fbpx

Ukrainë, sërish përleshje dhe viktima mes ushtarëve

Ushtria ukrainase ka shënuar sërish humbje gjatë luftimeve me separatistët prorusë në rajonet lindore të vendit gjatë 24 orëve të fundit, teksa janë vrarë 5 ushtarë dhe janë plagosur 27 të tjerë, bën të ditur zëdhënësi ushtarak i Kievit, Andriy Lysenko. 

Forcat e Kievit theksojnë se luftimet janë bërë veçanërisht intensive përreth Debaltsevit, një kryqëzim tepër i rëndësishëm rrugor dhe hekurudhor në verilindje të qytetit të Donjeckut, i cili mbahet ende nën kontrollin e trupave qeveritare.

“Luftimet vazhdojnë mes terroristëve dhe forcave ushtarake në zonën e Debaltsevit dhe pranë zonave të populluara nga civilët. Luftëtarët rebelë po përpiqen pa sukses të rrethojnë njësitë e forcave të armatosura të Ukrainës”, tha Lysenko gjatë një njoftimi të shkurtër. “Pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme dhe sulmeve, Debaltseve mbetet ende nën kontrollin tonë”, shtoi ai.

Bisedimet e së shtunës mes zyrtarëve të Ukrainës, Rusisë dhe rebelëve në Bjellorusi rritën shpresat për një armëpushim të ri për të ndalur dhunën, por ato u mbyllën pa asnjë progres të shënuar. Luftimet rinisën menjëherë pasi u braktisën bisedimet.

Më shumë se 5 mijë njerëz janë vrarë gjatë konfliktit mes separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave qeveritare të Kievit, mes të cilëve mediat ukrainase thonë se janë mbi 1500 ushtarë ukrainas të vdekur.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ripërsëriti thirrjet ndaj Kievit këtë të martë, për t’u ulur në bisedime të drejtpërdrejta me separatistët në lindje të Ukrainës, e të mos fajësonin Moskën për konfliktin e krijuar, siç raporton agjencia e lajmeve “RIA Novosti”.

Moska ka mbështetur rebelët, por mohon akuzat e Perëndimit, sipas të cilave Kremlini ka ofruar parà, armatime dhe trupa ushtarake ndaj tyre. Lavrov akuzon gjithashtu Shtetet e Bashkuara se po mbështet përpjekjet për ta zgjidhur këtë krizë në rrugë ushtarake, në vend që të përdorin diplomacinë. / Top Channel

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close