Enigma vazhdon: A do të kompensohen shtesat e pa paguara për fëmijën e tretë?

Shtesat për fëmijën e tretë për muajin dhjetor u shpërndanë atyre të cilët plotësojnë kushtet dhe plotësojnë dokumentacionin e duhur, mirëpo se a do të paguhen tetë muajt për të cilët shumica e familjeve shqiptare nuk i kanë marrë këto para, është pikëpyetje e madhe?!

Askush nuk i përgjigjet pyetjes se çfarë ndodhi me të hollat të cilat në disa komunë nuk u ndanë familjeve për tetë muaj radhazi për vitin 2014. Megjithatë, burime të Portalb-it pranë Ministrisë së financave bënë të ditur se ato të holla që nuk janë marrë nga familjarët për arsye të ndryshme, nuk do të kompensohen.

Familjari Kadri Limani bën të ditur për Portalb se disa herë ka pyetur dhe është interesuar po ende nuk ka marrë asnjë përgjigje lidhur me këtë çështje.

“Unë jetoj në komunën e Çairit, dhe nga janari i vitit të kaluar e deri në gusht ne nuk kemi marrë asnjë denarë nga shtesat për fëmijën e tretë. Thonë se gabim është te numrat e xhirollogarisë, por si mund që në të njëjtat numra nga shtatori e këndej të lëshohen mjete. Nuk janë para të vogla nga 8 mijë denarë në muaj, për tetë muaj kap shumën e 64 mijë denarëve”, tha Limani.

Nga zyra në Komunën e Çairit e cila ndan shtesat për banorët e kësaj komunë, thonë se janë në nivel shtetëror dhe se për çdo gjë duhet të bisedohet dhe të merret informacion në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS).

Kurse nga MPPS thonë se paratë janë lëshuar rregullisht gjatë vitit që lamë pas dhe nuk dhanë përgjigje se çfarë ndodhi me ato para të cilat nuk u shpërndanë, të cilat i presin familjarët me muaj të tërë.

“Shtesat për fëmijën e tretë janë lëshuar rregullisht dhe çdo muaj gjatë vitit që lamë pas. Ata të cilët nuk i kanë marrë ato të paraqiten në ministri për çdo ankesë, vonesë apo mos marrje të këtyre mjeteve”, tha, Marijan Gijovski, zëdhënës i MPPS.

Ai po ashtu nuk u përgjigj edhe pyetjes së Portalb, se në cilat komuna ka më së shumti ankesa lidhur me mos pagesën e shtesës.

Sipas informacioneve të Portalb, situatë e njëjtë mbisundon edhe në komunën e Sarajit, ku shumë banor nuk u janë lëshuar mjetet mirëpo u janë premtuar se ato do të kompensohen dhe për këtë arsye refuzojnë të flasin.

Limani po ashtu thotë se ka disa familjarë në komunën e Aerodromit dhe atë të Karposhit, dhe ata kanë marrë shtesat çdo muaj pa vonesë.

“Kemi familjarë në disa komuna maqedonase, në atë të Aerodromit dhe të Karposhit, të cilët kanë marrë rregullisht shtesat për fëmijën e tretë dhe nuk kanë pasur asnjë problem. Nuk dimë çka të bëjmë jemi shumë familje në komunën e Çairit në situatën e njëjtë. Nëse në të ardhmen e shpejtë këto para nuk na kompensohen, do mendojmë mundësinë për të paditur ministrinë dhe të kërkojmë të drejtat tona që na takojnë me ligj”, tha Limani.

Po ashtu edhe Avdulla Sherifi nuk ka marrë shtesat për fëmijën e tretë, ndryshe nga Limani, ai ka filluar t’i merr paratë që nga muaji gusht.

“Është e vërtetë që ka vonesa me këto pagesa. Unë deri në qershor skam marrë, pagesën e korrikut e kam marr në gusht dhe kështu me radhë. Mirëpo nuk kemi njohuri se a do të na paguajnë. Ishim në komunën e Çairit për tu ankuar, sepse unë së bashku me 15 shokët e mijë që jetojmë në lagjen e Dizhonit, nuk kemi marrë këto shtesa. Nga komuna na thonë që nuk ka të holla. Nuk e di se çka do të ndodh me ato para. Janë mbledhur shumë, ne jemi pa punë. Unë jam vetë i pesti me familje dhe jam mbushur borxhe. Me ato të holla shtynim muajin. Kjo është vjedhje”, tha Sherifi për Portalb.

Lajme të ngjashme

Back to top button