Protestat në Kosovë dhe Vetëvendosja

Kosova e pas luftës, udhëtoi në procesin që kaluan të gjitha shtetet e vogla me ndarjen e tyre nga shtete më të mëdha në Evropë, duke kaluar në të djathtë. Dhe si rrjedhojë, elita politike kosovare i është nënshtruar një admirimi apo dhe përkulje në çdo aspekt ndaj Perëndimit, dhe vendi në fjalë edhe pse ka kaluar fazën e protektoratit nga OKB, ajo përsëri sundohet nga EULEX-i, ambasadorët amerikanë dhe nga zarfet që vijnë nga një anë tjetër të botës.

Partia e parë që inicoi një lëvizje më ndryshe nga të tjerat, një lëvizje kundër këtij servilizmi, dhe kundër ndikimeve nga jashtë, si nga Serbia dhe nga vende të tjera, është Vetëvendosja (me mangësi të shumta natyrisht), partia më e sulmuar në rrafshin partiak nga konkurentët e saj. Kjo parti ka qenë pre e sulmeve dhe keqkuptimeve të mëdha. Eshtë partia më e nënçmuar tani për tani në Kosovë, vetëm për shkak qëndrimit të tyre ndaj ndikimeve nga jashtë. Janë akuzuar për marksizëm. Por çfarë edhe nëse janë të tillë? Akuzuesit duhet të nisen nga vetja nëse kanë ndonjë njollë të zezë dhe a janë të pastër vetë ata për të hedhur një akuzë të këtij lloji. Pra, me pak fjalë, akuzuesit në këtë rast na dalin fashistë që po i burgosin dhe rrahin popullin e tyre për shkak bindjeve të tyre partiake, fetare apo ideologjike. Bëhet fjalë për pushtetin aktual kosovar kleptokratik, e cila nuk ka mundësi të zbaton kërkesat e qytetarëve dhe arsyetohet vetëm me një pjesë të vogël të protestës ku ajo eskaloi në dhunë dhe përplasje midis policisë dhe protestuesve.

Pjestarët e kësaj partie shpesh ishin pre e sulmeve dhe akuzimeve të pa qena. Ata janë akuzuar edhe si ektremistë islamikë dhe turkofilë, ndërkohë shumica e anëtarëve të tyre praktikojnë ide nacionaliste dhe aspak fetare. Këto akuza filluan kur Albin Kurti deklaroi se nuk është kundër bartjes së shamisë në shkollat publike, dhe pastaj kur Shpend Ahmeti nuk kishte dekoruar qytetin për minoritetin katolik dhe eurofilët që dëshironin ta festojnë Krishtlindjen para kohe. Në këto rrethana, islamofobja dhe aventuristja e partive Alma Lama u largua nga VV-ja, ndërsa sulmet ndaj kësaj partie nuk u ndalën. Gazeta Express merrej me imtësira të kota duke sulmuar anëtarët e saj, ndërsa Berat Buzhala e quante atë bandë kriminale marksiste.

Pasi filloi protesta, filluan dhe shumë broçkulla të fliten rreth saj. Qytetarët të irrituar, bashkë me partitë opozitare u amalgamuan për në demonstratë kundër padrejtësive nga qeveria. Kërkesat e tyre ishin mbrojtja e Trepçës dhe shkarkimi Jabllanoviqit për shkak deklaratës së tij (edhe pse kishte manipulime dhe ekzagjerime nga gazetat idiote shqiptare në lidhje me deklaratën), në të cilën i quante egërsira shqiptarët që i gjuajtën me gurë serbët që kishin ardhur për vizitë në kishën ortodokse të Gjakovës.

Potenciali i qytetarëve për të protestuar kundër qeverisë, është për tu vlerësuar, mirëpo ajo që unë nuk do të pajtohesha është, siç thot dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, nëse qytetarët kanë dalur të protestojnë kundër ministrit për Komunitete dhe Kthim, të mos protestojnë kundër tij vetëm pse është serb, por të protestojnë për të njejtën arsye që protestojnë dhe kundër Mustafës dhe Thaçit, pra në bazë të korrupsionit të tyre. Që domethënë, protestuesit duhet distancuar nga slloganet kundër ndonjë etnie tjetër.

Diçka tjetër që më la përshtypje në hapësirën e komenteve të ndryshme lidhur me këto ngjarje, ishte reagimi i Isa Mustafës, i cili më përkujtonte reagimet e qeveritarëve shqiptarë dhe maqedonas në Maqedoni, të cilët në vend se të ndërmarrin ndonjë hap për t’ua plotësuar kërkesat studentëve, ata i akuzonin studentët se po organizohen dhe financohen nga Sorosi. Përgjigjja ime për dy palët është e njejtë. Pse lejoni ju që armiqtë tuaj politik ta shfrytëzojnë situatën, dhe nuk ua plotësoni popullit kërkesat në momentin që ata shprehin disidencë? Pra vet ju jeni fajtorë, nëse partitë opozitare manipulojnë me popullin.

Sharlatanja amerikane, ambasadorja Tracey Ann Jacobson, doli në mbrojte të atyre që më parë i ofendoi me një gjuhë të rrugaçve “mos e dhini punën”, duke thënë se është akt kriminal demolimi i pronave të shtetit, dhe nuk e merr parasysh fare pse ata janë revoltuar në atë shkallë. Ajo harron se edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që ta ndalojnë regjimin vrastar të Millosheviqit, bombarduan prona shtetërore të Jugosllavisë dhe i shkelen të drejtat territoriale, duke lënë pas dëme të mëdha. Por unë mendoj që protestuesit, pas shkarkimit të Jabllanoviqit, të kërkojnë dhe shkarkimin e ambasadores që fyen protestuesit dhe mbështet modelin fashist të arrestimeve të imameve , njëashtu dhe shkarkimin e presidentes Atifete Jahjaga.

Në Kosovë duhet të krijohet dhe të provohet ndonjë establishtment i ri, siç ndodhi dhe në Greqi me Syrizan. Mirëpo George Galloway tregon se kjo dinamikë e këtyre partive vjen dhe shkon. Që nënkupton se nuk dihet asnjëherë se çfarë kahje do të marrin ata. Shembull konkret, pak më parë dha dorëheqje Albin Kurti nga posti i kryetarit, ndërsa për Tsiprasin koha do të provon.

Lajme të ngjashme

Back to top button