Sinkronizimi i ndërkëmbëzave

 Ka ardhur koha që ta zhveshim realitetin tonë nga miti i bashkëjetesës. Jemi shumë, shumë mbrapa këtij realiteti. BFI në RM, përmes Programit STOP RedTerr po përpiqet të hedh hapa konkret, ndërsa ndërkëmbëzat po i ndjejmë në çdo hap. Falë Zotit, fuqishëm po na mbajnë ndërkombëtarët, sepse jemi në përputhje të plotë me angazhimin e tyre për vlerat perëndimore.

Kah mesi i muajit janar Bashkësia Fetare Islame në RM e publikoi Projektin e vet më titull STOP radikalizmit dhe terrorizmit.  Projekti synon të kontribuojë në rruajtjen e paqes dhe sigurisë njerëzore në të tre rrafshet, në vend, rajon dhe botë nëpërmjet aktiviteteve që do të parandalojnë radikalizmin dhe përfshirjen në terrorizëm. Strategjia e projektit përfshin ndërgjegjësim publik rreth Islamit të vërtetë dhe kauzës jo të drejtë të luftës në Irak e Siri që bëhet duke propaganduar “Islamin” e shtrembëruar; përmirësimin e të kuptuarit rreth Islamit të drejtë për popullatën e besimeve të tjera fetare në Maqedoni si dhe, çka është më e rëndësishme, reduktimin e barrierave sociale që çojnë në diskriminim dhe margjinalizim grupe të tëra të popullsisë, duke krijuar në këtë mënyrë mundësia të rritura për anëtarët e këtyre grupeve për t’u radikalizuar e përfshirë në vatrat e luftës.

Fillimisht, Projekti iu dorëzua faktorëve relevant të vendit, pastaj korit diplomatik në RM dhe në fund mbarë opinionit duke e publikuar në tërësi. Kjo ndarje me të gjithë aktorët u bë me qëllim krijimin e një fondi të përbashkët nga gjithë donatorët për të krijuar mundësinë e zbatimin të projektit.

Cilët janë përshtypjet e para nga reagimi i faktorëve të vendit dhe ai ndërkombëtar? Qëndrimi i ndërkombëtarëve si dhe i faktorit nga blloku mysliman ishte befasues. Pjesa dërmuese u radhitën në anën tonë duke na përkrahur dhe motivuar në realizim të projektit. Kurse, nga reagimi i medieve të kontrolluara maqedonase shpërtheu një propagandë e furishme kundër projektit, reagim ky që nxori në pah frustracionet dhe dëshirën e flaktë për një përkeqësim sa më të thellë dhe sa më të përhershme në mesin e myslimanëve të vendit. Duke u përpjekur për ta devalvuar që në fillim Programin e BFI-së, në fakt përcollën një mesazh për një angazhim të përgjithshëm të faktorëve të ndryshëm për t’i nxjerrë myslimanët e vendit si element i cili e ka për nder çekanin mbi kokë! Kjo urrejtje dhe kjo energji negative jo vetëm që flet për një ngarkesë antiislame por flet edhe për një angazhim për rrënimin e urave për bashkëjetesë dhe për një getoizim tipik për një shoqëri raciste.

Përpjekjet për ta devalvuar këtë Projekt shkuan prej keqinterpretimit të qëllimshëm, prej margjinalizimit të projekteve imediate duke u përqendruar vetëm në komponentin e katërt për të cilën që në fillim thuhet se ngelet në tentativë, dhe deri te përpjekja për ta identifikuar Projektin me ndonjëfarë “projekti të Arabisë Saudite”! Po pse pikërisht me atë të Arabisë Saudite? Një shtet nuk merret me projekte të denja për ojq-të si dhe për institucione komunitetesh, por merret me programe nacionale që mbështeten në strategji kombëtare e shtetërore afatgjatë. Ky qëllim për fund ka dy synime: talljen me kapacitetet shtetërore të Arabisë Saudite si dhe talljen me një projekt që del nga një institucion islam por që adreson problematika të mprehta sociale që ndikojnë në paqe dhe sigurinë njerëzore.

