Fajtorët e kaosit qeveria, ministria e arsimit dhe SASHK-u

Odisea e bisedimeve midis ministrit të arsimit Abdylaqim Ademit dhe SASHK-ut kanë filluar që në fund të muajt Shtator, ku u paralajmërua greva e përgjithshme e shkollave të mesme dhe fillore, dhe prej kaq muajsh ata s’janë marrë vesh. Çështja është se ku po e çojnë arsimin në Maqedoni një ministër kukull dhe sindikata që ka pasur 4 muaj kohë në dispozicion për të biseduar dhe gjetjen e rrugëve për zgjidhjen e problemeve? Siç shihet dëmi në arsim është i madh, boshllëqet që po krijohen nga mos mbajtja e mësimit po çon drejtë degradimit të shkollimit në Maqedoni. Kush do mbaj përgjegjësi nesër për këtë kaos? Si do të plotësohen këto ditë mësimi që nxënësit nuk kanë mësuar? A ka rrugë zgjidhje? Patjetër që ka rrugë zgjidhje nëse ekziston midis palëve dëshira e një marrëveshje. Kjo rrugë është mirëkuptimi i palëve, heqja e dënimeve të testit ekstern që nga viti 2013,(dënimet e testit ekstern janë hequr nga këshillat e shkollave, me aktivizimin e tyre ministria ka shkelur Ligjin) dhe ngritja e rrogave fazë-fazë, duke filluar që nga ky vit dhe të përfundoj brenda 3 viteve. Pra, i bie që qeveria çdo vit të ngrejë rrogat e arsimit me 8 %.

Fajtori më i madh në këtë rast për mos gjetjen e rrugëzgjidhjes është qeveria dhe në veçanti ministria e arsimit me në krye Abdylaqim Ademi i cili prej kaq kohësh ka gënjyer për këto çështje se po bisedohet.

Më e mira e këtij njeriu do të ishte të dorëhiqej duke çliruar sado pak vetveten por edhe qytetarët, votuesit e tij sepse e nesërmja nuk e dimë se çfarë befasirash na ofron.

Pa faj nuk janë edhe drejtuesit e SASHK-ut të cilët prej 4 muajve nuk lajmëruan se bisedimet kanë ngecur ose s’janë zhvilluar fare. Në momentet e fundit sindikata dha alarmit për grevë fill pas përfundimit të pushimeve dimërore duke krijuar huti tek nxënësit, punonjësit e arsimit dhe tek popullata. Më duket se ka një koordinim veprimesh midis Ministrisë së Arsimit dhe SASHK-ut për të krijuar probleme ekstreme dhe ofruar zgjidhje si me shkop magjik. Këto lloj taktikash hyjnë në luftën e Armëve të Heshtura, ,,problem-reagim-zgjidhje,,. Dhe zgjidhja të vij në kohën e duhur duke i shërbyer pushtetit, qeverisë për të larguan vëmendjen nga një problem më i rrezikshëm dhe i madh siç janë Bombat e LSDM.

Nëse qeveria e Maqedonisë është drejtë falimentimit si pasojë e borxheve të cilat këtë vit duhet të rikthehen do të ishte më mirë që të lajmëronte administratën publike dhe të ndalonte rrogat e atyre që paguhen duke qëndruar prej kaq vitesh në shtëpi.

Nga kjo situatë nuk dilet duke dënuar pa faj me gjoba të larta vend e pavend, duke ngjallur frik tek qytetarët, investitorët vendas dhe të huaj, duke e çuar vendin drejtë një lufte klasike qytetare, jo më me armë, por me presione, kërcënime dhe duke instaluar diktaturë partiake.

Mendoj se në këto raste duhet të triumfojë toleranca qytetare, marrëveshja politike gjithëpërfshirëse, pra një qeveri teknike e shpëtimit politiko-ekonomik për ta nxjerr vendin nga kaosi disa vjeçar sepse nëse Maqedonia hyn në rrugën e skenarit grek, atëherë ne nuk do dalim për shumë vite nga qorrsokaku ku na kanë futur dhe vazhdojnë të na fusim politikanët vasal dhe planprishës.

Lajme të ngjashme

Back to top button