Lëvizjet e reja politike do të ndihmojnë në luftën kundër ndotjes së ajrit

Përpjekjet e organizate joqeveritare “Ecoguerila” kundër ndotjes së ajrit në Tetovë që e radhit këtë qytet në mesin e qyteteve të rralla në botë ku grimcat kancerogjene  nuk ulen nën nivelin rekord ka mbetur zëri i vetëm përballë injorancës së institucioneve qendrore dhe papërgjegjësisë së plotë të vetëqeverisjes lokale.

Qytetarët duken të përgjumur përballë kësaj injorance duke nënvlerësuar pasojat që sjell ajri i ndotur si një vrasës i heshtur. Përpjekjet e shoqatës “Ecoguerila” deri më tani nuk kanë pasur përkrahjen masive për të lëkundur komodidetin dhe papërgjegjësinë e Komunës së Tetovës e cila deri më tani nuk ka dashtë të dëgjojë as alarmin që lëshojnë të tjerët.

Lëvizjet e reja politike, paralajmërojnë se do të jenë në ballë të protestave eventuale për të përkrahur shoqatat që kanë mbetur të vetëm dhe të pafuqishëm për ballë injorancës së përfaqësuesve politik.

Kryetari i Lëvizjes për reformim të PDSH-së, Ziadin Sela, thotë për Portalb se do të jenë  në krye të protestave, por kjo Lëvizje duhet të  formatizohet dhe kjo sipas tij do të ndodh shumë shpejt. Sela thotë se pasi të formohet Këshilli qendror do të dilet me  prononcime konkrete në përkrahje të protestave kundër ndotjes së ajrit. Sela premton se pas kongresit përkrahja në luftën kundër ndotjes së ajrit do të jetë më e madhe madje do t’ju paraprijë protestave.

“Ndotja e ajrit është me  e madhe në Tetovë, Kërçovë në vendbanimet e liderëve të të dy partive politike. Të mos harrojmë Osllomenë e Ahmetti që ndot Kërçovën dhe Jugohromin e Menduh Thaçit. Këto dy lider nuk arritën me vite të tëra këtë problem ta zgjidhin”, thotë Ziadin Sela.

Nga Lëvizja BESA, thonë për Portalb se janë të gatshëm që të përkrahin protestat kundër ndotjes së ajrit.  Afrim Gashi thotë se duke qenë opozitë, do të reagojnë dhe do ta sensibilizojnë opinionin për të realizuar këtë të drejtë, ndërsa kur të jenë pjesë e pushtetit do të ndërmarrin të gjitha masat që i lejon pushteti që kjo edhe të realizohet.

“Fakti që “Jugohromi” është bërë “sëmundje” akute e cila dita-ditës rrit numrin e të sëmurëve me kancer të mushkërive të tetovarëve, ne nuk mund të qëndrojmë anash duke e parë këtë katrahurë shëndetësore. Me vetë faktin që kërkuam dorëheqje nga ministri aktual i “ndotjes” së ambientit, ne dëshmuam se angazhimi ynë në këtë drejtim është serioz, ndërsa në të ardhmen do të jemi të gatshëm ta përkrahim çdo iniciativë qytetare që do të ndërmerret në këtë drejtim. Madje, jemi të gatshëm edhe t’i bashkëngjitemi protestave eventuale nëse këtë e kërkojnë OJQ-të që janë aktive në këtë drejtim. Pra, jemi duke ndjekur gjendjen me ndotjen e ajrit në Tetovë dhe në qytetet tjera dhe do të marrim të gjitha masat që mund t’i ndërmarrë një subjekt opozitar”, thotë Afrim Gashi.

RDK tanimë ka dhënë mbështetje publike se do të jetë përkrah çdo organizimi të shoqërisë civile në mbrojte nga ndotja e ajrit në Tetovë dhe do të merr pjesë fuqishëm në çdo organizim të kësaj natyre pavarësisht se kush i organizon protestat, shprehen për Portalb nga kjo parti. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button