Koncentrat gëzimi

Përshëndetje miku,

…nuk dua të nisesh i padisponuar në rrugë se atëherë ndodhin belatë.
Tamam puna të të ndodh ndonjë bela për, të themi arsyen time, unë kam vendosur ngase ashtu më vjen nga brenda të të ruaj nga belaja, por ndoshta fjala ka kuptime të ndryshme për të dytë, nuk e di. Disa miq, disa prej tyre i njeh më kanë thënë “Zoti na poqi” në ndonjë moment apo kthesë të rëndësishme për ta, ose “u paraqite kur më shumë kisha nevojë” apo thjesht “Falemnderit” thonë dhe kjo e fundit më së tepërmi më përgjigjet pasi kur dikujt i vjen ashtu t’më lavdërojë kam problem p.sh: s’di ku te shoh, çka të them, a t’a dëgjoj apo t’a relativizoj mirënjohjen…

Më duhet të përgatitem se pas pak e kam busin për Tiranë. 
Do mendoj shpesh për ty, ku je, si je.
Uroj të jesh mire dhe në formë si deri më tash, ani?

…gjeneralisht do kisha qenë ndoshta më e lumtur sikur mos kisha kaq intuitë, habitem me veten ndonjëherë, aq e fortë është, sikur shoh fotografi para vetes. Fjalën e kisha, atëherë kur lexoja atë poezinë, dhe shkonte Azra me Gospodar samoçe, të vërshyen ndjenjat – ndihej në ajër anise s’ishe afër dhe kur u ktheva në drejtimin tënd kishe marr pozitë trupore vetëkontrolluese si sufistët, ose të paktën mua m’u duk ashtu. Edhe këte e ke dëgjuar tashmë, komunikimi joverbal është më i sinqertë, aty jemi vetvetja.
Po, te jesh vetvetja – ky është çelsi. Kur arrijmë ose të paktën tentojmë ta bëjmë pak më të mirë vetveten – e kjo është kulmi (ama, mëkatarë jemi/njerëz bëjmë, kështu e konverton proverbën shoku im i banges, shoqërohemi 32 vjet).

Meshkujt jane të ndërtuar nga hormonet (miqësitë e përziera, përveç në raste specifike, kanë brenda erotikën qoftë dhe vetëm si një përndritje e vogël, e mundshme), “erotika s’është gjë e keqe, kapërcimi është”, prandaj më pelqen kur ata dijne t’i mbajne nën fre pasionet. Ashtu bëjnë miqtë e vërtetë: për një, të themi mbrëmje apo javë te bukur, nuk rrezikojnë atë që mund të zgjasë me dekada. Sivjet me poetin tonë festuam, po festuam me drekë, 20 vjetorin e miqësisë pa trazime, të çmuar!

…kur të kesh kohë do të ta nis një tekst ku kam permendur si e njohtova një shoqe tash të ngushtë, profesoreshë ne pension, merret me shkence në moshën mbi 80 vjeçare dhe si të gjithë ata që “janë vetvetja” tregon më pak vite se sa që ka. Aty kam dhënë fragment, tjerat t’i tregoj kur të shihemi kismet, nëse shihemi.

…mendohesha sot, se njëra ndër shqetësimeve tua, gjegjësisht njëra prej arsyeve pse largohesh prej meje që mund të të jem mik, është që mos t’a potencoj miqësinë për të cilën ke qëndrim ambivalent, mendoj unë. Në të vërtetë, mund të jetë që ti frikohesh mos më humbasësh, mos dalldisem pas tjetërkujt. Nuk është që nuk gjen pak kohë për përgjige apo takim miqësor, por është puna e frikës nga vetvetja, më duket. Prandaj nuk lë hapësirë për biseda, prandaj disi me ik, prandaj kjo zhdukje është aq enigmatike dhe taktike. Nuk është heshtje e zakonshme.

…të shkruaj nga kompjuteri i hotelit Sky Power. Ky hotel i shtrenjtë ia vlen çdo lekë, ama unë nuk do i numëroja sikur të ishin të miat se me këto pare rri një javë në një hotel mesatar dhe i shijon të gjitha që ofron Tirana e bukur, e afert për mua. 

Jam e ftuar në citoj “Gala mbrëmje” 
Udhëtimi deri këtu zgjati shumë dhe s’fjeta fare se qëllova në shoqëri interesante në bus. Me të arrirë këtu pyeta se çka përmban Mbrëmja, më thanë fjalime dhe koktej me demek të mirë: nuk vlente për këto të hyp në taka se kodi i veshjes ishte ceremonial.
Do shetis vetëm, kjo është (ri)njohja më e mirë me qytetet. 
Kur del me dike koncentrohesh tek ai/ajo, kur del vetë shikon më mirë, të shikojnë më mirë. Sa miqësi me kanë lindur duke shetitur vetëm: disa janë fimike, tjetër herë do zgjatem për këto.

…një moment lumturie përjetova pak para: dola në terracën para hotelit para se ta lexoj letrën tënde të gjatë; u ula pra “bir makijato/bir sigara” me gëzimin që jam në Tiranë, gëzimin që iu riktheva shkrimit, gëzimin që pas pak do ulem të lexoj (unë lexoj e qeshem, recepcionistja më buzëqesh me simpati, më pyet mandej pse nuk shkova në Gala, i them se kështu argëtohem më mirë, ajo thotë se paskam të drejtë, prap buzëqeshet me ëmbëlsi…). Ai pesëminutëshi në terracë ishte koncentrat gëzimi që s’ndodh shpesh prandaj mbahet mend.
Do ta mbaj mend.
Dola tash.
Si e para një darkë dikundi, s’e di ku, rruga do më tregojë.
Nesër me kismet duhet të shihem me ndonjë që vendos në Top channel, do më udhëzojë Ulpiana se unë s’i di as me emra, as me fytyra. P.sh ende nuk ia mësova mbiemrin Sokolit: Balla apo Basha? Dy-tre herë kam pyetur, prap kam harruar. Dhe s’pyes më se prap do harroj.

…kënaqem në Tiranë. Sot bie shi, ama ideale jane kushtet për të shkruar, kurse këtë periudhë kjo më kënaq më së shumti

Sot sikur më qahet pak, ama më tepër jam e lumtur, ashtu njëkohësisht.
Ti mos u pergjigj, bile më mirë ashtu. Kur ke kohë/dëshirë lexom.
Tash po shkoj në Top channel, të mundohem ta takoj atë të cilit ende nuk ia di mbiemrin. Ama emrin ia di, kjo do i mjaftojë Ulpianës që t’ma gjejë…nëse është e hajrit le të bëhet.
Ika tash.
Nëse posa e teprova me ndonjë fjalë/ndjenjë, nuk mund ta ndreq më, se po dal. 
Vazhdon të bie shi, ama kam kapelë. Çadër asnjëherë. Një nga ato gjërat artificiale që nuk i dua..

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm © Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes ndërmjet tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button