Në Maqedoni s’ka barazi sociale

Sipas statistikave, fenomeni i pabarazisë ka qenë dhe është evident në vendit tonë. Maqedonia ka nivelin më të ulët të pagesave sociale dhe më gjerë në regjion, për dallim nga shtetet fqinje, si Shqipëria, Kosova, Greqia etj. “Maqedonia, vendi me pabarazi sociale”, ishte tema që u diskutua në konferencës e së martës, të organizuar nga Shoqata “8 Shtatori”. Paneli ishte i përfaqësuar nga organizatorët: Xhelal Hoxhiq, Milla Carovska dhe Nade Naumovska, shkruan Koha.

“Nuk është e arsyeshme që me 22 denarë në ditë të mbijetojë një anëtar i familjes. Kjo është matematikë e zhdrejtë e Qeverisë”, tha Hoxhiq. Ai shtoi se nga Qeveria kanë kërkuar të hiqen taksat për qytetarët me vështirësi ekonomike, por akoma nuk kanë marrë përgjigje. Prandaj, shtoi ai, do të përqendrohemi në këtë çështje te komunat e rajonit. Nga ana tjetër, Milla Carovska prezantoi temën “Kualiteti i jetës”, duke u bazuar në të dhënat nga statistika e institucioneve përkatëse. Ajo tregoi se 31 për qind nën moshën 18 vjeçare jetojnë në varfëri, ndërsa 22 për qind e të varfërve janë mbi këtë moshë.

“Këto shifra tregojnë se nuk funksionon diçka në këtë shtet. Çdo vit kemi rritje të varfërisë. Shporta familjare ka mungesë të ushqimit, edhe nëse një punëtor punon më shumë se 8 orë në ditë. Pothuaj 40 për qind e popullatës s’mund t’i paguajnë taksat komunale. Këto janë statistika relevante që flasin edhe për BPV e ulët”, tha Carovska, e cila informoi se tre muajt e fundit madje nuk është paguar ndihma sociale.

Carovska gjithashtu nxori në pah problemet e Maqedonisë, të cilat ndikojnë në mungesën e një strategjie për minimizimin e varfërisë, shërbimeve kualitative, përfshirjes së indikatorëve në tregun e punës etj. Kualiteti i jetës, tha ajo, përmirësohet vetëm me minimizimin r varfërisë.

“Në Maqedoni nuk ka institucione përkatëse për mbrojtjen sociale. Është themeluar grup për bashkëpunim me shoqatat dhe profesorë që merren me këtë problematikë, që t’i japin përgjigje pyetjes se cila qeveri do të jetë ajo që do ta zvogëlojë varfërinë”, tha Nade Naumovska. Në dokumentarin e Xhelal Hoxhiq, siç u pa, ishin intervistuar qytetarët e vendit me ekonomi të dobët, që shfrytëzojnë ndihmë sociale më pak se 2800 denarë. Kjo shumë nuk arrin t’i mbulojë taksat komunale, shërbimet shëndetësore, shkollimin e fëmijëve.

Nga varfëria në Maqedoni janë prekur shtresat e maqedonasve, shqiptarëve dhe më shumë romët. Statistikat tregojnë se nga 7-8 muaj vonohen pagesat e taksave komunale, sepse parashtrohet pyetja: Si mund të jetohet me 22 denarë në ditë për  një anëtar të familjes?  Në këtë panel u konstatua se këtu çdo ditë të varfrit bëhen më të varfër, të pasurit më të pasur”!

Lajme të ngjashme

Back to top button