fbpx

VV me ultimatum ndaj Qeverisë: Edhe dy ditë për shkarkimin e Jabllanoviqit

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se skenari i Policisë së Kosovës për të penguar protestën me dhumë po vazhdon akoma.

Në një konferencë për media, aktivisti i VV-së, Frashër Krasniqi tha se policia po vazhdon të bastisë dhe arrestojë nëpër shtëpitë e qytetarëve.

“Dhuna e Policisë së Kosovës është duke vazhduar edhe sot, pesë ditë pas protestës”, tha ai.

Krasniqi gjithashtu tha se nga protesta e të shtunës u janë dhënë nga 30 ditë paraburgim, ndërkaq nga protesta e së martës nga gjithë ai numër të arrestuarish, 29 së paku i kanë marrë nga 30 ditë paraburgim.

Mirëpo, sipas tij, “kjo nuk po e zmbraps popullin, sepse nga informatat nga terreni, populli është edhe më i mobilizuar sesa në dy protestat e kaluara, për të protestuar të mërkurën”.

Deputeti dhe shefi i grupit parlamnetar të VV-së, Visar Ymeri tha se kjo dhunë e Policisë është dëshmi e panikut të Qeverisë.

“Qeveria është në panik, e frikësuar dhe tani e kemi një situatë kur të frikësuarit po tentojnë t’i frikësojnë qytetarët”, tha Ymeri, duke konstatuar se Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi janë të frikësuar të përballen me Jabllanoviqin dhe Serbinë e të ndërmarrin veprime sovranizuese për shtetin e Kosovës.

Duke iu referuar dhunës policore ndaj qytetarëve, ai tërhoqi vërejtjen se deri më tash asnjë polic nuk është raportuar apo hetuar për sjellje të tyre brutale.

Ai kërkoi që Policia t’i bëjë publikë emrat e të gjithë të arrestuarve dhe arsyet pse ata po ndiqen dhe po mbahen në paraburgim. Njëkohësisht, Ymeri iu bëri thirrje të gjitha organizatave vendore e ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që të veprojnë, hulumtojnë dhe reagojnë karshi kësaj “përndjekje policore dhe politike”.

Në fund Ymeri porositi se Qeveria e Kosovës dhe Isa Mustafa i kanë dy ditë që t’i plotësojnë kërkesat e protestës.

“Isa Mustafa e Hashim Thaçi i kanë dy alternativa: Ose të ballafaqohen me Serbinë, që ta jetësojnë Republikën e Kosovës, ose do të ballafaqohen me qytetarët e bashkuar në protestë, në mënyrë që burimi i sovranitetit të jetë edhe ushtrim i sovranitetit, nëpërmjet protestës”, tha Ymeri./ Lajmi.net

Tags

Lajme të ngjashme

Back to top button
Close