Si ta kontrolloni xhelozinë?

Nuk duhet të pushtoheni asnjëherë nga fantazma e një gruaje tjetër, nuk duhet të fiksoheni dhe shmangini skenat e ndryshme që të mos bëheni qesharake.

Me pak fjalë duhet të jeni të qeta e të vëmendshme, që të mos çoni dëm një dashuri, për shkak të ndonjë pasigurie. Ja disa këshilla për ta mbajtur veten

Ka çifte që kanë besim të verbër te njëri-tjetri (dashuria e tyre ngrihet mbi baza të forta dhe është e shëndetshme) dhe të tjera që ngacmohen nga pak nga xhelozia. Por ka edhe lidhje që marrin fund pikërisht nga pasiguria, nga fiksimi për kontroll, paranoja, fantazma e ish të dashurit, apo e ndonjë vajze që në realitet nuk ekziston. Pra nëse nuk doni të çoni dëm një lidhje, duhet të mësoni që të mbani nën kontroll skenat e pahijshme të xhelozisë. Natyrisht që në disa momente është vërtet e vështirë t’i besojmë partnerit, sepse asgjë nuk është në favorin tonë: është bukurosh, ka një pozicion pune të mirë, është i rrethuar nga femrat dhe shpesh bën udhëtime pune jashtë shtetit… Ndoshta nuk ka bërë mirë që ju ka bërë pjesë të një të kaluare që ka qenë shumë e bukur, sepse dihet çfarë mendojnë zakonisht femrat: kush tradhton një herë, herët ose vonë do ta bëjë sërish. Por pavarësisht lidhjes ose të kaluarës së tij, mund të jetë një partner i mirë. Nëse xhelozia vazhdon ende të mbizotërojë te ju, atëherë problemin kërkojeni te vetja. Ja si ta largoni instinktin e keq që ju ka pushtuar.

“Konsultohuni” me veten

Pyetja është e thjeshtë: Çfarë keni kështu? Përpiquni të kuptoni se nga ju vjen kjo xhelozi, nëse ka pasur diçka në të kaluarën që ju ka kushtëzuar, apo ka diçka në të tashmen tuaj që ju bën të pasigurt. Paqëndrueshmëria ekonomike, pamja fizike, apo këndvështrimi juaj për martesën… Pasi ta keni gjetur përgjigjen, është e rëndësishme që të kuptoni nëse edhe në të kaluarën keni pasur të dashur të pandershëm dhe që ju bënte të vuanit, edhe pse nuk është e thënë që sa herë të njiheni me ndonjë djalë të sillet në të njëjtën mënyrë. Megjithatë kjo nuk e justifikon fiksimin tuaj.
Mos i lini kurrë gjërat pas dore

Nga mirëqenia te dyshimi. Nuk ka rëndësi se çfarë ju bën të besoni mendja juaj, por mos jini krejtësisht të qetë. Nëse ndonjëherë vonohet në zyrë mund të ketë pasur ndonjë mbledhje të papritur me drejtorin dhe jo me ndonjë punonjëse seksi. Nëse nuk përgjigjet në celular, ndoshta me të vërtetë nuk e dëgjon, sepse në makinë zëri i muzikës është shumë i lartë. Nëse gjeni faturën e ndonjë dyqani veshjesh intime femrash, ndoshta është një surprizë për ju.
Sqarojini dyshimet

Nëse jeni të bindur që në lidhjen tuaj ka vërtet shenja tradhtie mos ngurroni, por bëjini ndonjë pyetje partnerit. E rëndësishme është që t’i bëni disa pyetje dhe çështja të mos kthehet në pyetësor. Mos u tërboni për çdo detaj të vogël, bëjini disa pyetje “të zgjuara” dhe mbylleni me aq. Nuk do t’ju shërbejë asgjë duke e torturuar me mijëra pyetje. Jepini jetë komunikimit dhe largoni torturën psikologjike.


Shishe gjysmë të zbrazura

Pasi e keni kuptuar që jeni e çmendur nga xhelozia, mos u përpiqni ta luftoni këtë ndjenjë. Ngacmimi i tradhtisë nuk ju lë aspak të qetë dhe nuk largohet aq kollaj. Megjithatë mund të bëni diçka tjetër: shndërrojeni energjinë negative të xhelozisë, në një shtytje pozitive. Për të ndrequr marrëdhënien tuaj. Bëni gjëra të mira për veten dhe partnerin, shkoni në palestër, mbani dietë, ndryshoni ngjyrën ose modelin e flokëve, rinovoni gardërobën… Gjejeni ju mënyrën për të përmirësuar veten, për t’u transformuar në femrën që ai lë kokën pas jush.


Me letra të hapura

Në vend që të kontrolloni nëpër rafte, të shikoni me imtësi mesazhet e celularit të tij, ose të përplasni tastierën e kompjuterit, sepse nuk po arrini të gjeni fjalëkalimin, më mirë hapini letrat në tavolinë. Jeni xheloze? Thojani këtë gjë partnerit dhe shpjegojini që po punon shumë me veten për të shpëtuar lidhjen. Më mirë të flisni hapur sesa të ziheni. Tregojini që mikesha e tij e ngushtë ju luan mendsh, ndoshta duke ju dashur, ai nuk do të shoqërohet më me të.
Mos bëni krahasime

Keni arritur në atë gjendje sa vajza e parë që shihni në rrugë të kapur dorë për dore me të dashurin e saj ju bën të ndiheni keq? Atëherë në këtë rast problemi jeni ju. I dashuri juaj kthehet për ta parë, sepse ka një minifund tepër të shkurtër? Në këtë rast mund edhe të tregohet i paedukatë, por nëse kjo gjë ju shqetëson kaq shumë, atëherë problemi jeni ju. Nëse ai është me ty, të dashuron, del me ty dhe jeton me ty, e bën sepse jeni ju femra e ëndrrave të tij. Pse duhet të dyshoni për çdo gjë? Mos i krahasoni vajzat e tjera me veten, bukurinë e tyre me tuajën, veshjen tuaj me të tyren. Ti je ti, nëse partnerit i pëlqeni, pse nuk duhet t’i pëlqesh vetes?
Lëreni të qetë

Duke e ndjekur kudo, nuk do të bëni gjë tjetër veçse të shtoni më shumë dyshimet e tradhtisë. Nëse ai vërtet ju tradhton, do të vijë momenti që ta zbuloni. Kështu që nuk keni pse ta kushtëzoni. Duke i ndenjur gjithmonë nga pas do ta shtyni me duart tuaja drejt një tjetre. Lëreni të dalë me miqtë, mos u inatosni nëse ju kërkon që të qëndrojë vetëm, të shkojë në kalçeto, ose në kinema. Vetëm besimi është ilaçi i çdo lidhjeje.
Shihni, kritikoni, ndryshoni

Pothuajse të gjithë njerëzit xhelozë ose e mohojnë që janë, ose mendojnë se e kanë situatën nën kontroll, që nuk e kanë tepruar kurrë. Por a jeni vërtet të sigurt për këtë? Bëni një ushtrim. Shikojini me kujdes çiftet e tjera dhe përpiquni të kuptoni se si sillen në publik. Kur vëreni shenja xhelozie, përpiquni të mos i bëni ju ato veprime, por krijoni një lidhje të qetë e të shëndetshme./shqip

 

Lajme të ngjashme

Back to top button