Maqedoni, rasti Zaev dridh vendin

Liderit i opozitës maqedonase Zoran Zaev, të hënën është takuar me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup, Aivo Orav.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka ngritur padi ndaj zotit Zaev, nën dyshimet për “puç shtetëror, rrëzim të pushtetit përmes publikimit të dëshmive për afera të rënda kriminale të qeverisë aktuale”.

Ambasadori i BE-së tha se ky rast paraqet “test” për institucionet shtetërore, sistemin gjyqësor dhe mediat, duke shtuar se me shumë vëmendje do ta ndjekë rastin, ku janë të përfshirë kryeministri i vendit Nikolla Gruevski dhe lideri i partisë më të madhe opozitare, Zoran Zaev.

“Ky është një rast potencial, në të cilin është përfshirë edhe kryeministri edhe lideri i opozitës së këtij vendi dhe duke pasur parasysh profilin e lartë të këtij rasti potencial, njëherësh duke pasur parasysh dhe faktin se ky vend është vend kandidat për në BE, ne kemi përqëndruar vëmendjen në këtë rast të cilin do ta ndjekim me shumë seriozitet”, është shprehur zoti Orav.

Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski ka theksuar se informacionet për zotin Zaev janë siguruar nga shërbimet e huaja të inteligjencës. Për veprat e përmendura, në kodin penal të Maqedonisë parashihet dënim prej 1 deri në 10 vite burg.

Por, ish prokurori Jovan Terpenovski, thekson se kryeministri nuk guxon të dalë me akuza të tilla, duke fajësuar liderin e opozitës, paraprakisht pa procedim tek organet e drejtësisë.

Terpenovski thekson se për t`u kualifikuar një akuzë për veprimtari për grusht-shtet dhe rrëzim me dhunë të rendit kushtetues, duhen prova të besueshme për të cilat duhet të prononcohen vetëm organet e drejtësisë.

“Është e pakuptimtë që politikë-bërësit flasin për vlefshmërinë e dëshmive. Kryeministri Nikolla Gruevski dhe ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, shprehen për fajësinë e liderit të opozitës. Ndërkohë, më duhet të theksoj se gjatë hetimeve, nëse dëshmitë janë të vlefshme apo jo, ka të drejtë të prononcohet vetëm pokuroria dhe organet e gjyqësorit”, thekson Terpenovski.

Nga ana tjetër, Naser Ziberi jurist, konsideron se në periudhën e ardhshme Maqedonia hyn në një spirale shumë të turbullt politike.

“Mënyra se si po udhëhiqet i gjithë ky proces, është vetëm një kundërpërgjigje ndaj paralajmërimeve të kryetarit të opozitës, se do të shpalosë disa afera korruptive, dhe afera të tjera të cilat do ta diskreditojnë në rend të parë pushtetin dhe qeverinë”.

“Me këtë hap kryeministri tenton të ndërrojë rolin nga sulmues, në person të sulmuar, dhe kryetarin e opozitës e vendos në pozitë të defanzivës. E gjithë kjo ka prapavijë politike, e cila mund të lë njolla të zeza në këtë proces, si dhe do të ketë reflekse negative ndaj faktorit ndërkombëtar”, thekson Ziberi.

Të hënën ka reaguar edhe partia shqiptare në pushtet BDI, sipas së cilës “autoritetet shtetërore, përfshirë edhe ato të prokurorisë dhe gjyqësorit, duhet ta trajtojnë këtë rast me integritet dhe transparencë të plotë dhe me respekt për presumimin e pafajësisë së të përfshirëve”.

Nga ana tjetër, Tito Petkovski nga Partia e Re Social-demokrate në opozitë, thotë se informacionet, me të cilat disponon Zaevi, duhet të bëhen publike sa më parë për opinionin.

“Supozoj se Zaevi nuk do të heq dorë nga ajo për të cilën u prononcua edhe publikisht se do t`i publikojë të gjitha dëshmitë me të cilat disponon rreth involvimit të pushtetit në aktivitete kriminale”, thekson Tito Petkovski.

Përderisa për Pavle Trajanovskin, lider i Lidhjes Demokratike, partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeverisës, Maqedonia futet në zgjedhje të parakohshme./REL

Lajme të ngjashme

Back to top button