ANALIZË: BDI-ja në test – a do t’i mbijetojë partia ndryshimet kushtetuese?

A demonstron BDI-ja forcë para partnerit të koalicionit VMRO-DPMNE, me çka përgatitet terren për pazarllëqe të reja në të ardhmen apo partia e Ahmetit ballafaqohet me një krizë serioze brendapartiake e cila çon drejt përçarjes së thellë? Edhe pse Kryesia qendrore e BDI-së mori vendim për t’i përkrahur ndryshimet kushtetuese, mirëpo ato kanë ngecur në fazën finale, në mungesë të shumicës së nevojshme prej dy të tretave prej 82 votash. Në fakt, “katërshja e ish-komandantëve”, Hazbi Lika, Xhevat Ademi, Zulfi Adili dhe nënkryetari i Parlamentit, Rafiz Aliti, u deklaruan se nuk do t’i përkrahin ndryshimet kushtetuese. Ky veprim ndodhi në moment të fundit, me çka operacioni për ndryshimin e Kushtetutës tani është në “stand by”.

Në BDI maten “muskujt” – fjala e kujt është vendimtare…

Partia e Ali Ahmetit është para një testi serioz, ballafaqohet me “padëgjueshmëri” brendapartiake të kuadrove që janë të rëndësishëm në hierarkinë dhe të cilët dëshirojnë t’i dërgojnë porosi liderit se vendimet nuk varen vetëm nga fjala e tij. Kështu një pjesë e analistëve i interpretojnë ngjarjet e fundit në partinë shqiptare në pushtet, e cila deri në momentin e fundit demonstroi përkrahje për ndryshimet kushtetuese. Kthesa ndodhi kur katër anëtarët e dalluar të BDI-së në mënyrë decide thanë se janë kundër ndryshimeve të Kushetutës, në fazën kur amandamentet ishin para miratimit final.

“Mendoj se prapa vendimit të një pjese të deputetëve të BDI-së që të mos i votojnë ndryshimet kushtetuese nuk fshihet ndonjë lojë politike. Përkundrazi, veprimi i tyre është fillim i procesit të autentifikimit brenda bartisë. Ky proces do të thotë se deputetët dëshirojnë ta hapin çështjen se kush e ka fjalën e fundit në radhët e partisë, gjegjësisht se askush nuk mund të vendosë vetë. Reagimi i një pjese të deputetëve të BDI-së vjen në momente kur BDI-ja, gjegjësisht lideri i saj vuri nënshkrim në disa vendime politike, sikurse ai për simbolin e ri të stemës së Maqedonisë, diçka që nuk kalon te populli shqiptar”, thotë analisti Ramadan Ramadani.

Deputetët e BDI-së, të cilët në fazë finale u tërhoqën nga vendimi për të votuar për ndryshimet kushtetuese, thonë se assesi nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e tyre, për shkak se, sipas tyre, ndryshimet nuk janë pjesë e platformës së BDI-së. Sipas deputetit Xhevat Ademi, Kushtetuta duhet të ndryshohet, mirëpo vetëm në pjesën se si zgjidhet kryetari, dhe ai madje paralajmëroi se më parë është i gatshëm të japë dorëheqje se sa t’i përkrahë ndryshimet kushtetuese. Edhe dy deputetët tjerë, Hazbi Lika dhe Zulfi Adili, e ndajnë qëndrimin e njëjtë, të cilit iu bashkangjit edhe Rafiz Aliti.

“Këto ndryshime të propozuara të Kushtetutës së RM-së janë krejtësisht jorerevante, të parëndësishme, joaktuale dhe në asnjë vijë konstituive, të rëndësishme për shtetin. Për popullatën shqiptare në Maqedoni, posaçërisht. Atë nuk e prek, nuk e tangon asnjëra nga temat e propozuara heterogjene kushtetuese. Vetëm për shkak të kësaj, faktori politik shqiptar ka arsye ta injorojë gjithë procedurën për ndryshimet kushtetuese. E megjithatë, ja konkretisht për deputetët e BDI-së, për një pjesë të tyre, ky “top” i propozimeve për ndryshime kushtetuese që ua hedh DPMNE-ja, është i mirëseardhur për dy arsye: e para, të tregojnë se si parti janë partner në qeveri dhe megjithatë kanë një far lloj peshe gjatë marrjes së vendimeve, se megjithatë diçka varet edhe prej votave të tyre, të dërgojnë porosi te elektorati i tyre se nuk janë vetëm hije në koalicion”, konsideron analisti dhe gazetari Zoran Ivanov.

