Elbasan, situatë e rënduar nga rrëshqitjet e dherave

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë shkaktuar probleme edhe në Qarkun e Elbasanit. Është bllokuar zona e Shpatit për shkak të rrëshkitjeve të tokës në aksin Elbasan-Gjinar, pranë fshatit Shelcan, të cilat e kanë shkatërruar një pjesë të mirë të kësaj rruge.

Devijimi i lëvizjes në këtë pjesë të rruges është i pamundur për shkak të terrenit, ndaj dhe Shtabi i Emergjencave civile pranë Prefekturës së Elbasanit ka vendosur bllokimin e saj, për shkak të rrezikshmërisë.

Edhe policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të mos ndërmarrin asnjë lëvizje nga Elbasani në drejtim të Gjinarit apo anasjelltas. Po ashtu është bllokuar edhe rruga Elbasan-Gramsh, pasi niveli i ujit ka kaluar mbi urën e Shushicës, pranë hidrocentralit të Banjës, çka e bën të pamundur udhëtimin në këtë aks rrugor. Lëvizja drejt Gramshit devijohet në aksin tjetër, raporton “TCH”.

Probleme për shkak të rrëshkitjeve të dherave e gurëve paraqet edhe aksi Elbasan-Librazhd, pranë kthesave të Murrashit. Policia këshillon drejtuesit e mjeteve që në këtë pjesë të rrugës të lëvizin ngadalë dhe të tregohen të kujdesshëm, për shkak të gurëve që bien nga shpati i malit. Kjo pjesë e rrugës njihet për aksidentet e rënda të shkaktuar pikërisht nga rënia e gurëve.

Lajme të ngjashme

Back to top button