Fatkeqësisht, gazetarët e kontrolluar dhe të dirigjuar kësaj radhe u zhveshën tërësisht nga ndjenja njerëzore të cilën gjithsesi që e posedojnë por që, për një interes meskin politik, e flakën tëhu. Dert i madh i tyre u bë se si mundet që “terroristët islamik” të paguhen me buxhetin e shtetit, të punësohen dhe të paguhen nga ky buxhet. Dert mbi dertet iu bënë edhe sugjerimet e projekteve tona për risocializimin dhe riintegrimin e individëve që do të kthehen (nëse do të kthehen ndonjëherë!!!) nga vatrat e luftës në Irak dhe Siri, punësimin e tyre nëpër firma zanatçinjsh (berberë, marangozë, furrxhinj, artizanate etj.). E në fakt, Projekti konkret nuk e përfshinë këtë komponent, por në programe riintegrimi socio-ekonomik të ish-luftëtarëve mbetet pjesë integrale e tyre.

Nëse analizohet  ky Projekt, do të vërehet fare lehtë se ky komponent (komponenti i katërt: Asistimi i ish-pjesëmarrësve për t’u bërë anëtar produktiv të komuniteteve të tyre nëpërmjet shfrytëzimit të potencialeve që ata kanë për rehabilitim social dhe ekonomik) mbetet në tentativë. Ky komponent veç sa citohet në Projekt, dhe  as nuk zbërthehet në detaje, dhe si rrjedhim nuk përfshihet në buxhet.  Por është përfshirë në Projekt si një aktivitet në të ardhmen që duhet adresuar nga aktorët që punojnë në riintergimin social ekonomik të ish-luftëtarëve. Pra, përmendja e këtij komponenti, është bërë me qëllim për të treguar tablonë e plotë të përpjekjeve që duhen investuar nëse duam një jetë të paqtë e komunitete të shëndetshme. Dhe, kjo nuk është shpikja jonë, janë programe që hartohen e zbatohen në botën mbarë, si strategjia e duhur për ruajtjen e paqes e sigurisë.

Por, ja, ta lëmë edhe literaturën dhe strategjitë zhvillimore e t’i qasemi këtij komponenti praktikisht si qytetar të thjeshtë. Ata që janë bashkuar me forcat terroriste në luftë në Irak e Siri, në dorën tonë apo jo, ata do të kthehen një ditë pranë familjeve. Nuk dihet kur do të kthehen, sa do të kthehen dhe a do të kthehet ndonjë a jo. Bashkësia Fetare Islame në RM për mercenarët e tillë ka përkrahur ligjin e shtetit i cili i sanksionon të gjithë ata që do të marrin pjesë nëpër luftërat e huaja. Ndaj dhe, BFI, nuk mund të jetë kundër sanksionimit ligjor të tyre. Por, çka më pastaj, çka do të behet me të tillët derisa do ta vuajnë burgun prej pesë vjet dhe çka pas vuajtjes së dënimit? Çka nëse numri i atyre që do të kthehet do të jetë, për shembull, mbi 100! Në dorë të kujt do të lihen ata njerëz të traumatizuar, të frustruar dhe psiqikisht të destabilizuar. Hajri i cilës shoqëri do të jenë individët e tillë? Për hir të jetës së sigurt të brezave në të ardhmen na duhet që tani të punojmë për këtë. Pa dyshim që, shteti nuk mendon siç mendojnë disa pseudogazetarë që mundohen të bëjnë karrierë duke e sulmuar vazhdimisht BFI-në dhe islamin e vendit. Të gjithë burgjet e vendit, të stërngarkuar me vrasës, dhunues e përdhunues, me hajna e të burgosurish politikë, pra, të gjithë këta mbahen dhe trajtohen nga buxheti i shtetit. Të gjitha burgjet, pa dyshim, që të gjitha zbatojnë programe të ndryshme duke i përgatitur të burgosurit për risocializim dhe riintegrim të tyre. Nëpër burgjet tona s’do mend se ka dhjetë fish më tepër kriminelë e vrasës se sa mund të jenë myslimanë nga Maqedonia nëpër ato fronte lufte në Irak e Siri. Të burgosurit nëpër burgjet tona mësojnë zanate të ndryshme, riparues të divaneve, marangozë, automekanikë, autoelektricistë, furrtarë, kuzhinierë, berberë, muratorë, suvatues etj.

