DEMOKRATIZIM APO DEMORALIZIM

Një opinionist i përkufizoi proceset në vendet post-komuniste si vijon: demoralizim në vend të demokratizimit dhe tajkunizim në vend të privatizimit. Kjo gjendje ngjalli nostalgjinë për sistemin e kaluar dhe jo ndarjen e përgjithmonshme nga ai.

Disa vende e tejkaluan gjendjen traumatike të tranzicionit, falë elitave të zgjuara dhe të përkushtuara politike e mendore, kurse disa ende sillen në rrethin e mbyllur, duke u qeverisur nga politikanët e (para)tranzicionit ose si të reinkarnuar në brezin e ri të politikanëve.

Nostalgjia për të kaluarën u ngjall për sa kohë pritshmëria e njerëzve për një të ardhme më të mirë u kthye në zhgënjim e humbje shprese. Në vend të ndërtimit të një sistemit të ri vlerash ndodhi katandisja morale, shoqërore, politike, kulturore, arsimore. Për këtë shkak sot thuhet shpesh se sistemi i dikurshëm ishte i keq, por kishte sistem, kurse tani nuk kemi kurrfarë sistemi.

Në formë remineshence sot përmendet “shtresa e mesme shoqërore”, e cila krijon stabilitet, por nuk shihet në shoqërinë tonë, e ndarë në dy klasa: njëra, pakica, tejskajshmërisht e pasur dhe tjetra, shumica, klasë rrjepacakësh.

“As klasa e pasur, as rrjepacakët, por shtresa e mesme e shpëton atdheun”, tha mijëra vjet më parë poeti grek…

Sot gjithashtu thuhet se po ngjallet njëfarë jugonostalgjie te shqiptarët. Këtë e thonë politikanët e tanishëm, që nuk dallojnë nga politikanët e dikurshëm. Nuk duken më të ndershëm se sa Fadil Hoxha, Sinan Hasani apo ndonjë tjetër. Metodat e vjetra i kemi me paketim të ri.

Nostalgjia për të kaluarën nuk ngjallet nga politikanët e dikurshëm apo shfrytëzuesit e privilegjeve të atij sistemi, por prej politikanëve të tanishëm, që shquhen për mungesë ndjenje të përgjegjësisë dhe jetës së përbashkët dhe të konceptuarit të politikës vetëm si pushtet e jo edhe si arritje të paqes ndërmjet njeriut dhe shoqërisë.

Nga ky prizëm, as atëherë, as sot, nuk kemi (pasur) demokratizim, por demoralizim e uzurpim të sferave shoqërore nga politika.

Ata që kanë jetuar në kohën e komunizmit nuk shohin dallime ndërmjet zyrtarëve të dikurshëm dhe të tanishëm.

Të rinjtë që nuk e kanë jetuar atë kohë ikin në kërkim të realizimit të idealeve të tyre. I ka lodhur zhurma që prodhohet përgjatë viteve. Afera, ligje që krijojnë tension, gjoba, frikësime.

E keqja më e madhe është se po humbet shpresa, përsa kohë imponohet logjika e kontrollit të shtetit ndaj çdo sfere. Kjo logjikë i ka pasivizuar të gjithë ata që duan të bëjnë diçka ndryshe, sepse kanë frikë që nuk do t’ja dalin kundrejt kontrollit shtetëror.

Platoni gjykonte se një shoqëri zhvillohej nëpërmjet heronjve të ri, që me sjelljen e tyre ndikonin në shoqëri dhe në ripërkufizimin e moralit të saj.

Modelet e të sotmes janë çorientuese. Modelet që adhurohen e që imponohen janë bërë kokat kompetente të marrëzisë e makuterisë.

Nëse vazhdon me këtë ritëm, atëherë do të duhet të sillemi sipas thënies së Hobsit. Në shoqëri të egra nuk mbijeton nëpërmjet lules.

Ndoshta tingëllon si ligjëratë pesimiste, por nuk e shoh botën nga luksi, sepse nuk i përkas asaj bote.

Nga bota ime gjërat duken ashtu siç i kam përshkruar: demoralizim në vend të demokratizimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button