Basha thirrje Ramës: Ngri shtabin e emergjencës

Me anë të një deklarate për shtyp kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur solidarizimin me banorët në zonat e përmbytura.

Ai është shprehur se të gjitha degët lokale të Partisë Demokratike do të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet vendore.

Kreu i PD ka kritikuar Kryeministrin Rama, duke u shprehur se Kryeministri lajmëron se do të vijojë me prishjet e shtëpive të hallexhinjve në Vlorë në ditë fatkeqësish natyrore. Ndërsa i ka bërë thirrje të ngrejë urgjentisht shtabin e emergjencës dhe t’u vijë në ndihmë banorëve në zonat e goditura.

“Solidarizohemi me banorët në zonat e përmbytura ne jug të vendit dhe në të gjitha zonat e veriut dhe lindjes, ku reshjet e borës kanë bllokuar mijëra banorë dhe kanë ndalur ose vështirësuar qarkullimin. Të gjitha degët lokale të Partisë Demokratike do të jenë në mbështetje të qytetarëve dhe do të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet vendore. Jeta dhe prona e qytetarëve është parësore.
Në kulmin e fatkeqësisë natyrore të reshjeve dhe përmbytjeve në gjithë vendin, kryeministri lajmëron se do të vijojë me prishjet e shtëpive të hallexhinjve në Vlorë pa i kompensuar fare me vlerë tregu. Ky është një qëndrim cinik i ligësisë së pashoqe të dyshes Rama-Meta, që në vend që të çojnë mjetet e rënda për të zhbllokuar rrugët, vendosur prita për përmbytjen e lumenjve dhe parandaluar dëmet e mëtejshme, tani po mendojnë si t’ia kalojnë natyrës për dëmtimin e njerëzve.
Kryeministri të ndalë kërcënimet e zullumet ndaj qytetarëve, të lërë llafet dhe pozat para ekraneve. Të ngrejë urgjentisht shtabin e emergjencës dhe t’u vijë në ndihmë banorëve në zonat e goditura”, përfundon deklarata e lëshuar nga Lulzim Basha./ Tch

Lajme të ngjashme

Back to top button