Përmbyten rreth 5000 hektarë në të gjithë Shqipërinë

Sipërfaqja nën ujë në të gjithë vendin si pasojë e reshjeve dhe përmbytjeve gjatë orëve të fundit përllogaritet në rreth 5000 hektarë, ndërkohë që në total janë evakuuar nga banesat e tyre 420 familje. Në zonat e përmbytura ka nisur shpërndarja e pakove me ushqime si në Vlorë, Fier dhe në Urën Vajgorure.

Ndërkohë në qarkun e Fierit gjatë 24 orëve të kaluara reshjet e shiut kanë qenë me intensitet të dobët, por lumi Seman mbetet në nivele kritike. Në komunat Frakull, Levan dhe Darëzezë ka akoma prezencë të ujit. Në këtë qark të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 220 banesa, ndërsa të evakuuara janë 160 familje dhe sipërfaqe tokë të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 3500 ha.

Bëhet e ditur se niveli i prurjeve të ujrave të lumit Vjosë ka patur rënie, dhe në rrethin e Vlorës të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 602 banesa. Aksi rrugor Vlorë – Selenicë është përmbytur në disa segmente nga dalja e ujrave të lumit Vjosë.

Ministria e Brendshme e Shqipërisë bën të ditur se gjatë 3 ditëve të fundit në territorin e rretheve Berat, Kuçovë dhe Skrapar, kanë rënë rreth 100 mm reshje shiu çdo ditë. Prurjet e lumenjve Osum dhe Devoll kanë qenë të shumta. Për rrjedhojë ka patur dalje të ujërave nga shtrati i tyre, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në bashkitë Berat dhe Ura Vajgurore, si dhe në komunat Otllak, Poshnje dhe Perondi. Ndërsa në disa komuna të Gjirokastrës dhe Kukësit ka patur reshje dëbore

Kujtojmë se reshjet e dendura të shiut gjatë tre ditëve të fundit shkaktuan përmbytje të banesave, tokave dhe bizneseve në disa qytete në jug të Shqipërisë. Në këto qytete u ngritën shtabet e emergjencës për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të rrezikuar nga përmbytjet.

Lajme të ngjashme

Back to top button