FIJA E KASHTËS

Gimin e gulçonte  një vetmi që herë bubullon e t’i zë veshët e herë të bëhet si lëmsh në kraharor që ta zë frymën, po s’kishte kah ia mban. Gjithë ato vite që ka punuar për të mirën e këtij vendi, dhe në vend të shpërblimit të merituar, e kanë hedhur në humnerën e harresës. Prandaj sillej nëpër shtëpi, herë në njërën dhomë, herë në tjetrën. Pastaj u ndje edhe më keq, sepse iu duk sikur në këtë jetë gjithçka përsëritet. Dikujt i përsëriten të mirat, dikujt tjetër taksiratet. Nuk u durua më. Doli.

Në çajtoren e lagjes, si gjithmonë po ata njerëz, shumica të papunë, që “e vrasin” kohën, era e rëndë e tymit të dendur të duhanit, zhurma e gurëzve të dominos me fjalët që e përcjellin lojën: “I vogël je bre lalë ti për mua”, “Prej kur i luaj unë këta gurëz” e kështu me radhë. Në një qosh rrinte Dulla, i cili dikur ka qenë i rëndësishëm në Lidhjen socialiste. Tash mjaft i shtyrë në moshë, po i mbajtshëm. Atëherë, në kohën e tij kollaren e kishte trikolor, kurse tash e mbante të kuqe me shqiponja të zeza, të imta. I ka teshat për çdo kohë. Në anën tjetër rri një njeri “me lidhje të forta” -, i cili, po ashtu, ka pasur pushtet dikur. Meroja. I thatë, i thatë, thuajse me një të fryrë mund ta çosh përtej shtatë maleve. E rrufit çajin. Sa e sheh Gimin, ai e ngre dorën dhe e fton të ulet në tavolinën e tij.

I rraskapitur, i munduar, i rrahur nga era dhe breshri, si thonë, në tërë pesëdhjetë vjetët e jetës, ndërsa tash i harruar edhe nga më të afërmit e tij dhe, ç’është më e keqja, i ndjekur edhe nga pashpresa e frika se s’mund të dalë kurrë më vetë nga humnera ku e ka hedhur fati, Gimi derën e shpëtimit nga ky hall e shihte te dora e zgjatur e gjithkujt. As nuk e mendonte se njerëzit rrallë mund ta shtrijnë dorën e solidaritetit, pa pasur ndonjë plan që kjo dorë t’u sjellë më vonë ndonjë grusht me lira. Halli në të cilin u gjet Gimi është i lodhshëm, si halli më. Ai hall të detyron të shkosh edhe te dera e fallxhores, madje-madje edhe te dera e armikut. Ndjenja se së shpejti dhe krejt diku afër do të vijë shpëtimi, është energjia që e mban Gimin gjallë.
Prandaj nuk dinte se cilit t’i afrohej Dullës, apo Meros. Ku ta dish… cili do të jetë ajo kashta e shpëtimit që do ta nxirrte nga humnera e mjerimit dhe e harresës?… helbete…  Dulla i Lidhjes së dikurshme socialiste i përveshi buzët në një buzëqeshje gati apatike për t’i dëshmuar Gimit njëfarë kënaqësie që do të shoqëroheshin në çajtore. Pastaj e Dulla e lëvizi karrigen dhe i bëri vend Gimit. Pastaj e thirri kamerierin dhe porositi dy kafe. Ndërkohë Gimi heshtte, kurse Dulla i binte tavolinës me gishta, sikur preklave të pianos. Në fund, pasi e rrufiti kafenë që i solli kamerieri, Dulla i kërkoi falje Gimit pse dikur, dikur moti i kishte dhënë një shuplakë. I tha se kishte qenë gabim, se kishte qenë dikush tjetër që e kishte bërë gabimin. Por se Gimi, tha Dulla, do ta kuptonte se shpulla ishte rezultat i një kohe, i një regjimi, jo se Dulla e ka bërë se ka dashur. Jo, Dulla, po koha e kërkonte atëherë edhe atë sjellje. Pastaj e zgjati rrëfimin e tij. Foli e foli. Gimit herë pas herë ia zinte veshin fjala demokraci që Dulla e përmendte shpesh, por nuk e ndiqte rrjedhën e rrëfimit. Gimi endej diku në të kaluarën dhe i kujtonte shuplakat që kishte hëngër. Shuplaka që i kishin dhënë njerëzit dhe shuplaka të fatit. Një zot e di  sa ishin të njerëzve, sa të fatit. Ishin shumë shuplaka.

