Besimi: Zgjidhja më e mirë është negociata paralele me BE­në dhe Greqinë

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë i obliguar për Integrime Evropiane, Fatmir Besimi, në ligjëratën e Universitetit, Xhons Hopkins në Uashington, tha se zgjidhja më e mirë e bllokimit të integrimeve euro­atlantike është që Maqedonisë t’i mundësohet që në mënyrë paralele t’i udhëheq negociatat me Bashkimin Evropian dhe bisedimet me Greqinë për kontestin për emrin, si dhe të përcaktohet afat kohor për zgjidhjen e kontestit me Greqinë, Besimi është në SHBA si pjesë e delegacionit të Maqedonisë i cili merr pjesë në mëngjesin tradicional të lutjeve.

“Besoj se ka mënyrë për zgjidhjen e kontestit për emrin. Duhet ta përforcojmë punën në shtëpi në Maqedoni dhe me politikanët grekë në Greqi. Partnerët dhe miqtë tanë nga bashkësia ndërkombëtare duhet të ndihmojnë në këtë proces. Kjo është mënyra, pasi që pa zgjidhje, pa pranimin e rajonit në NATO dhe BE edhe Greqia nuk do të ketë dobi. Greqia mund ta ndërmarrë rolin e liderit në rajon për procesin e integrimit të Ballkanit. Ky do të jetë skenar fitimprurës për të dyja palët”, e transmetoi RTVM deklaratën e Besimit në ligjëratën në universitetin Xhons Hopkins.

Në pyetjet e ekspertëve dhe profesorëve amerikanë se sa është reale perspektiva për eurointegrimet e Maqedonisë, zëvendëskryeministri Besimi është përgjigjur se Maqedonia është e gatshme t’i fillojë negociatat me Bashkimin Evropian dhe ka shtuar se prolongimi për shkak të bllokadës së Greqisë edhe pas gjashtë rekomandimeve nga ana e Bashkimit Evropian nuk është i mirë për stabilizimin e rajonit duke e përfshirë edhe fqinjin tonë jugor. “Anëtarësimi në NATO dhe në BE është investim”, ka deklaruar Besimi.

Besimi njëherësh ka vlerësuar se zbatimi i reformave të nevojshme për afrimin drejt BE­së është penguar edhe për shkak të bojkotimit në Kuvend të LSDM­së opozitare. Besimi ka përkujtuar se kryetari i Këshillit për eurointegrime zakonisht zgjidhet nga radhët e deputetëve të opozitës.

Lajme të ngjashme

Back to top button