Pak ditë para se të arrestohet, aktori Kili kritikoi ashpër pushtetin

Gjashtë ditë para se të arrestohet, aktori Kirill Pop Hristov – Kili, ashpër e kritikoi pushtetin, duke e akuzuar për mbjellje të frikës dhe heshtjen e qytetarëve, njofton portali Libertas.

Duke e hapur murin e parë për shprehje publike në rrugën “Maqedonia” në qendër ë Shkupit më 31 gusht nën emrin “Liri është …”, Kili vendosi disa pyetje të llojit se pse pushteti dëshiron të frikësojë dhe pse në vend nuk ka debat, por jeton diskualifikimi dhe etiketimi.

“Pse kur jemi të lirë, jemi më të fortë, më të mirë, më të sukseshëm dhe më të lumtur? Pse disa njerëz dhe regjime kanë nevojë t’i frikësojnë qytetarët, t’ua marrin të drejtën për qëndrim dhe mendim personal, ta heshtin debatin, ta mbyllin hapësirën publike, ta pengojnë lirinë e të shprehurit? Pse në Maqedoni qytetarët heshtin? Pse frikësohen që qartë, zëshëm dhe publikisht të kritikojnë dhe të thonë se çka mendojnë? Pse në vend të debatit publik, në Maqedoni jeton etiketimi dhe diskualifikimi? Pse qytetarët e Maqedonisë nuk frymojnë lirshëm dhe nuk flasin lirisht?”, tha aktori Kili me rastin e hapjes së murit për shprehje të lirë në qendër të Shkupit.

Disa ditë më vonë, aktori Kirill Pop Hristov u arrestua në shtëpinë e nënës së tij, nën dyshimin se ka prodhuar dhe ka lëshuar në përdorim marihuanë, dhe iu shqiptua paraburgim prej 30 ditësh.

Në ndërkohë, në Facebook është krijuar një grup që kërkon lirimin e aktorit Kili nga burgu, dhe për dy ditë ka arritur të mbledhë 6 mijë përkrahës. /Portalb

    

Lajme të ngjashme

Back to top button