat e vendit të instalojnë filtra moderne që do të ulin emisionin e gazrave serrë. E dyta, ndaloni importin e veturave të vjetërruara, ndaloni regjistrimin e veturave që janë importuar këto vitet e fundit. Veturat të cilat nuk plotësojnë standardet EURO3 të mos voziten. E treta, rregulloni transportin urban duke e modernizuar atë dhe duke e bërë më të gjelbërt. Largoni nga qarkullimi autobuzat, investoni në tramvaje. E katërta, caktoni ditë të gjelbërta, në të cilat do të reduktoni qarkullimin e veturave dhe emisionin e gazrave serrë nga fabrikat e industrisë së rëndë. E pesta, urdhëroni reduktimin e përdorimit të pesticideve në prodhimin e ushqimit bujqësor dhe blegtor. Ushqeni popullatën tuaj në mënyrë BIO.

Nëse ka nevojë, nëse këto pesë udhëzimet e mia nuk mjaftojnë, dhe ju politikanë kërkoni elaborim të mëtutjeshëm të tyre, mund ta bëj edhe një shkrim të ardhshëm në këtë temë, më të detajuar. Do të më gëzonte shumë fakti që ju të kërkoni ndihmën e një ekonomisti entuziast ndaj jeshiles.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button