Qindra filloristë braktisin mësimin në Prishtinë

Largimet masive nga Kosova po vërehen edhe nëpër shkollat kryeqytetit.
Gjatë bisedave me drejtorët e shumicës së shkollave fillore në Prishtinë, Telegrafi mëson se janë së paku 312 nxënës që kanë braktisur procesin mësimor, meqë kanë braktisur vendin bashkë me prindërit e tyre.

Këto statistika kanë të bëjnë vetëm me shkollat fillore, sepse numri i atyre që po largohen po rritet dita-ditës.

Sipas burimeve të Telegrafit, në dy muajt e fundit mbi 50 mijë banorë kanë braktisur Kosovën. Për të ikur nga Kosova, në shumë qytete janë krijuar linjat e autobusëve për Beograd, të cilat më herët kanë ekzistuar vetëm në stacionet e Prishtinës dhe të Prizrenit.

Largimet më të mëdha merret vesh të jenë bërë nga rajoni i Podujevës, ku dyshohet se deri tash janë larguar mbi 10 mijë banorë. Nga ta janë afro 500 nxënës të ciklit fillor dhe të mesëm.

Shkaktarë të ikjeve janë jo vetëm papunësia e lartë, por edhe mungesa e perspektivës në vend që po i shtynë shumë shqiptarë të lënë punët që kanë këtu. Valës së të ikurve i janë bashkuar edhe shumë veteranë të UÇK-së.

Askush nuk ka një përgjigje të saktë se si me kaq lehtësi ata që ikin nga Kosova po ia dalin të arrijnë në vendet e BE-së. Se a është kjo një “marrëveshje” jozyrtare për të lejuar këtë, kjo ende nuk dihet. Mirëpo, nga informatat që kemi, shumë nga migrantët kanë arritur që për pak kohë të sigurojnë leje qëndrimi në vendet perëndimore.

Më poshtë mund të gjeni numrin e filloristëve që kanë braktisur mësimin në shkollat e kryeqytetit. Siç e cekëm më lartë, këto nuk janë shifra fikse, sepse ato ndryshojnë çdo ditë. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button