Shuplaka e Dullës nuk i kujtohej midis gjithë atyre shuplakave të tjera që kishte hëngër. Kjo e Dullës iu shtua grumbullit të shuplakave që i kishte mbajtur mend. Pastaj seç i iu kujtua se në gjuhën tonë shuplaka ka edhe dy sinonime: shpullë dhe flakareshë! Kjo është punë psikologjie, punë mentaliteti, mendoi. Nuk qenka e rastit kjo punë e shuplakave. Shuplakat paskana pasur rrënjë të thella këtu. U kthjell, shikoi se ku ishte ulur dhe me kë ishte ulur. Ky “faktor” i Lidhjes së dikurshme socialiste, pranë të cilit u ul Gimi, dikur kishte qenë tmerr për të gjithë fshatarët. Kishte qenë pushtet që ndëshkonte kë donte, kur donte dhe si donte. Demokracia e përsëritur shpesh në rrëfimin e Dullës ndoshta fliste diçka për këtë tip që kishte qenë dhe kishte mbetur me kollare. Fliste për aftësinë e tij për t’iu përshtatur shpejt çdo kohe. Megjithatë Gimi që përpëlitej ë kënetën e hallit, deshi ta pyesë mos e njeh dikë… helbete… E kërkonte Gimi i shkretë atë dorën e shpëtimit edhe te fija e kashtës midis kënetës së thellë (ku ishte në fakt tash), sepse u përmbahej këshillave të prindërve që e kishin mësuar vazhdimisht se e mira gjithmonë të kthehet me të mirë. Gjithë ato përpjekje i kishte bërë Gimi që të ishte qytetar i ndershëm i vendit, që të bënte vetëm mirë, gjithë atë kontribut që  kishte dhënë gjithandej për  ndryshime në vend, kështu që mendonte se ka të drejtë tash ta kërkojë gjithkund dorën e shpëtimit. Nga ana tjetër “faktori” i dikurshëm i Lidhjes socialiste fliste duke bërë gjeste, duke lëvizur duar e kokë dhe duke i shpërvjelë buzët e tij për atë buzëqeshjen e tij karakteristike. Dhe, sa merrte Gimi t’i thotë diçka, Dulla e ndërpriste me një “më fal një minutë” dhe vazhdonte të flasë, të flasë.

Gimi dikur e pa se s’do të mund ta thoshte asnjë fjalë, e pa se nuk ishte aty në duart e Dullës fija e kashtës së tij. U ngrit dhe u ul te një tavolinë tjetër, te një njeri “me lidhje të forta” që luante domino me tre veta të tjerë. “Hë, Gim”, i tha thartë ky “me lidhje të forta”, “mos deshe ndonjë lidhje”. Gimi e hetoi as te ky nuk do ta ketë fijen e kashtës, se ky “me lidhje të forta” ironizoi. U ngrit dhe doli.

Dimër, pa borë. Ftohtë. Mjegulla e kishte mbuluar rrugën, fshatin. Mezi dukej gishti para hundës, si thonë.

Gimi s’e ndjente të ftohtin. Trupi i tij i kishte humbur lidhjet me cytjet që vinin nga jashtë.

Kaluan edhe shumë dimra të këtillë, takoi edhe shumë njerëz “të fortë”…

E pa më në fund se fija e kashtës në fakt ishte vetëm një vegim, një përhitje. Po dëshira për jetë e shtynte edhe më tej ta kërkojë atë. Nuk donte të pajtohet me fatin se humnera ku e kishte hedhur shoqëria të cilës i kishte shërbyer aq shumë ishte një humnerë nga e cila nuk kishte kurrfarë mundësie të dilet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button