Ligjet gjithnjë janë të ndryshueshme, pra, janë të përkohshëm. Çka mund të ndodhë nëse një ditë, bëhet një font i gjerë aleatësh në të cilën përfshihet edhe Maqedonia dhe, në këtë aleancë aderojnë edhe dezertorët nga radhët e ISIS-it me garancinë e një amnistie të tyre nga organet e shtetit prej nga vijnë? Amnistia nuk është diçka abstrakte, diçka e pamundshme! Nga ana tjetër, çka nëse edhe shoqëria jonë do të përballet me fenomenin e “ikjes familjare” në front? Çka nëse pas mercenarit shkojnë edhe bashkëshortja dhe fëmijët e vegjël, foshnjat! Çka thotë ligji ekzistues për ta? Nëse kthehen një ditë, vallë të gjithë do të përfundojnë në burg, edhe foshnjat apo fëmijët 5, 6. 7… 10-15 vjeçar? Këta anëtarë të familjes, megjithatë do të kthehen prej vendeve të përzhitura nga flaka e baruti, do të kthehen shpirtërisht të vrarë, të traumatizuar. Kush do të ishte më kriminelë: këta fatgjorë që presin ndihmën e shoqërisë, apo shoqëria që i margjinalizon duke i stigmatizuar barbarisht!

Pra, përqendrimi i vëmendjes vetëm te Komponenti i katërt, veç i cituar në Projekt, i cili mbetet në tentativë dhe që mëton t’i ngre vlerat humane të një shoqërie, talljet dhe përçmimet që i bëhen këtij komponenti, është i qëllimtë, dhe, përmes talljes dhe përçmimit të saj, synohet devalvimi i tërë projektit, anashkalimi i një game të gjerë aktivitetesh të të gjitha strukturave vendore, shtetërore, akademike e fetare, të cilat përfshihen në të tri komponentët e parë që synojnë ndërgjegjësim, promovim të përfshirjes sociale dhe asistencë psiko-sociale për gra e fëmijë të shtresave më (të ndjeshme) vulnerabël të shoqërisë.

Ç’të keqe ka nëse angazhohemi të gjithë strukturat fetare (myslimanë e krishterë, hebrenj e protestantë), që përmes kontakteve me mediet, përmes konferencave të ndryshme, përmes takimeve me strukturat e institucioneve qendrore e lokale duke i promovuar vlerat e mirëfillta fetare, të ndikojmë në përdorimin e saktë të terminologjisë fetare, e cila, kohëve të fundit shpreh vetëm urrejtje dhe përçmim kundër islamit. Për shembull, BFI-ja dhe të gjithë teologët myslimanë të vendit vlerësojnë se ata që kanë ikur në vatrat e luftërave në Irak e Siri janë mercenarë e kriminelë, ndërsa shumë gazetarë tendenciozë të tillët i quajnë muxhahedinë dhe të rënët shehidë! Tani, shtrohet pyetja, kush është më kompetenti për të dhënë kualifikime të sakta, studiuesit e islamit apo ateistët, apo ata që nuk kanë lidhje me islamin (për të mos thënë armiqtë e islamit)! Krimineli mund të ketë parti, ideologji, por kurrë fe. Në asnjë fe qiellore nuk ka vend për kriminelët, për terroristët. Prej nga atëherë “terroristët islamik”, “radikalët islamikë” etj? Unë një herë kam thënë: nuk është mysliman i sinqertë ai që kualifikon “terroristët krishterë” apo “krishterimi radikal”! Pra, si asnjë shtet tjetër, përdorimi i kujdesshëm i terminologjisë fetare më së shumti i duhet Maqedonisë. Pikërisht për këtë kujdesen projektet e përfshira në komponentin e dytë të Projektit.

Dhe, deri sa të na kthehen mercenarët e manipuluar, a nuk bën që të përkujdesemi edhe për destigmatizimin e familjarëve, të fëmijëve, të grave, të nënave, të motrave të atyre që tashmë janë në fronte të pakuptimta në Irak e në Siri! A nuk bën që përmes formave të ndryshme t’u shtrihet dora e ndihmës, të punohet me të gjithë ata që stigmatizojnë pa kuptim dhe pa kurrfarë të drejte. Ky aktivitet njerëzor përfshihet në komponentin e tretë.

Shoqëria jonë ka shumë punë. Ka ardhur koha që ta zhveshim realitetin tonë nga miti i bashkëjetesës. Jemi shumë, shumë mbrapa këtij realiteti. Bashkësia Fetare Islame në RM, përmes këtij Projekti po përpiqet të hedh hapa konkrete, ndërsa ndërkëmbëzat po i ndjejmë në çdo hap. Falë Zotit, fuqishëm po na mbajnë ndërkombëtarët, sepse jemi në përputhje të plotë me angazhimet dhe me synimet e tyre për t’i ruajtur dhe kultivuar vlerat tepër të çmueshme perëndimore.    

(Autori është kryetar i BFI në RM)

Lajme të ngjashme

Back to top button