Edhe Ivanovi edhe Ramadani konsiderojnë se partneri i BDI-së në pushtet, VMRO-DPMNE-ja nuk do të përzihet në zhvillimet brendapartiake në partinë e Ahmetit.

“Katër deputetët e BDI-së që vendosën të mos i votojnë ndryshimet kushtetuese,  në anën e tyre i kanë edhe argumentet dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe të Komisionit të Venedikut, të cilët, të mos harrojmë, dhanë një sërë vërejtjesh për ndryshimet e propozuara të Kushtetutës. Nga ana tjetër, sipas meje, heshtja e VMRO-DPMNE-së është e pritur, për shkak se partia e di se reagimi i katër deputetëve të BDI-së është serioz dhe se bëhet fjalë për kërkesa politike që kanë të bëjnë me vetë partinë. Prapa rezistencës së deputetëve janë argumentet e BE-së, të cilave BDI-ja u referohet në vazhdimësi”, thotë Ramadani.

Një pjesë e analistëve të cilët i përkrahin politikat aktuale të pushtetit, konsiderojnë se me veprimin për të mos i votuar ndryshimet kushtetuese, BDI-ja e humb relevancën si partner i besueshëm në kurrorën me VMRO-DPMNE-në dhe thonë se duhet të merren me rezervë të gjitha negociatat dhe kontratat e ardhshme me BDI-në.

Megjithatë, sipas një pjese të analistëve, vendimi i funksionarëve të dalluar të BDI-së të mos i përkrahin ndryshimet kushtetuese nuk është veprim naiv, përkundrazi ata i dërgojnë porosi të fuqishme liderit, i cili deri tani në mënyrë të pakontestueshme notonte në partneritetin qeveritar.

“Sipas meje, çelësi qëndron në atë se një pjesë e anëtarëve “meritorë” të BDI-së nga e kaluara, i manifestojnë padëgjueshmëri liderit, i cili deri para do kohësh ishte i pakontestueshëm dhe i dërgojnë porosi se edhe ata janë rritur politikisht dhe se kontrollojnë pozita “në terren”, si çelës për fuqinë e partisë dhe fuqinë personale për pozitën e tyre të ardhshme në hierarkinë partiake. Duhet thënë edhe atë se, Ali Ahmeti deri tani u tregua si notues i mirë në ujërat gjithnjë e më të trazuara brendapartiake. Sjellja aktuale “e padëgjueshme” e një pjese të deputetëve të tij për të është qortim, mirëpo edhe mundësi të tregojë se ka aftësi që i padëmtuar ta ruajë autoritetin e tij të liderit”, konsideron Ivanovi sipas të cilit “rebelët”, megjithatë do të tërhiqen para mjeteve politike të Ahmetit, dhe kjo “humbje” e tyre do të jetë fitore e dyfishtë edhe për Ahmetin, mirëpo edhe për Gruevskin, i cili nëpërmjet tij do të dërgojë edhe një porosi se, sikurse çdo gjë në shoqëri, ai e kontrollon edhe BDI-në.

Pakoja e ndryshimeve kushtetuese deri tani duheshte të miratohet, pasi në mënyrë eksprese i kaloi filtrat kuvendorë dhe fitoi përkrahje verbale nga partitë në pushtet se deputetët do të sigurojnë shumicë prej dy të tretash. LSDM-ja opozitare, e cila është jashtë parlamentit, mbetet në qëndrimin se ndryshimet miratohen në një kohë kur ka mungesë të konsensusit të gjerë shoqëror, me vërejtje nga Bashkimi Evropian dhe Komisioni i Venedikut, të cilat propozuesi nuk i zbatoi me konsekuencë.  / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button