Mësimdhënësit mobilizohen për protesta!

Sindikata e punonjësve arsimor dhe kulturorë, SASHK, do ta vazhdojë grevën e përgjithshme edhe me protesta publike në të gjitha qytetet më të mëdha në vend. Mësimdhënësit të cilët deri më tani përkrahnin grevën shprehen të gatshëm dhe thonë se në mënyrë absolute do ta përkrahin edhe protestën e paralajmëruar.

Ruzhdi Ibrahimi, profesor në gjimnazin “Zef Lush Marku”, në Shkup bën të ditur se mësimdhënësit e kësaj shkollë 100 për qind do të dalin në protestë.

“Ne plotësisht e përkrahim protestën dhe do të shkojmë deri në fund. Të shohim se çka do të bëhet pas protestës, por sidoqoftë ne nuk heqim dorë nga kërkesat. Sepse kështu më nuk shkon na kanë zhvlerësuar tjemase. Projektet gjigande si ‘Shkupi 2014’ dhe disa të tjera nuk janë të nevojshme, pasi që arsimi po shkatërrohet”, tha për Portalb, Ibrahimi.

Ai shtoi se reformat në arsim nuk mund të bëhen nga dikush që nuk ka lidhje me atë sferë, sepse në atë mënyrë ato dështojnë.

“Për reforma normal që kemi nevojë, por jo të sillen ato nga dikush që nuk ka lidhje në arsim siç ishte projekti me kompjuterët, ku tani asnjë nuk punon. Ishte projekt i panevojshëm. Të them të drejtën unë kur kam qenë në shkollë të mesme i kemi pas kushtet më të mira sesa që i kanë tani nxënësit tanë. E keqja është se neve nuk na llogarisin si partner, nuk ulen të bisedojnë. Nuk ka fonde, s’ka neve jemi të arsimuar dhe kuptojmë, mirëpo duhet të arrihet një marrëveshje”, tha Ibrahimi.

Po ashtu edhe mësimdhënësit e Kumanovës përkrahin protestat e paralajmërua nga SASHK-u pasi thonë që arsimi në Maqedoni është duke u shkatërruar rrënjësisht.

“Ne në mënyrë absolute e përkrahim protestën ashtu siç e përkrahëm edhe grevën pasi që po e shohim se arsimit nuk i kushtohet fare rëndësi dhe dita ditës është duke u shkatërruar ai. Profesioni i mësimdhënësit është i shenjtë, dhe ai duhet të ketë privilegje dhe respekte. Projektet siç është edhe ‘Shkupi 2014’, nuk janë të nevojshëm, nuk kemi nevoje për ringjallje apo krijimin e një historie, kemi nevojë për investime në arsim”, tha për Portalb, Samet Jahiji, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Kumanovës.

Ai shtoi se projektet duhet të përpilohen me kujdes dhe të kenë parasysh që të ofrohen kushte më të mira dhe adekuate për mësimdhënie dhe jo të shkatërrohen arsimi nëpërmjet projekteve të kota.

“Akademia e mësimdhënësve për neve është  një projekt për larjen e parave dhe asgjë më tepër. Për mendimin tim, kjo nuk është e nevojshme, sepse shkollimi në arsimin e lartë është mjaft adekuat për mësimdhënie, me këto projekte nuk do të përmirësohet gjendja në arsim, por do të shkatërrohet”, shtoi Jahiji.

Në komunën e Tetovës, po ashtu do të përkrahet vendimi për të protestuar pasi sipas mësimdhënësve, arsimi është lënë në errësirë.

“Patjetër që do të përkrahim protestën, ashtu siç përkrahëm grevën. Ministri tha që nuk ka fonde për rritjen e pagave dhe që në këtë as mos të shpresojmë, mirëpo për projekte të ndryshme menjëherë gjenden fondet. Siç është shembull ‘Shkupi 2014’, kundër të cilit janë të gjithë banorët, kurse janë ndarë fonde për të edhe në 2015. kjo është e papranueshme. U promovuan disa projekte në arsim, por ato ishin të gabuara, sepse duhet të investohen në mënyra të ndryshme dhe me më shumë kujdes. Ne nuk kemi kushte elementare për zhvillimin e projekteve dhe më pas mësimdhënësit dënohen, duke mos i vënë re kushtet në të cilat punohet. Kjo është e tmerrshme”, tha për Portalb, Imerja Ademi, mësimdhënës në  shkollën fillore “Istikball”, në Tetovë.

Mësimdhënësit e komunës së Strugës do të protestojnë për arsye se thonë se MASH po neglizhon kërkesat e tyre.

“Shumica e mësimdhënësve në shkollën tonë kanë përkrahur grevën dhe tani do të përkrahin edhe protestat për arsye se kërkesat që i kemi neve nuk janë të paarritshme. Po e zëmë rritjen e pagave, si mund të thuhet se nuk ka fonde kur ende investohen miliona në projektin ‘Shkupi 2014’ si dhe para një kohe u rritën edhe mëditjet e deputetëve, të cilët për të udhëtuar nga Struga në Shkup, u paguhen rreth 8 mijë denarë. Si për këta kishte fonde kurse për mësimdhënësit që kanë një punë të shenjtë s’ka?”, tha për Portalb, drejtori i gjimnazit të Strugës “Ibrahim Temo”, Xheladin Muça.

Ai thotë se më tragjike se mos rritja e pagave është dënimi i mësimdhënësve.

“Lëre që pagat nuk rriten, tani edhe dënohen mësimdhënësit në bazë të testimit ekstre, gjë që nuk ekziston askund në botë dhe kjo u dëshmua në kohet e fundit. Projektet e fundit në arsim janë skandaloze, përveç testimit, kemi edhe projektin për kompjuterët, ku vlerësoj se së pari është dashur të krijohen kushte për mësim e më pas të investohet në teknologji. Ne dëshirojmë të bëhemi me kushtet e Perëndimit pa i pasur ato elementaret. Kështu më nuk shkon, andaj kërkojmë që të ketë merren parasysh dhe të plotësohen kërkesat tona”, shtoi Muça.

Ndërkaq nga SASHK-u paralajmërojnë se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, nuk gjendet zgjidhje për problemet e tyre dhe nuk pranohet kërkesa për dialog me ministrinë dikasteriale dhe Qeverinë, ata do të dalin në rrugë prej të mërkurës, ndërsa protestën kryesore e paralajmërojnë për në Shkup gjatë të premtes.

LEXO MË SHUMË

Çfarë ndodh me zëvendësimin e mësimdhënësve që mbajnë grevë?

Greva e mësimdhënësve merr formë të re!

 Nedellkov: Ademi t’i lexojë ligjet, greva nuk do të ndalet nga presionet e tij

 Ademi pranon të bisedojë me SASHK-un, vetëm nëse ndërpritet greva

 SASHK: Nuk heqim dorë nga kërkesat, greva vazhdon

Greva në arsim bëhet më masive, arsimtarët mposhtin frikën dhe kërcënimet

46 milion euro do të shpenzohen për ‘Shkupi 2014’ në 2015-tën!

Buxheti për Shkupi 2014, “vrasës për shqiptarët”

 Deputetët risin rrogat në kohën kur shumë familje nuk arrin të sigurojnë bukën e gojës

Ja testimi ekstern për të cilën dënohen mësimdhënësit shqiptarë (FOTO)

Qeveria ka shpenzuar 580 milionë euro për projektin “Shkupi 2014”

Lajme të ngjashme

Back to top button