Ukrainë, përshkallëzohet situata, bombardohet spitali në Donjeck

Situata në Ukrainën lindore është përshkallëzuar sërish me episode të reja dhune dhe viktima.

Të paktën 4 vetë raportohen të kenë humbur jetën nga goditja me mortaja e një spitali në qytetin e Donjeckut, të kontrolluar prej rebelëve. Nga sa pohojnë autoritetet vendore, pjesa më e madhe e atyre që u vranë ndodheshin jashtë ndërtesës.

Ka të dhëna ende të pakonfirmuara se numri i vdekjeve është edhe më i madh se kaq. Vala e dhunës është shtuar këto javët e fundit në rajonet lindore të munduara nga konflikti, ku separatistët prorusë duket se janë në epërsi me marrjen e territoreve të tjera nga duart e forcave qeveritare në Donjeck, përfshirë aeroportin e qytetit.

Një ditë më parë, nga luftimet mes trupave të Kievit dhe mbështetësve të Moskës gjetën vdekjen 8 civilë. Në mësymjet e 24 orëve më parë, edhe 22 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Përplasje të armatosura janë shënuar pa reshtur, që prej dështimit të bisedimeve për armëpushim të shtunën. Në mesin e këtij përkeqësimi të beftë të situatës, zërave që bëjnë thirrje për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut iu shtua edhe ai i Papa Françeskut. Nga Vatikani, Ati i Shenjtë deklaroi se ajo që po ndodh në Ukrainë është një luftë mes të krishterësh.

“Situata, fatkeqësisht po shkon drejt përkeqësimit dhe e njëjta gjë është duke ndodhur edhe me pozicionimin e palëve të përfshira në konflikt. Unë do të vazhdoj ta përsëris mesazhin tim për rifillimin e dialogut, si rruga e vetme që do ta çojë këtë vend të martirizuar drejt paqes”, tha Papa Françesku.

Shqetësimet janë se dhuna mund të përshkallëzohet edhe më tej, çka e la qartë të kuptohet edhe njoftimi i një lideri rebel për “mobilizim të përgjithshëm”, qëllimi i të cilit është fuqizimi i forcave separatiste me rreth 100 mijë luftëtarë të tjerë. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button