Komuna Qendër akuzon Ministrinë e Transportit për shitje të truallit

Komuna Qendër reagon ndaj shitjes së një trualli atraktiv tek stadiumi i Qytetit për vetëm 40 euro metri katror. Kryetari i kësaj komune Andrej Zhernovski kritikoi qasjen e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve e cila nuk ia dha këtë tokë komunës së tij për menaxhim, por ia shiti një kompanie me çmim qesharak.

“Një vit të tërë heshtje nga Qeveria rreth kësaj çështje. Përgjigja tani është shumë e qartë dhe qëndron pas nesh. Duam të informojmë publikun se dje, ata që e quajnë veten patriotë dhe nikoqirë, vendosën që këtë parcelë afër Stadiumit të Qytetit me mbi 14 mijë metra katrore, ta shesin për 40 euro metri katrorë, e besoni apo jo. 40 euro për një parcelë atraktive si kjo! Më interesante është se në kumtesën e Ministrisë thuhet se po shitet edhe një truall tjetër atraktiv në qendrën sportivo-rekreative “Kalaja”, por atje çmimi fillestar është 100 euro për metër katror. Këtu 40, atje 100!,” deklaroi Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.

I menjëhershëm ishte reagimi me shkrim i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, e cila i vlerësoi akuzat e Zhernovskit si manipulim të opinionin dhe shtrembërim të transparencës së procesit. Sipas Ministrisë, procedura e shitjes është realizuar në përputhje me ligjet.

“Të  gjithë personat fizikë dhe juridikë, vendorë dhe të jashtëm kanë pasur të drejtë të merrnin pjesë në ankand, ku çmimi fillestar për parcelën ishte 2200 denarë metri katrorë. Në ankand u paraqit vetëm një kompani, “SIS Ballkan DOO Shkup” themeluese të së cilës janë Sergej Borisoviç Samsonenko dhe Irina Vlladimirovna Samsonenko. Çmimi që është arritur në ankand është 2420 denarë për metër katrorë, gjegjësisht 34 milion e 122 mijë denarë, apo më shumë se gjysmë milioni euro. 40% e këtyre parave do të përfundojnë pikërisht në buxhetin e Komunës “Qendër”, 40% në atë të Qytetit të Shkupit, dhe 20% në buxhetin e shtetit. Pra, Komuna përfiton 220 mijë euro”, thuhet me njoftimin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Ministria e Transportit i bëri thirrje kryetarit të Komunës Qendër Andrej Zhernovski që të shpalosë se çfarë shkeljesh ligjore ka bërë Ministria gjatë procesit. Por në një tjetër kundër-reagim, Zhernovski përsëriti kërkesën që ministria ta kthejë truallin në pronësi të komunës/ alsat-m

Lajme të ngjashme

Back to top button